in

Basha apo Rama?{br}Gara pa fund për Tiranën

Rreth dy muaj pas ditës së zgjedhjeve, pritet që më 6 korrik, Kolegji Zgjedhor të mbyllë përfundimisht (apo të rihapë nga e para) procesin zgjedhor për kryebashkiakun e Tiranës

Tiranë 6 korrik 2011 – Kolegji Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit pritet të shqyrtojë të mërkurën, më 6 korrik, ankimimin e Partisë Socialiste lidhur me vendimet e fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shpalljen e fituesit për bashkinë e Tiranës dhe tabelat e rezultateve për këtë zonë zgjedhore.
Ankimimi i socialistëve, i dorëzuar në Kolegj më 30 qershor kërkon pavlefshmëri të zgjedhjeve në 284 qendra votimi dhe është i shoqëruar me dokumente që mbështesin pretendimet e opozitës për manipulime me votat.
Krahas kërkesës ankimore, PS ka depozituar në Kolegj edhe provat filmike të procesit të numërimit në KQZ, të cilat sipas saj, provojnë manipulimet e bëra. Socialistët pretendojnë se faktet e mbledhura prej tyre janë të mjaftueshme për të shpallur pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Tiranë dhe rivotimin në kryeqytet, pasi sipas tyre është cënuar parimi kushtetues “një zgjedhës, një votë”, i dëshmuar edhe nga mospërputhja mes fletëve të votimit dhe numrit të votuesve.

Presidenti Topi: Kolegji të mos ndikohet nga klima politike

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, gjatë një takimi pune me Kreun e Prezencës së OSBE-së, në Tiranë, Ambasadorin Eugen Wollfarth, duke diskutuar për situatën paszgjedhore në vendin tonë, theksoi “nevojën e përmbylljes së procesit të zgjedhjeve vendore të 8 majit sipas ligjeve në fuqi dhe pritjes me qetësi nga të gjitha palët të gjykimit përfundimtar, të paanshëm e të pandikuar politikisht nga ana e institucioneve të pavarura ligjore përkatëse, në këtë rast të Kolegjit Zgjedhor, që do të thotë fjalën e fundit në lidhje me këtë proces të stërzgjatur”. Në këtë pikë, Presidenti Topi dhe Ambasadori Wollfarth vunë në dukje nevojën për nisjen sa më shpejt të punës me konsensus dhe dialog ndërpartiak për reformimin e kodit zgjedhor në fuqi. 
Duke pasur parasysh aspiratat integruese evropiane ende të papërmbushura të popullit shqiptar, ndanë të njëjtin shqetësimin përsa i përket mosshpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve vendore, duke u shprehur se “në këto momente duhet të funksionojë vetëm ligji dhe shteti i së drejtës në mënyrë që të zbatohen standardet e vërteta të drejtësisë e të demokracisë më të konsoliduar perëndimore”.

Rama: Kolegji të respektojë kushtetutën dhe standardet

“Ne presim nga Kolegji që të mos shkelë ligjin dhe të mos mbyllë sytë dhe veshët para fakteve e shifrave të një kanibalizmi elektoral që e kanë parë të gjithë”, u shpreh Rama në një deklaratë, një ditë para shqyrtimit të ankimimit të PS-së. “Kërkojmë që gjykatësit e Kolegjit të respektojnë Kushtetutën dhe të mos ligjërojnë në asnjë mënyrë rezultatin antikushtetues të KQZ-së, të respektojnë standardet ndërkombëtare të interpretuara më së mirë nga Komisioni i Venecias dhe të mos shpikin asnjë standard të amoralitetit ekstraligjor, që sundon në shtetin e kapur prej Saliut”, tha Rama.
Ai kujtoi se ishte pikërisht ky Kolegj, që në zgjedhjet e 2009-s vendosi precedentë duke shpallur të pavlefshëm procesin në njësitë me probleme të njëjta si në Tiranë, ku numri i votuesve nuk përputhej me numrin e votave.
Kreu i PS-së ripërsëriti deklaratën e pak ditëve më parë, duke theksuar se socialistët janë të gatshëm të përsërisin zgjedhjet për kryebashkiakun e Tiranës, pasi sipas tij “më i rëndësishëm se emri i kryetarit të bashkisë së kryeqytetit është zgjidhja e krizës zgjedhore”.

Më 25 qershor KQZ shpalli kandidatin demokrat, Lulzim Basha, fitues të zgjedhjeve për kryetarin e bashkisë Tiranë, me 93 vota më shumë se rivali i tij socialist, Edi Rama. Por, PS e kundërshtoi këtë vendim të KQZ-së, përmes një kërkese ankimore të paraqitur në Komisionin Zgjedhor. Ky i fundit me shumicë votash e hodhi poshtë kërkesën duke vlerësuar se Komisioni nuk kishte kompetencë për shqyrtimin e ankimimit në fjalë, ndërsa për pikën e dytë të ankimimit, ku kërkohej rivotim në 284 qendra votimi, ajo nuk mund të shqyrtohej për shkelje të afatit 3 ditor.

Shqiptarët pa viza edhe në Serbi

Greqia në krizë. Kontrolle të rrepta shqiptarëve që atje përfitojnë pension