in

Basha: Shqiptarët nuk kanë abuzuar me liberalizimin e vizave

 

Fjala e plotë e ministrit Basha mbi ecurinë e lëvizjes së lirë të shqiptarëve në zonën Schengen.

Ju falënderoj për pjesëmarrjen në këtë tryezë konsultative, juve autoriteteve kryesore përgjegjëse dhe që ndjekin procesin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë, por dhe faktorëve kryesorë qoftë nga ana e qytetarëve apo qoftë dhe nga ana e industrive dhe biznesit që janë përdoruesit kryesorë, përveç autoriteteve të Policisë së Shtetit, Drejtorit të Përgjithshëm, Drejtorit të Kufirit dhe Migracionit, drejtuesve të tjerë të lartë, Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme, drejtuesit kryesorë të autoriteteve aeroportuale, portuale të vendit, autoritetit detar, Agjencisë së Aviacionit Civil, përfaqësues të agjencive kryesore të udhëtimit në vend dhe shoqatave që përfaqësojnë agjencitë e tyre të udhëtimit, shoqërisë civile, të prodhuesit të kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike Aleat, MPÇSSHB, e shumë e shumë faktorë të tjerë.

Sot mbushen plot dy muaj nga nisja e lëvizjes së lirë për qytetarët shqiptarë dhe ky është një moment i mirë për t’u ndalur dhe për të parë ecurinë e këtij procesi, ecurinë e këtij procesi në tërësinë e tij, atë çfarë ka sjellë për qytetarët shqiptarë po natyrisht për të analizuar çdo pyetje, problem që mund të jetë hasur gjatë rrugës dhe për të parë së bashku në këtë format konsultativ çfarë përgjigjesh mund të japim.

Më lejoni fillimisht të bëj për ju, për ata që nuk e disponojnë informacionin e përditësuar por dhe për qytetarët shqiptarë një përmbledhje të shkurtër të statistikave kryesore por që janë shumë domethënëse.

Deri dje në mesnatë 126.922 qytetarë shqiptarë kanë përdorur të drejtën e tyre për të lëvizur të lirë në zonën Shengen. Dhe deri dje në mesnatë 38.531 qytetarë shqiptarë janë rikthyer në territorin e Republikës pasi e kanë përdorur këtë të drejtë për herë të parë, apo disa herë që nga data 15 dhjetor, pra që dy muaj më parë.

Nga monitorimi i përditshëm dhe analiza e të dhënave që ka kryer Policia e Shtetit rezulton se procesi i lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë ka pasur një ecuri normale.

Nëse shohim statistikat e deritanishme refuzimi për të hyrë në zonën Shengen ka mbetur nën shifrën 2%, gjithsej kemi patur një shifër totale të refuzimit prej 1 253 qytetarësh, nga e cila duhet të zbresim një shifër prej 586 qytetarësh, të cilëve padrejtësisht në tre ditët e parë iu refuzua hyrja, kryesisht nga pika e kalimit kufitar Kakavijë dhe që pastaj e përdorën këtë të drejtë nga pika të tjera të kalimit kufitar, pra do të thotë afro 700 qytetarëve u është refuzuar hyrja në zonën Shengen nga 126 922 qytetarë që kanë zgjedhur ta përdorin, shifër rekord për të gjithë rajonin që ka përfituar lëvizjen e lirë.

Përveç kësaj kemi një shifër tjetër që ka të bëjë me personat që figurojnë në zonën Shengen si persona që kanë thyer rregullat e lëvizjes edhe para heqjes së vizave, dhe këtu kemi të bëjmë me një shifër totale prej 3 154 qytetarë shqiptarë të cilët figurojnë aktualisht dhe për një kohë të caktuar, siç jeni njohur dhe në bazë të kodit Shengen, në listën e zezë pasi në një moment të caktuar kanë shkelur rregullat e lëvizjes së lirë ose nëpërmjet hyrjes ilegale ose nëpërmjet qëndrimit ilegal të përtejkohshëm të hyrjeve në zonën Shengen. Edhe kjo shifër paraqitet në volumin tërësor të shifrave brenda parametrave normalë të krahasueshëm me vendet e tjera të Europës Juglindore që e kanë fituar këtë të drejtë rishtazi.

Ka dhe një shifër shumë të rëndësishme, është shifra më domethënëse. Është shifra e azilkërkuesve shqiptarë deri më tani në zonën Shengen. Kjo shifër është shumë e rëndësishme por edhe shumë e lehtë për t’u mbajtur mend. Deri në këtë moment shifra e azilkërkuesve shqiptarë në zonën Shengen është zero. Ta shikojnë këtë dhe ta dëgjojnë jo vetëm qytetarët shqiptarë por dhe shqiptarofobët me kostume të blera në Bruksel ose jo.

