in

BE. Dimitris Avramopoulos është komisari i ri i imigracionit

Ish ministri grek merr postin e Malmstrom. Misioni i tij? Të tërheqë sa më shumë persona kompetentë e me talent, të forcojë Frontex dhe të ngrejë një Sistem të Përbashkët për Azilin

Romë, 11 shtator 2014 – Lamtumirë Cecilia Malmstrom. Në krye të politikave të imigracionit të Komisionit Evropian për pesë vitet e ardhshme do të jetë greku Dimitris Avramopoulos.

Presidenti i ri Jean-Claude Juncker, ka komunikuar më 10 shtator detyrat e anëtarëve të skuadrës së tij.

Avramopoulos-it i besohet Imigracioni e Punët e Brendshme. Detyrë kjo që deri tani mbulohej nga suedezja Malmstrom, që ka ruajtur gjithsesi një post në komisionin e ri, por për të mbuluar tregtinë.

Politikani grek, ish diplomat, është eksponent i partisë konservatore Nea Demokratia. Ka qenë kryebashkiak i Athinës, deputet e disa herë ministër për Turizmin, Punët e Jashtme, Mbrojtjen, Shëndetësinë dhe Solidaritetin social. Konsiderohet një nga arkitektët e afrimit mes Greqisë e Turqisë.

Juncker i ka shpjeguar me një letër se cilat do të jenë objektivat e misionit të tij në Bruksel, duke filluar nga “politika e re evropiane e imigracionit të rregullt”, e aftë të “tërheqë kompetenca e talente për të cilat Evropa ka nevojë”. Do të niset me një revizion të direktivës mbi “Blu Card”, që parashikon kanale hyrjeje të lehtësuara për punonjësit më të kualifikuar.

Për të luftuar flukset e paligjshme, komisari i ri duhet “të fuqizojë efikasitetin e agjencisë për kufijtë, Frontex”, duke zhvilluar një sistem “që të mbledhë burime nga vendet anëtare”. Objektivi është të arrihet të rreshtohen me shpejtësi skuadra rojesh të kufirit, me rregullin që çdo Vend të japë kontributin e tij.

Avramopoulos do të ketë gjithashtu për detyrë të vërë plotësisht në funksionim Sistemin e Përbashkët të Azilit. Në këtë aspekt, do të nevojitet të zgjerohet më tej roli i Zyrës evropiane e mbështetjes së azilit, EASO, që duhet të bashkëpunojë veçanërisht “me dhe në vendet e treta”, dhe të zhvillojë një strategji për “përmirësimin e reagimit evropian ndaj emergjencave”, siç është për shembull fluksi i refugjatëve që po mbërrin në Itali.

Komisari i ri duhet edhe të përmirësojë kooperimin me Vendet e treta për sa i përket ripranimit të migrantëve të paligjshëm dhe të përforcojë bashkëpunimin strategjik mes BE-së dhe Afrikës.

Mes detyrave të tij si komisar edhe për Punët e Brendshme është, natyrisht, luftaa kundër krimit, e në aspektin e imigracionit, armiqtë quhen “trafikantë njerëzish”.

Elvio Pasca

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Tullumbace të bardha të lëshuara në qiell. Bari i jep lamtumirën Flori Mesutit

Po të blej shtëpi, mund të vij të jetoj në Itali?