in

Berlusconi premton dorëheqjen

Vetëm pas miratimit të masave ekonomike të kërkuara nga Europa

Lajmi i të martës është: Kryeministri Silvio Berlusconi do të japë dorëheqjen. Por  vetëm pas miratimit nga Parlamenti të ligjit të stabilitetit që duhet të përmbajë masat buxhetore dhe reformat ekonomike të premtuara Bashkimit Evropian. Kështu njoftoi në darkë, rreth orës 20 Presidenca e Republikës italiane, pas 45  minutave bisedë mes kryeministrit e presidentit.

Lajmi mbërriti pas një dite të gjatë e të zezë për Silvio Berlusconin.  Kryeministri siguroi të martën pasdite në Dhomën e Deputetëve, në sajë të abstenimit të opozitës, miratimin e bilancit të vitit të shkuar. Por vetëm me 308 vota, 8 më pak se mazhoranca absolute, gjë që do të thotë se nuk gëzon shumicën e votave të parlamentit siç shpresoi deri në fund. 

“Qeveria nuk disponon më mazhorancën në këtë sallë. Berlusconi duhet të japë dorëheqjen”, theksoi menjëherë pas votimit Pier Luigi Bersani, sekretari i PD-së, partisë kryesore të opozitës.
Ndërsa Bersani flet, Berlusconi mban shënime mbi një fletë që nuk i shpëton aparatit fotografik të ANSA-s: “308 vota – 8 tradhtarë – përmbysje – zgjedhje – e pranoj (jep dorëheqjen) – presidenti i Republikës – një zgjidhje”. Brenda një kohe të shkurtër fleta e Berlusconit shëtit nga siti në sit, nga një social network në tjetrin e shumë shpejt bëhet subjekt parodie (në një variant të letrës dikush shton nën rreshtin me fjalët “një zgjidhje” fjalët “MËRGIMI – të telefonoj Lavitolan – për të përgatitur vilën në Antigua”.

Pas votimit në Dhomën e Deputetëve, pasi “pa në sy ata që e tradhtuan”, siç thoshte deri dje, Berlusconi u ngjit në Quirinale, selinë e Presidentit, për një bisedë me të. Pas bisedës vendimi për dhënien e dorëheqjes pas miratimit të ligjit të stabilitetit. “Kryetari i këshillit të ministrave – thuhet në komunikatën e Presidencës – i ka shprehur kreut të shtetit se është i vetëdijshëm për komplikimet e rezultatit të votës së sotme në parlament; në të njëjtën kohë, ai ka shprehur shqetësimin e madh për nevojën urgjente për t’u dhënë përgjigje të përpikta partnerëve europianë me aprovimin e Ligjit të Stabilitetit. (…)”

“Me të përmbushur këtë detyrë, kreu i qeverisë do të dorëzojë mandatin e tij Presidentit, –  vazhdon komunikata e Quirinales – i cili do të nisë më pas me bisedimet e zakonshme duke i dhënë vëmendjen maksimale pozitave dhe propozimeve të çdo force politike, atyre të mazhorancës së dalë nga zgjedhjet e vitit 2008 dhe atyre të opozitës”. Kjo është praktika e zakonshme që ndiqet në raste të tilla, kur Presidenti, para se të shpërndajë dhomat e parlamentit verifikon nëse është i mundur krijimi i një qeverie të re apo nëse duhet shkuar drejtpërdrejt në zgjedhje të parakohshme. 

Saidou Gadiaga. Ja si vdiq nga astma në kazermën e karabinirëve (Video)

Për xhelozi, qëllon me sqepar të shoqen dhe të moshuarin për të cilin ajo kujdesej