in

Banka e Shqipërisë: Bien dërgesat e emigrantëve në 6 muajt e parë 2013

227 milionë euro, shuma që emigrantët kanë çuar në Shqipëri gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti, 32,6% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar

Tiranë, 11 shtator 2013 – Shumat e parave që emigrantët kanë çuar në Shqipëri tremujorin e dytë të këtij viti kanë qenë më të pakta se tremujorin e parë, dhe në gjashtë muajt e parë kanë qenë 32,6% më të ulëta se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

E thënë në shifra absolute, dërgesat e emigrantëve në Shqipëri kanë qenë rreth105 milionë euro gjatë tremujorit të dytë, 122 milionë gjatë tremujorit të parë të vitit. Pra gjashtë muajt e parë të vitit emigrantët kanë nisur 227 milionë kundrejt 338,1 milionë eurove të dërguara në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Me këto shifra dërgesat e emigrantëve përbëjnë vetëm 7% të PBB të Shqipërisë.

Këto janë të dhënat e Bankës së Shqipërisë që tregojnë se tashmë ekonomia shqiptare mund të ketë gjithnjë e më pak mbështetjen e këtij faktori që mund të vazhdojë të pësojë rënie. Rënia e dërgesave ndikon drejtpërdrejt edhe në rënien e mirëqenies në Shqipëri pasi për shumë familje, ato janë burim jetik të ardhurash. Sipas një vrojtimi të BSh-së, në vitin 2009, në Shqipëri përfitojnë dërgesa të rregullta nga jashtë rreth 160 mijë familje dhe 26% e tyre, nëse nuk do t’i kenë këto të ardhura, bien nën nivelin e varfërisë.

Rënia e dërgesave të emigrantëve lidhet drejtpërdrejt me kushtet në vendet ku ata jetojnë. Dhe thellimi i krizës e rritja e papunësisë në Itali e Greqi nuk kanë bërë tjetër veçse i kanë përkeqësuar kushtet e jetesës së emigrantëve e për rrjedhojë aftësinë e  tyre për kursim e për dërgesa parash në vendlindje. Por një faktor tjetër i rënies së dërgesave është ngulitja e emigrantëve në vendet ku kanë shkuar, dhe ku kanë ngritur familje apo kanë tërhequr ndërkohë familjarët e tyre.

 

Presidenti Nishani dekreton qeverinë Rama

Sistemi shkollor në Itali