Intervistë me Ela Dacin, eksperte në çështje të fondeve komunitare dhe të NATO-s pranë Link Campus University në Romë, që shpjegon: “Në programimin e viteve 2014-2020 Shqipërisë i përkasin 649,5 milionë € për reformat. Nëse Shqipëria do të përparojë në hapjen e negociatave do të ketë edhe oportunitete financiare të tjera”
Shqipëria synon aderimin në BE prej tre dekadash. Bashkimi Evropian vendeve në pritje të hapjes së negociatave të aderimit u akordon një pjesë të fondeve të buxhetit komunitar. Për këtë anë i kemi marrë një intervistë të shkurtër Ela Dacit, eksperte e fondeve komunitare pranë Link Campus University në Romë.
Zonja Daci përshëndetje. Mund t’ju kërkojmë një vetëprezantim?
Unë jam nga Kruja, por prej 20 vitesh jetoj jashtë Shqipërisë. Kam jetuar në Itali pothuajse gjithë kohës me përjashtim të 2 viteve në Bruksel të Belgjikës, ku kam punuar pranë Parlamentit Evropian. Aktualisht jetoj në Romë dhe punoj për Link Campus University, ku merrem me fondet e BE-së dhe të NATO-s.
A jeni ndier e diskriminuar si e huaj në Itali dhe a keni pasur probleme me integrimin tuaj në këtë vend?
Të jem e sinqertë: PO. Në vitin e parë të shkollës së mesme në Sassuolo (qytezë e Modenas) kemi qenë dy persona të huaj në të gjithë shkollën: unë, pra një e huaj nga Shqiperia, dhe një i huaj nga Gana. Integrimi në shkollën e mesme ka qenë shumë i vështirë pasi italianët akoma nuk ishin të mësuar me të huaj në jetën shkollore.
Mund të na shpjegoni mekanizmin e shpërndarjes së fondeve evropiane? Sa përfiton dhe mund të përfitojë prej tyre Shqipëria?
BE-ja është donatori i parë në Shqipëri. Shqipëria, si vend kandidat për anëtarësimin në BE, bën pjesë në Programin e IPA-s, i cili është Instrumenti i Ndihmës së Para-Anëtarësimit. Në programimin e viteve 2014-2020 Shqipërisë i përkasin 649,5 milionë euro në reformat e administratës publike, reformat në drejtësi, ekonominë sostenibile, qytetarësinë, bujqësinë dhe zhvillimin rural. Shqipëria përfiton prej programit IPA II. Nëse Shqipëria do të përparojë në hapjen e negociatave ajo do të marrë pjesë tek IPA III e IPA IV, të cilat përmbajnë oportunitete financiare të tjera.
Përveç programit IPA Shqipëria merr pjesë tek programe të tjera evropiane siç janë Erasmus+, Horizon 2020, Interreg IPA, Adrion dhe EuropeAid. Në këto programe mund të aplikojnë për fonde: institute publike, universitete, qendra kërkimi, sipërmarrje, organizata jofitimprurëse, organizata joqeveritare. Shqipëria duhet të ketë një zyrë për informimin mbi oportunitetet dhe fondet e BE-së.
Cilat janë përshtypjet për Shqipërinë në mjediset komunitare në Bruksel?
Kam pasur mundësinë të bashkëbisedoj me eurodeputë, me administratorë të Parlamentit Evropian ashtu edhe me administratorë të Komisionit Evropian, gazetarë si edhe lobistë, “policy makers” etj mbi Shqipërinë dhe mund të them që pershtypja që ata kanë mbi Shqipërinë është ajo e një vendi të vogël diku në Ballkan, një vend ish komunist, i varfër dhe ku ka shumë korrupsion.
Kur mendoni se mund të aderojë Shqipëria në BE?
Komisioni Evropian dha rekomandimin 2 vite më përpara – në nëntor 2016 – për hapjen e negociatave. Në qershor 2019 Shqipëria ka datën e caktuar për hapjen e negociatave. Në 26 maj 2019 janë zgjedhjet evropiane. Pas tyre do të kemi një parlament me deputetë të rinj dhe një komision me komisionerë të ri.
Atëherë hapen 2 skenarë:
1) nëse votat e mazhorancës do të ngelin ato që janë tani, pra grupi popullorëve evropianë të PPE-së dhe i Social Demokratëve S&D, atëherë Shqiperia ka shumë mundësi për hapjen e negociatave;
2) nëse Parlamenti Evropian do të ketë mazhorancën e të djathtëve ekstremistë atëherë do të jetë më e vështirë për Shqipërinë.
Duhet të konsiderohet edhe cilat do të jenë prioritetet e Presidentit të Komisionit Evropian ne axhendën e tij për zgjerimin. Vendimi përfundimtar do të merret nga Këshilli Evropian me 27 kryeministrat e vendeve anëtare. Shqipëria po bën përparime në rrugën e reformave. Mendoj që, nëse do të kryhen detyrat së shpejti, do jemi pjesë e familjes europiane.