Migjeni në kujtimet e akademikut italian 93-vjeçar Emilio Benvenuto
Të shkruash për një poet të madh si Migjeni nuk është vetëm detyrë, por edhe një privilegj i madh i çdo miku të letrave. Nuk do të ishte e vështirë që ta bëje një gjë të tillë, për më tepër kur mbushen plot 100 vjet nga datëlindja. Shkrimi do t’i shtohej morisë së shkrimeve që kritikët apo letrarët shkruajnë në këto raste.
Shumë prej nesh nuk kanë pasur fatin e mirë që ta njohin nga afër Migjenin, por veprën e tij e kemi studiuar qysh në shkollën tetëvjeçare dhe që atëherë u dashuruam me vargjeve të poetit të mjerimit që me aq forcë goditi një nga plagët e thella të shoqërisë shqiptare, me poetin e rebel dhe revolucionar që të keqen e shihte si një mal që nuk bën zë, shurdh dhe memec para mjerimit, Olimpi, jo të gjitha malet janë të tillë, gjithmonë ka pasur këtë karakter, shkëputjen dhe konsiderimin e vet dhe të gjithë “perëndive të gënjeshtra” si të pavdekshme. Por pamundësinë e njohjes me poetin gjigant të mendimit të revoltës, e plotësojnë shpesh kujtimet e atyre që patën shansin e mirë që ta takojnë edhe pse për pak kohë, pasi shëndeti ia mohoi jetëgjatësinë pranë njerëzve që ai i deshi dhe i pati në qendër të vëmendjes.
Një prej tyre është akademiku Italian 93 vjeçar, Emilio Benvenuto, që e takoi për herë të parë në qytetin e Foxhës. Ja se çfarë kujton ai në ditët e para të mbërritjes dhe nuk e ndërpreva në kujtimet e para, pasi vura re se sikur po i përjetonte në memorie ato ditë të vështira, por të bukura me Migjenin tonë të pavdekshëm…
Në Foxha mbërriti me ftesë të disa miqve shqiptarë si Myrteza Shakiri, Sulejman Ana dhe Faik Bronçi, të cilët ndodheshin atje për studime pranë shkollës kombëtare. Erdhi që edhe të përfitonte, nëse ishte end enë kohë, nga mundësia që ta vizitonte një mjek Italian në njërin prej sanatoriumeve tona të kohës, midis Foxhas dhe Torinos. Unë isha i lidhur me këta tre miq shqiptarë për një kohë të gjatë, madje Bronçi qëndroi përgjithmonë në Itali, deri sa ndërroi jetë disa vite më parë. E bija e tij Fatima është figurë politike në Foxha. Unë isha si ndërmjetës pranë drejtorit të sanatoriumit, me qëllim që të realizonim bashkërisht vizitën mjekësore për Migjenin. Rezultati i vizitës nuk ishte i favorshëm, ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, kishte nevojë që të shtroheshe në spital për kura urgjente dhe për një periudhë të gjatë kohe shërimi në Foxha. U kthye në Torino dhe ai kthim rezultoi fatal për të.
Çfarë kujtimesh keni?
Ishte një njeri i dashur, i gjallë edhe pse shpesh shfaqte një lloj keqardhje nostalgjike për Shqipërinë. Pas njohjes përfituam nga rasti që të shoqëroja në Kasalvecchio në Pulja, në Kieuti, pasi mori vesh se aty kishte dy komunitete arbëreshësh. Një kujtim që më dukej se pas udhëtimit të tij të gjatë, ndihej i lodhur, gjendja e tij ishte përkeqësuar, por dukej shumë i qetë.
Përse flisnit në diskutimet tuaja të përditshme?
Që të dy kishim një interes të veçantë për letërsinë, ai për Leopardin, unë për Karduçin, Paskolin, D’Anuncion. Ruaj kujtime të mira edhe në bisedat që bënim, për veprimtarinë e tij poetike, por e mora vesh vonë se në Shqipëri ishte poet i famshëm. Vizita në Shqipëri më lejoi të siguroja disa libra të tij (sigurisht librat qenë botuar), dhe munda të admiroja kështu një poet, që për fatin tim të mirë e kisha njohur në Itali, por për fatin e keq nuk e dija kaq të madh. Ishte një befasi tepër e këndshme për mua.
Po me miqtë e tjerë si shkonin marrëdhëniet?
Marrëdhënie miqsh, shumë të mira. Në prani të të tjerëve nuk hapnim kurrë biseda, duhet të kuptoni se tek ne ishte në fuqi fashizmi, sepse ndruheshim se mos na përgjonin dhe së bashku shmangnim çdo diskutim. Ai kontrollohej nga policia fashiste se çfarë bënte në Itali. Miqtë e tij shqiptarë ishin antizogistë, por simpatizonin fashizmin, ndërsa vetë Migjeni ishte antifashist. Unë këtë e dija, por i shmangnim bisedat mbi politikën në prani të njerëzve të tjerë.