Dua t’ju shpreh falenderimet e mia me këtë rast të gjithëve ju për rolin e rëndësishëm që keni luajtur në informimin e qytetarëve shqiptarë sepse padyshim ka qenë fushata informuese më e shtrirë në kohë, më intensive dhe më depërtuese në çdo qelizë të shoqërisë shqiptare, një nga faktorët përcaktues të kësaj shifre mbresëlënëse.

Një shifër që natyrisht vlerësohet nga të gjithë partnerët tanë, nga Komisioni Europian dhe të gjithë hallkat e tjera, Frontex, hallkat që merren me azilin, natyrisht edhe vendet anëtare, sepse janë vendet anëtare ato që përballen ose jo me pasojat e kërkimit të azilit.

Megjithatë shqiptarët duket se e kanë përdorur gjerësisht të drejtën e tyre për të lëvizur lirshëm. Për këtë s’ka asnjë dyshim. E kanë gëzuar atë në formë, në masë dhe dimension të pakrahasueshëm me asnjë vit tjetër më parë kur lëviznin me viza, pra nuk mund të themi se shqiptarët kanë qenë të ndrojtur në përdorimin e kësaj lirie.

Larg flukseve të paralajmëruara, eksodike, nga shqipfolësit në Tiranë dhe shqiptarofobët jashtë Tirane apo jashtë Shqipërie, prapëseprapë mund të themi se lëvizja e lirë ka fituar një dimension të ri. Askush nuk mund të dëshmojë më mirë për këtë sesa policia kufitare, aeroporti ndërkombëtar” Nënë Tereza”, Porti i Durrësit, i Vlorës, autoriteti portual dhe agjencitë turistike, madje dhe vetë qytetarët shqiptarë.

Çfarë trendi shikojmë?

Për periudhën 15 Dhjetor-31 Dhjetor kanë dalë 60.113 shtetas pa viza, ndërkohë që kanë hyrë në Shqipëri 50 mijë shtetas më pak shqiptarë sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, pra konkluzioni është se kemi një ndryshim të kahut të lëvizjes. Gjatë periudhës së festave kahu i lëvizjes ka ndryshuar. Kemi një numër më të vogël qytetarësh shqiptarë me banim jashtë që vijnë për të festuar në Shqipëri dhe një numër më të madh qytetarësh shqiptarë që kanë vendosur t’i kalojnë këto festa jashtë shtetit me gjasa pranë të afërmve të tyre, me një rritje qarkullimi prej 10 mijë personash që absolutisht mendoj se është në shifrat e normalitetit, pra intensitet pothuajse i njëjtë por ndryshim i kahut të lëvizjes.

Në muajin janar kanë dalë 55.706 persona, janë kthyer 24.863. Është muaji më dinamik i lëvizjes deri tani, por duket qartë edhe tendenca e kthimit pas festave. Në shkurt kemi 10.676 dalje 7.915 hyrje, pra kemi një ekuilibrim, apo një proces që është shprehje e ekuilibrimit të plotë të hyrje daljeve, edhe kjo pjesë e analizës që tregon se lëvizja e lirë po përdoret brenda parametrave të saj, për të vizituar jo më shumë se 90 ditë, jo për të qëndruar dhe kjo padyshim vërtetohet edhe në këto shifra. Nuk kemi të bëjmë me flukse massive.

Në total përdorimi i kësaj lirie, që nuk do ta fshehim, po përdoret nga shqiptarët, ka rezultuar me një rritje të intensitetit të hyrje daljeve me 34 %, ku hyrjet janë rritur me 20,07 % dhe daljet me 13,7%, në krahasim me janarin vitin e kaluar.

Çfarë duhet të kemi parasysh?

Së pari mendoj që rezultati më i prekshëm që është shifra zero e azilkërkuesve duhet të mbetet një objektiv i yni dhe gjej rastin nga kjo platformë t’i drejtohem çdo qytetari shqiptar të përsëris edhe një herë si Ministër i Brendshëm në emër të qeverisë, në emër të maxhorancës, por dhe në emër të partnerëve tanë europianë, të Komisionit Europian, se shanset për cilindo qytetar shqiptar që të aplikojë dhe të fitojë azil politik në BE janë zero, dhe se çdo aplikim i tillë do të sillte vetëm dhe vetëm një pasojë, pasojën e një dëbimi eventual të përkohshëm të personit apo personave nga zona Shengen pas procedimit dhe që natyrisht do të ishte një faktor jopozitiv sa i përket raporteve periodike që hartohen për vendet në këtë rast për Shqipërinë, dhe për performancën e tyre në raport me lëvizjen e lirë.

