Nga Tirana avioni është nisur me disa orë vonesë, nga Roma për Tiranë fluturimi është anuluar
Romë, 26 gusht 2013 – Gjithnjë e më problematike fluturimet me Belle Air. Shitje biletash më shumë nga sa vende ka avioni, vonesa disaorëshe e anulime fluturimesh denoncohen edhe këtë verë, jo vetëm nga udhëtarët në Tiranë por edhe nga ata që udhëtojnë nga e për Prishtinë.
Në Kosovë, ministri i Diasporës Ibrahim Makolli i kërkon ministrisë së Infrastrukturës, që të marrë masa, madje edhe t’i heqë licencën kompanisë së fluturimeve Belle Air. Në Shqipëri, qeveria Berisha nuk luan gishtin në këtë drejtim. Së fundi, deputetët e PS-së Erion Braçe e Taulant Balla kanë denoncuar në shtyp rritjen e çmimeve nga kompania dhe kanë vënë në dukje faktin që ajo vepron pothuajse në regjim monopoli.
Të dielën, më 25 gusht, rasti i fundit i problemeve për qindra udhëtarë që kanë fluturuar me Belle Air nga Tirana në disa destinacione Italiane, si Roma apo Bari për shembull.
Avioni për Romë (LZ471) që në biletë e ka të shkruar orarin e nisjes nga Tirana në orën 16.00 fillimisht u shty për në orën 18.00 dhe së fundi u nis rreth orës 22.00, pra me gjashtë orë vonesë nga orari origjinal. Ka arritur në Romë në orën 22.55, siç verifikohet lehtë nga tabela e mbërritjeve në kohë reale e Aeroportit të Fiumicinos në Romë.
Më keq u ka shkuar edhe udhëtarëve që në orën 18.20 duhet të niseshin nga Roma për Tiranë. Orari i fluturimit fillimisht është shtyrë për në 22.30, por efektivisht avioni u nis pak minuta para mesnate (me siguri pa pasagjerë pasi Aeroporti i Tiranës nuk jep asnjë mbërritje të Belle Air-it nga Roma deri në orën 09.40). Për pasagjerët, fluturimi më i parë i vlefshëm Romë-Tiranë është ai me numër LZ172 për mëngjesin e të hënës, në orën 08.10. Natyrisht nëse kompania respekton orarin.
Shqiptari i Italisë