Ministri Haxhinasto: “Sqarojmë opinionin publik se situata është krejt e ndryshme nga sa deklarohet nga Belle Air. Edhe tani që flasim nuk ka asnjë bllokim të llogarive nga asnjë nga institucionet shtetërore të vendit. Por problemi i kompanisë është keqmenaxhimi, mungesa e theksuar e transparencës dhe mosplotësimi i vazhdueshëm i detyrimeve ndaj organeve shtetërore, ndonëse është në një situatë të privilegjuar në tregun e aviacionit, duke kontrolluar mbi 50 % të tij”
Belle Air ka falimentuar. E dëshmon kërkesa e paraqitur prej përfaqësuesve të saj më 22 nëntor në Gjykatën e Tiranës për “deklarim falimentimi”, që është akti i fundit i një shoqërie private.
E megjithatë, kompania Belle Air ka vazhduar të shesë bileta deri mbrëmjen e të dielës, 24 nëntor. Nuk ka si të besohet që shitja e vetëdijshme e biletave – jo përmes agjencive të udhëtimit, por në sitin zyrtar të kompanisë – të mos jetë e qëllimtë në mënyrë që Belle Air të përfitonte ç’të mundnte deri çastin e fundit.
Edhe komunikata e djeshme duket se është gjysma e të vërtetës: kompania jo thjesht “pezullon fluturimet” por falimenton e ul qepenin.
Madje kompania gënjen edhe mbi arsyet e situatës së rëndë në të cilën ndodhet: sipas ministrit Haxhinasto asaj nuk i është bllokuar asnjë llogari: “Sqarojmë opinionin publik, veçanërisht qytetarët që kanë bërë rezervime apo kanë prerë biletat e udhëtimit me këtë kompani, se situata është krejt e ndryshme nga sa deklarohet nga Belle Air. Edhe tani që flasim nuk ka asnjë bllokim të llogarive nga asnjë nga institucionet shtetërore të vendit”. Por problemi i saj, sipas ministrit, është “keqmenaxhimi i kompanisë, mungesa e theksuar e transparencës dhe mosplotësimi i vazhdueshëm i detyrimeve ndaj organeve shtetërore, ndonëse është në një situatë të privilegjuar në tregun e aviacionit, duke kontrolluar mbi 50 % të tij”.(Këtu gjeni deklaratën e plotë të ministrit Haxhinasto: Qeveria fleksibilitet maksimal për të ndihmuar kompaninë)
Ja faqja e Gjykatës së Tiranës ku publikohet çështja civile e kompanisë Belle Air “Për hapjen e procedurës së falimentimit të shoqërisë Belle Air shpk”