Cila ishte kultura e Migjenit?
Kishte një kulturë të madhe: i njihte klasikët latinë dhe grekë shumë mirë. Kishim ide të njëjta për Ovidin si një poet i madh dhe ishte i joshur nga Tristia dhe Epistole.
A shëtisnit shpesh nëpër Foxha?
Sigurisht që i pëlqenim shëtitjet nëpër rrugën kryesore të qytetit, tek Vila e Bashkisë. Më habiste se e fliste shumë mirë gjuhën italiane, por me pak theks piemontez dhe të gjithë e konsideronin si një francez.
Çfarë interesash artistike kishte Migjeni?
I pëlqente arti romak puljez, poeti Ugo Foskolo. Ne takoheshim pothuaj përditë gjatë qëndrimit të tij në Foxha dhe kishim mundësi të flisnim për të mëdhenjtë e letërsisë italiane, por edhe botërore.
Po për miqtë e tij shqiptarë në Foxha, çfarë simbolizonte Migjeni?
Miqtë e konsideronin poet të madh dhe e shfaqnin hapur respektin dhe simpatinë për të, por nuk binin dakord për politikën. Arsyetonin rreth këtyre gjërave, por e respektonin njëri-tjetrin për diversitetet e bindjeve të tyre. Familjet e miqve të tij ishin mes më të rëndësishmeve shqiptare të asaj kohe, që e vlerësonin arsimimin në një vend të huaj, prandaj ndodheshin aty.
Po kur morët vesh lajmin e vdekjes, si reaguat?
Lajmi na trishtoi shumë dhe na erdhi shumë keq. Askush nuk mundi të merrte pjesë në funeralin e tij, për më tepër se lajmi na mbërriti shumë vonë. Ishte Bronçi i pari që mësoi lajmin e hidhur.
Migjeni ishte poet revolucionar…
I lexova veprat e tij dhe jam dakord se ishte një poet i mirë, por idetë dhe ideologjia e tij revolucinare, çuditërisht, janë në kundërshtim me karakterin tij të butë. I largohej çdo forme të dhunës, gjakut. Patëm mundësinë të shkëmbenim edhe ndonjë mendim për Kanunin, por ai nuk e honepste hakmarrjen që kalonte në gjak. Nuk ishte ekstrovers, por i heshtur dhe nuk shfaqte para nesh asnjë shenjë ankimi edhe pse i sëmurë.
Po përse e ndiqte policia?
E thashë edhe më parë se e kontrollonte, por nuk e persekutonte. Ndoshta do të kishte qenë më mirë e dyta, sepse edhe mund të kishte përfituar prej shumë “privilegjeve” që fashizmi u siguronte kundërshtarëve.
Çfarë ju binte në sy gjatë takimeve?
Vura re se e donte jetën dhe kjo dukej qartë edhe tek bisedat tona, edhe për femrën si moment frymëzimi dhe adhurimi, ai e shfaqte pa mëdyshje adhurimin e tij ndaj tyre.
Migjeni kishte një motër…a mund të ketë ndikuar ky fakt?
Ndoshta, por nuk pata kohë që ta njihja këtë anë të tij, sepse iu desh të nisej për në Torino.
Patët letërkëmbime më vonë?
Jo, sepse, mesa mora vesh, në Torino gjendja e tij rëndohej dhe këtë e konfirmonte mjeku që e vizitoi në Foxha, Cesare Terracciano, një kushëriri ynë, duke na e paralajmëruar me dhimbje vdekjen e tij të afërt.
Kur vizituat Shqipërinë, a shkuat në shtëpinë e tij?
Jo dhe më vjen shumë keq. Në Shkodër nuk shkova, pasi vetëm sa kaluam dhe nuk u ndalëm gjatë. Nuk takova ndonjëherë as të afërmit e tij.
A ka shkruar poezi në Itali?
Nuk e di nëse ka shkruar, por të do kishte qenë një nder i madh po ta kishim marrë vesh që aty.
Ishte besimtar Migjeni?
Nuk e kuptova kurrë fenë e tij. Më foli një herë për bektashinjtë, por as nuk e dija se ekzistonin, ndoshta ndruhej që të fliste, ishin kohë të vështira dhe nuk kishte marrëdhënie të mira as mes katolikëve dhe fashistëve edhe tek ne.
Kjo sepse artistët janë mjeshtër të vërtetë super partes?
Edhe kjo mund të jetë e vërtetë, por nuk më shkoi kurrë në mendje. Ai ishte shumë i kujdesshëm, i matur, i rezervuar. Italia ishte strehë për të, sepse ishte një lloj mbrojtjeje për bindjet e tij antizogiste.
Bisedoi Arjan Th. Kallço
Lexo edhe: Migjeni përballë shqiptarëve