Mbyllen sot veprimtaritë me titull “Missione Vlora” në përkujtim të eksodit të 8 gushtit 1991
Romë 8 gusht 2011 – Në Bari u zhvillua sot ceremonia përmbyllëse e aktiviteteve në përkujtim të mbërritjes së Vlorës në kryeqendrën puljeze më 8 gusht 1991.
Në sallën e Këshillit të Komunës së Barit protagonistë të shumtë të asaj kohe kanë kujtuar atë ditë të paharruar. Mes tyre edhe Antonio Silvestris i shoqatës Emergenza Radio San Paolo, vullnetari i parë që mbërriti në portin e Barit e pa me sytë e tij përmasat e atij zbarkimi historik.
Gjatë ceremonisë, në Sallën e Këshillit, në nder të kryebashkiakut të asaj kohe të Barit, Enrico Dalfino – i kritikuar atëherë nga presidenti i republikës italiane Francesco Cossiga për administrimin e emergjencës së zbarkimit të Vlorës – u vendos një portret i tij.
Tre ditë më parë, presidenti i Shqipërisë Bamir Topi i dorëzoi kryetarit të Bashkisë së Barit, Michele Emiliano, “Medaljen e Mirënjohjes”, me motivimin: “Me mirënjohje të thellë Komunës së Barit dhe gjithë popullit të Krahinës së Puljas, për solidaritetin e rrallë dhe përkrahjen e pakufishme që i dhanë në momente të vështira dhe dramatike, 20 vjet më parë, mijëra qytetarëve shqiptarë që mbërritën në Portin e Barit, në kërkim të një jete më të mirë”.