Mbyllet epoka Belle Air. Pas tetë vjetëve, kompania ajrore shqiptare kërkon falimentimin pa asnjë paralajmërim, duke lënë në tokë qindra pasagjerë. Madje Belle Air ka vazhduar të shesë bileta deri të dielën më 24 nëntor, dy ditë pasi kishin kërkuar në deklarimin e falimentimit në Gjykatën e Tiranës duke mashtruar kështu qytetarët, që për të kursyer kanë prerë bileta të kësaj kompanie jo vetëm për festat e fundvitit por deri edhe në mars.
Të diel e të hënë kanë qenë me qindra ata që kanë mbërritur nëpër aeroportet e Evropës dhe në Rinas e kanë zbuluar se fluturimi i tyre nuk ekzistonte më. Por janë me mijëra ata që kanë një biletë në xhep, mediat shqiptare flasin për 52 mijë vetë që kanë bileta për udhëtime deri në mars të vitit të ardhshëm. Shumica e tyre shpresojnë (pak) në rimbursimin e saj, dhe një pjesë e vogël në zëvendësimin e fluturimit Belle Air me një tjetër të Blu Express që sipas kompanisë shqiptare “do të mbrojë” pasagjerët e saj por kundrejt një bilete të re.
Shkëlqimi dhe rënia e Belle Air-it
Belle Air ka lindur tetë vjet më parë e gjatë viteve të fundit ka pasur një zgjerim të jashtëzakonshme të trafikut ajror duke arritur të mbulojë mbi 50% të atij të Rinasit. Sepse ka pasur mbështetjen e qeverisë së djathtë thonë zëra të shumtë, sepse nuk paguar rregullisht taksat e tatimet ndaj shtetit, apo edhe detyrimet ndaj aeroportit të Rinasit, zbulohet sot kur mësohet se u detyrohet për miliona euro. E ndërsa kompania Belle Air shtonte numrin e destinacioneve në mbarë Europën, 18 vetëm në Itali, kompanitë tjera si Albanian Airlines vdisnin. Kështu u arrit që sot Belle Air vepronte thuajse në kushte monopoli.
Gjatë viteve, edhe pse nga shteti shqiptar nuk është marrë asnjëherë ndonjë masë ndaj saj, kompania është përfolur shpesh për qëndrim jo korrekt ndaj pasagjerëve: vonesa të pajustifikuara e ndërrime oraresh të paparalajmëruara, anulime fluturimesh minutën e fundit, shitje biletash mbi kapacitetin e avionëve të saj, janë probleme që janë hasur nga klientët e saj veçanërisht në verë e në periudhën e fundvitit dhe janë përcjellë shpesh nga mediat. Verën e shkuar, problemet Belle Air u ndeshën edhe në Kosovë, aq sa ministri kosovar i Diasporës, Ibrahim Makolli, paralajmëroi marrjen e masave ligjore ndaj Belle Air-it në mbrojtje të qytetarëve.
Më 24 nëntor, Belle Air fillimisht vonon e më pas anulon disa fluturime e më pas lëshon një komunikatë me të cilën njofton pezullimin e menjëhershëm të të gjitha fluturimeve të saj. E kështu të hënën, më 25 nëntor, janë me qindra pasagjerët në Rinas e akoma më shumë në aeroportet italiane që mbeten në tokë. Zbulohet gjithashtu se edhe pse publiku njoftohet papritur e pakujtuar për “pezullim” të fluturimeve, kompania kishte paraqitur në Gjykatë të Tiranës kërkesë për shpallje falimentimi që më 22 nëntor, edhe pse ka vazhduar të shesë bileta deri të dielën në darkë, 24 nëntor, duke mashtruar me vetëdije qytetarët.
