Në mbledhjen e Këshillit të ministrave në Vlorë, Berisha thotë se Kombi është një dhe çdo shqiptar, pavarësisht vendit ku jeton, e meriton shtetësinë shqiptare, pavarësisht se ku jeton.
Tiranë, 4 dhjetor 2012 – “Tani, sërish, shqiptarët të ndarë, por me besim të madh në projektin europian. Nga ky vend, nga kjo mbledhje, në këtë datë, unë dua të informoj shqiptarët se kjo qeveri do të ndërmarrë ligjin e shtetësisë shqiptare për ta, kudo që jetojnë. Ky është një moment shumë i rëndësishëm. Kjo nuk i pengon ata të mbajnë çfarëdo shtetësie që duan, por ai që dëshiron të marrë shtetësinë shqiptare, do ta marrë. Ky ligj do të jetë nisma e kësaj qeverie për 100 vjetorin. Ministria e Brendshme duhet të marrë të gjitha masat, nëpërmjet konsullatave dhe zyrave, t’i krijoi atyre mundësinë e aplikimit”. Kështu është shprehur kryeministri Sali Berisha, gjatë mbledhjes së Qeverisë së mbajtur në Vlorë.
“Vendimi më kryesor që merret është dorëzimi me përparësi në parlamentin shqiptar i ligjit, i cili përcakton njohjen pa kushte të shtetësisë shqiptare, çdo shqiptari që aplikon për të, kudo që ndodhet. Ky është mesazhi i 100 vjetorit. Ne nuk po bëjmë asgjë, por vetëm po u kthejmë atyre një të drejtë, për të cilën kanë luftuar 100 vjet dhe u është mohuar 100 vjet. Në kuadër të këtij procesi, të bashkimit njëri me tjetrin, të bashkimit me Europën, nuk mundet që midis shqiptarëve, në statusin aktual, të ekzistojnë standarde më të vjetra, se ato që ekzistojnë midis vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Ndaj duhet të bëjmë gjithçka që të ulim këto mure. … Ne jemi të detyruar të marrim të gjitha masat që shqiptarët të ndjehen një. Natyrisht, me dy administrata” ka theksuar Berisha.