Gjatë vitit të shkuar 96% janë hedhur poshtë, por kërkesat vazhdojnë të jenë në rritje. Nga azilkërkuesit e Ballkanit perëndimor, 10% janë nga Shqipëria
Romë, 19 nëntor 2013 – 16% e të gjithë kërkuesve të azilit politik në BE gjatë vitit 2012 dhe gjatë gjashtëmujorit të parë 2013 kanë mbërritur nga vendet e Ballkanit përëndimor. Pas liberalizimit të vizave për zonën Schengen për shtetasit e Shqipërisë, Serbisë, Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë, një pjesë e mirë e kërkesave arrijnë pikërisht prej qytetarëve të këtij grupi, duke kapërcyer në shifra kërkuesit e azilit nga çdo vend tjetër. E megjithatë në shumicën dërrmuese të rasteve, kërkesat e tyre janë të pabaza, fakt që dëshmohet edhe nga hedhja poshtë e 96% e tyre gjatë vitit 2012. Pesë vend-mbërritjet e këtyre kërkuesve të azilit janë Gjermania, Franca, Suedia, Belgjika dhe Zvicra.
Ky është me pak fjalë çka thotë raporti i zyrës evropiane për mbështetjen e azilit (EASO), sipas të cilit kërkesat nga vendet e Ballkanit perëndimor kanë shkuar nga 20.000 të vitit 2008 në 60.000 gjatë vitit 2012 e mbi 30.000 gjatë gjashtë muajve të parë të 2013-tës.
Numri i kërkesave të paraqitura ndryshon sipas periudhave të vitit, me një prirje të fortë rritjeje pak para dimrit. Kërkuesit e azilit janë kryesisht të etnisë rome që vijnë nga Serbia e Maqedonia por edhe shqiptarë, qoftë nga Shqipëria, qoftë nga Kosova. Ndërsa për sa i përket zonave, ata të Shqipërisë janë kryesisht nga Veriu, të Serbisë nga Jugu, të Maqedonisë nga Veriu i vendit, ndërsa për Kosovën nuk ka ndonjë dallim.
Më në detaje, azilkërkuesit shqiptarë janë nga Lezha, Shkodra, Malsia, Bajram Curri, Peshkëpia, Kukësi, por ka edhe nga Tirana, Durrësi e Elbasani. ata aplikojnë për azil kryesisht në Francë, Mbretërinë e Bashkuar, Suedi, Belgjikë e në masë më të vogël në Greqi.
Vendet anëtare të BE-së si edhe vetë vendet e Ballkanit Perëndimor duket se janë të gjitha të mendimit se në bazë të kësaj dukurie janë motivet ekonomike, veçanërisht të ndjeshme ndër minorancat etnike në Serbi dhe Maqedoni.
Në raport theksohet se edhe pse qytetarët ballkanas janë ata që kanë përqindjen më të lartë të mospranimit të kërkesave, edhe këto ndryshojnë qoftë nga vendi i origjinës qoftë nga vendi i destinacionit. Kështu, shqiptarët e Shqipërisë janë ata kërkesat e të cilëve pranohen më shumë (në rreth 12% të rasteve), ndërsa ata të Maqedonisë janë ata që kanë përqindjen më të lartë të refuzimit të kërkesave (mbi 98%).
Shqiptari i Italisë