Arsyeja e pezullimit, sipas Belle Air, është kriza dhe fakti që shteti i ka bllokuar prej më se 18 ditësh të gjitha llogaritë bankare. E përgënjestron menjëherë ministri i Transporteve Haxhinasto: “Sqarojmë opinionin publik se situata është krejt e ndryshme nga sa deklarohet nga Belle Air. Edhe tani që flasim nuk ka asnjë bllokim të llogarive nga asnjë nga institucionet shtetërore të vendit. Por problemi i kompanisë është keqmenaxhimi, mungesa e theksuar e transparencës dhe mosplotësimi i vazhdueshëm i detyrimeve ndaj organeve shtetërore, ndonëse është në një situatë të privilegjuar në tregun e aviacionit, duke kontrolluar mbi 50 % të tij”
Në komunikatën e saj, Belle Air shpjegon mes të tjerash se “do të mbrojë” ata që kanë blerë ndërkaq biletat e saj. Si? Përmes një kompanie italiane: fluturimeve Blu Express të Blue Panorama-s por që siguron lidhjen mes Rinasit dhe vetëm shtatë destinacioneve italiane (nga tetëmbëdhjetë që kishte Belle Air). Ose duke rimbursuar paratë e biletës. “Të gjithë pasagjerët qe kanë prerë bileta nëpermjet kartës së kreditit dhe që kerkojnë rimbursimin e biletave, duhet të kontaktojnë me bankat që kanë lëshuar këto karta krediti dhe të paraqesin kërkesën së bashku me referencat e biletës. Për të vazhduar procedura të tjera rimbursimesh Ju lutemi kontaktoni në +355.42.390.390” lexohet në komunikatën e Belle Air-it.
Është e kotë të shkruajmë që këto ditë numri i telefonit del gjithnjë i zënë, e kush duhet të rimbursohet duhet të ketë vërtet shumë shumë durim e këmbëngulje.
Fluturimet me Blu Express me 60 euro më shumë
Nga 25 nëntori Blue Panorama, shoqëria italiane e fluturimeve Blu Express ka shtuar mes destinacioneve të veta edhe Rinasin. Por vetëm për dhe nga Bergamo (Orio Al Serio), Bolonja, Milano Malpensa, Roma Fiumicino, Pisa, Venecia dhe Verona. Po të shkosh në faqen e saj blu-express.com sheh seçmimet janë të mirë, apo edhe më të mira se ato të Belle Air-it kohët e fundit. Për shembull për fluturime nga Roma e Milano drejt Rinasit për këto ditë biletat janë nga 70,50 deri në 90,50 euro, por vetëm nëse udhëtohet me valixhen që merret me vete në kabinë me peshë deri në 10 kg: po të kërkohet të vihet një valixhe në stivën e avionit, bileta rritet me 20 euro të tjerë. Kujt i duhet të shkojë në Shqipëri, e të presë sot një biletë, Blu Express duket me leverdi.
Por problemi është, se për ata që kanë në xhep një biletë Belle Air, edhe këto çmime janë një haraç më shumë që paguhet.
Mbrëmjen e 25 nëntorit me një njoftim të ri në mediat shqiptare, Belle Air bën të ditur që “kompania siguron që të gjithë pasagjerët e saj do të kontaktohen për procedurat e rimbursimit ose të modifikimit të biletës me mbrojtje të ofruar nga kompana Blue Panorama Airlines. Çmimi i biletës mbrojtëse është 60 euro/segment. Për çdo informacion kontaktoni në +355.42.390.111 ose +39.06.989.56666”.
Për të pasur informacion më të saktë telefonojmë numrin e Blu Express të Romës (+39.06.989.56666) dhe pas shumë telefonatash më në fund përgjigjen: “Nëse keni një biletë Belle Air për apo nga një prej shtatë aeroporteve ku operojmë ne (Bergamo (Orio Al Serio), Bolonja, Milano Malpensa, Roma Fiumicino, Pisa, Venecia dhe Verona), për cilëndo datë mund të bëni biletën mbrojtëse duke paguar 60 euro që përfshin bagazh prej 10 kg në kabinë dhe 20 kg në stivë. – thonë për shqiptariiitalise.com – Për të bërë biletën mbrojtëse, operatorja e Blu Express këshillon të keni përpara kodin e biletës Belle Air, emrin e udhëtarit dhe kartën e kreditit”.
Përveç shpenzimit, duket relativisht e thjeshtë, të paktën për ata që kanë një biletë për e nga shtatë qytetet e lidhura me Rinasin nga Blu Panorama.
Për gjithë të tjerët shpresohet që në mbrojtje të interesit të udhëtarëve të ndërhyjnë edhe ministria e Transporteve, Autoriteti i Aviacionit Civil, Zyra e Mbrojtjes së Konsumatorit e Avokati i Popullit në mënyrë që çështja e rimbursimit të zgjidhet sa më shpejt.
Keti Biçoku