in

Bashkimi familjar. Mund të sjell në Itali bijtë e time shoqeje?

Unë e bashkëshortja jetojmë në Itali prej 3 vjetësh. Unë jam në punë e ajo jo. Ime shoqe ka edhe dy fëmijë nga një martesë e mëparshme e dua të di a mund të bëj kërkesë për bashkim familjar edhe pse nuk janë bijtë e mi? duhet paraqitur ndonjë dokument i veçantë?

Ligji parashikon që të mund të kërkohet bashkimi familjar edhe me bijtë në moshë të mitur të bashkëshortes me kusht që prindi tjetër i të miturve, në rast se ekziston, të japë miratimin e vet.

Kjo do të thotë se i huaji mund të kërkojë bashkimin familjar të bijve të bashkëshortit aktual, edhe pse të miturit nuk janë bijtë e tij sepse kanë lindur nga një marrëdhënie e mëparshme e bashkëshortit. Mjaft që prindi tjetër i fëmijëve të jetë dakord.

Kriteret për bashkimin familjar janë të zakonshmit: strehim i përshtatshëm, lidhja familjare, të ardhura të mjaftueshme nga burime të ligjshme. Kësaj liste i duhet shtuar pëlqimi i bashkimit familjar i dhënë nga prindi tjetër i fëmijëve.

Për të dëshmuar pëlqimin e prindit tjetër, duhet paraqitur pranë autoriteteve italiane një prokurë notarile apo autorizim për daljen jashtë shtetit të legalizuar e përkthyer. Pa këtë dokument, të miturit nuk mund të bashkohen me prindin që jeton në Itali.

Së fundi, edhe pse prindi i të miturit që jeton në Itali nuk ka të ardhura personale, mund të paraqesë kërkesë për bashkim familjar duke treguar të ardhurat e të shoqit. Në këtë rast është e rëndësishme që të ardhurat e të shoqit të jenë të paktën sa minimumi i kërkuar për bashkimin familjar në bazë të numrit të familjarëve në ngarkim. Duhet mbajtur parasysh që në llogaritje duhet të konsiderohen qoftë familjarët në ngarkim që jetojnë në Itali qoftë ata për të cilët po kërkohet bashkimi familjar.

Maria Elena Arguello, Stranieriinitalia.it

In italiano: Ricongiungimento. Posso portare i figli di mia moglie in Italia?

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

Konsullata e përgjithshme e Shqipërisë në Bari, tashmë edhe e Kosovës

Shtetësia italiane. A mund të paraqes kërkesë edhe pse u ktheva për pak kohë në atdhe?