in

Berisha: “Shqipëria duhet të bëhet superfuqi energjitike e vogël por e fuqishme”

E thekson Kryeministri Berisha në konferencën e përbashkët për shtyp me kryetaren e bashkisë së Milanos, Letizia Moratti

Romë 18 dhjetor 2011 – Kryeministri Berisha theksoi sot pasdite, në një konferencë të përbashkët shtypi me kryebashkiaken e Milanos, Letizia Moratti, se “vendi duhet të bëhet një superfuqi energjetike e vogël, por e fuqishme në rajon”.

Në vijim të takimeve të zhvilluara në Milano, Kryeministri Berisha dhe kryetarja e Bashkisë së Milanos, Moratti, dhanë një konferencë të përbashkët për  shtyp, e cila i parapriu hapjes së ekspozitës kushtuar Nënë Terezës, iniciativë e Fondacionit “Nënë Tereza”, me mbështetjen e Bashkisë së Milanos.

Duke falënderuar kryetaren e Bashkisë për pritjen e rezervuar, Kryeministri Berisha në fjalën e tij bëri një panoramë të mundësive të shumta që ofron Shqipëria në fushën e energjetikës, turizmit, etj.

“Erdhëm këtu për të prezantuar përpara investitorëve milanezë dhe lombardë, të cilët janë ndër më të fuqishmit në Evropë dhe në botë, potencialet e vendit tim, të një vendi të vogël në hartë, por shumë të madh në potencialet e tij në fushën energjetike, turistike, minerare dhe mbi të gjitha në burimet njerëzore, me një treg pune të shkëlqyer, tregun më të mirë të punës në Evropë, një treg pune i ri, dinamik, më i lirë se në vende të tjera dhe i mirë edukuar”, tha Kryeministri Berisha.

Berisha numëroi reformat që sipas tij po ndryshojnë vendin. “Në këtë kuptim, ekonomia shqiptare vitin e kaluar dhe këtë vit do të ketë rritjen më të madhe në Evropë. Është një ekonomi e bazuar në principet e duhura. Ne jemi një vend me nivelin më të ulët të taksave në Evropë. Jemi një vend që po bën investimet më të mëdha në infrastrukturë. Në dy vite, Shqipëria ka investuar 20% të PBB të vendit të saj. Dhe investimet janë shumë të rëndësishme për ekonominë, ndryshojnë mjedisin dhe krijojnë kushte më të mira për investitorët”.

Kryeministri Berisha foli edhe për rezervat e mëdha hidrike deri edhe duke krahasuar lumenjtë e vegjël shqiptarë me Danubin; foli për 440 hidrocentralë që do të ndërtohen mbi ta; pohoi se ka platforma ere në gjithë vendin. Madje si të mos mjaftonin këto, “forma të tjera energjie jemi duke studiuar, atë gjeotermike dhe jemi të hapur edhe për nuklearen”, tha Berisha. Në këtë kontekst ai u shpreh se “Shqipëria duhet të bëhet një superfuqi energjetike e vogël por e fuqishme në rajon”. Aq më tepër që kemi kujt t’ia shesim sepse “Shqipëria ka fatin e madh të ketë përballë Italinë, e cila është një prej konsumatorëve më të mëdhenj të energjisë në Evropë dhe në botë”.

Por, sipas tij,  me interes janë dhe fusha të tjera si turizmi, mineralet, prodhimi. Ai bëri të ditur se shumë firma italiane janë në Shqipëri dhe eksportojnë nga Shqipëria. Kryeministri përmendi SanPaolo si “sukses i madh në Shqipëri”. Po kështu kompanitë e ndërtimit dhe shumë të tjera.

“Flamujt e kompanive italiane janë kudo”, u shpreh me kënaqësi Berisha, duke përsëritur ftesën për të gjithë investitorët milanezë dhe lombardë që të konsiderojnë seriozisht projektet e tyre për të ardhur në Shqipëri.

Së fundi kryeministri Berisha falenderoi kryebashkiaken Moratti për lehtësitë e krijuara për hapjen e ekspozitës kushtuar Nënë Terezës.

Kryetarja e Bashkisë së Milanos Letizia Moratti, pasi falenderoi Kryeministrin Berisha që pranoi ftesën për të marrë pjesë në këtë forum të rëndësishëm ekonomik, tha se Italia është partneri kryesor tregtar i Shqipërisë dhe, gjithashtu, investitori kryesor i drejtpërdrejtë. “Ky forum ekonomik, tha ajo, ka synimin e rëndësishëm për të përforcuar këtë bashkëpunim”.

“Ndërvarësia e ekonomive të dy vendeve, sipas kryebashkiakes, dëshmohet nga 300 ndërmarrjet me pjesëmarrje italiane që veprojnë në Shqipëri”.  Dhe ky bashkëpunim ekonomik përforcohet nga përhapja e gjuhës italiane mes shqiptarëve, nga numri i madh i shqiptarëve të pranishëm në Itali që “përbëjnë një nga komunitetet më të shumtë në numër dhe më mirë të integruar në jetën prania madhe e studentëve shqiptarë në shkollat e universitetet italiane ndihmon për marrëdhëniet kulturore mes Shqipërisë dhe Italisë”.

Parma i jep çmimin Sant’Ilario Gentian Alimadhit

Kthehet në Shqipëri pasi vuan më kot 92 ditë burg