Mesazhi i dytë që kam është pë rata që janë nisur në 15 dhjetor dhe nuk janë kthyer akoma. Të kujtohen se kanë edhe një muaj kohë për të mos qenë në shkelje të afateve. Afatet duhet të respektohen në mënyrë rigoroze, përndryshe as Ministri i Brendshëm, as Kryeministri dhe askush tjetër nuk do bënte derman. Në qoftë se përfundoni në listën e zezë Shengen asnjë nuk ju bën dot derman, as kryeministri britanik, as kryeministri francez, as kryeministri Italian, prandaj shmangni me çdo kusht shkeljet sepse sistemi është automatik dhe nuk lë vend për ndërhyrje njerëzore. Jeni regjistruar automatikisht duke hyrë në zonën Shengen, regjistroheni automatikisht duke dalë. Në qoftë se nuk keni justifikime ligjore, pra në raste të veçanta një letër nga policia e migracionit të vendit përkatës se pse e keni shkelur afatin, shkelja e afatit do t’ju penalizojë. Prandaj merrni masat që të mbajmë këtë rekord deri tani impresionues të qytetarëve shqiptarë edhe në raport me qytetarët e vendeve të tjera të rajonit sa i përket kushteve të lëvizjes së lirë.

Së treti, ndonëse shifra e kthimit të qytetarëve që nuk figurojnë në sistemin Shengen është e vogël, rreth 700 qytetarë që nuk figurojnë me shkelje në sistemin Shengen por janë kthyer mbrapa, 700 qytetarë të cilët në raport me shifrën totale të 127 mijë qytetarëve duken pak, edhe këta pak qytetarë duket se nuk janë tërësisht të informuar ose edhe në qoftë se janë informuar duket s’e kanë marë informacionin seriozisht.

Kushtet e lëvizjes së lirë duhet të jenë të qarta për këdo, dhe e drejta për intervistim e policisë kufitare ku ju drejtoheni mund të përdoret ndaj kujtdo, prandaj mungesa e gjendjes së mirëbesimit, shprehur kjo me qëllimin tuaj për të qëndruar mbi 90 ditë, me mungesën e mjeteve financiare apo garancive për të qëndruar nëse shkoni tek miqtë, ju penalizon.

Mos lëvizni pa marrë masat!

Njësoj siç nuk do të shkonit nga qyteti juaj i lindjes apo i banimit në një qytet tjetër 80, 100, 200 kilometra më tej brenda territorit shqiptar pa marë masat për koston e transportit, të ushqimit dhe të fjetjes, ju lutem merrni masat për kudo që lëvizni jashtë territorit të Republikës Shqipërisë.

Dhe së fundi natyrisht ka vend për të përsëritur faktin se sot kemi një infrastrukturë edhe më të fuqishme sesa kishim më 15 dhjetor. Kemi aktualisht mbi 1,5 milion qytetarë me pasaporta biometrike, së shpejti bëhen funksionale pikat e aplikimit dhe shpërndarjes së pasaportave në katër qendra konsullore që u shërbejnë më shumë shqiptarëve jashtë atdheut që janë Roma, Milano, Athina dhe Selaniku dhe jemi gati të hapim edhe në pika të tjera konsullore jo vetëm në territorin e BE por edhe në ShBA në qoftë se do ta gjykojmë të dobishme për qytetarët tanë. Ka përfunduar plotësisht modernizimi i rrjetit të pikave të kalimit kufitar shqiptar, edhe me asistencën bujare të BE do të përfundojë së shpejti facilitate të tjera moderne siç është terminali i pasagjerëve të Durrësit, apo zgjerimet e njëpasnjëshme dhe modernizimet që i bëhen aeroportit “Nënë Tereza” apo rritja e vazhdueshme e ofertës dhe cilësisë, shpresojmë dhe ulja e vazhdueshme e çmimeve për shërbimet e transportit që mundësojnë lëvizjen e qytetarëve shqiptarë si europianë drejt zonës Shengen.

Dëshiroj të mbyll këtu fjalën time duke vlerësuar edhe një herë këtë dymujor të lëvizjes së lirë si shumë të suksesshëm sa i përket administrimit të procesit, si një opurtunitet i lirisë i përqafuar plotësisht nga qytetarët shqiptarë dhe si një provë të kaluar me sukses në raport me Bashkimin Europian sa i përket shifrave themelore.

Cooperanti, dokufilm mbi kooperativat CEFA në Elbasan

Nik Xhelilaj vlerësohet me çmim në Berlinale