Fraza e vënë në profilin e tij facebook nga Stefano Venturi, legist në Rovato, kandidat për zgjedhjet administrative hiqet brenda ditës, por qëndron mjaftueshëm për të marrë mbi 300 mesazhe kritikash të ashpra. Jep dorëheqjen
Romë, 21 maj 2012 – Ndërsa Italia gdhihet e tronditur nga tërmeti që tundi veriun e saj, Stefano Venturi, legist në Rovato, kandidat për zgjedhjet administrative, komenton këtë fatkeqësi natyrore duke shkruar në profilin e tij facebook “Tërmet në veri të Italisë… Ju kërkojmë ndjesë për shqetësimin por Padania po shkëputet. (Herën tjetër do të veprojmë më ngadalë)”. Brenda një kohe të shkurtër arrijnë një sërë komentesh negative, për të mos thënë sharje, dhe Venturi e heq batutën e tij pa kripë.
Por autocensura e eksponentit legist, sekretar i seksionit për Rovaton i Legës, mbërrin me vonesë. Sa hap e mbyll sytë social network-u e çon batutën e tij ga një “mur” në tjetrin. Zemërimi dhe tonet ngrihen. E mes 300 e ca mesazheve kundër Venturit gjen edhe: “Sikur të shkëputeshe ti nga planeti do t’i bëje nder njerëzimit”.
Pasdite vjen lami se eksponenti i Legës jep dorëheqjen. E thotë për agjencinë Adnkronos, Fabio Rolfi, sekretar provincial i Legës në Brescia: “Venturi ka dhënë dorëheqjen. Ia kërkova një gjë të tillë sepse gjeste si këto janë të papranueshme, shkojnë kundër kodit tonë etik”.
Manuela Dal Lago, parlamentare e Legës kërkon falje për mikun e idealeve: Të metë ka në gjithë botën e fatkeqësisht edhe në gjirin tonë…”.