in

Blerja e shtëpisë së parë. A ka ndonjë zbritje nga taksat?

Punoj prej vitesh në Itali e do të doja të blija një shtëpi në komunën ku jetoj. Më kanë thënë se duhet të paguaj taksa, por kam dëgjuar se ka disa lehtësira fiskale për shtëpinë e parë. A kam vërtet zbritje nga taksat?

 

Është e vërtetë, kur blihet e ashtuquajtura “shtëpi e parë” mund të përfitohet nga një regjim fiskal i lehtësuar, pra të paguhen tatime në një masë më të ulët nga ato që paguhen zakonisht.

Nuk specifikon nëse po blen një shtëpi nga një privat apo nga një ndërmarrje ndërtimi.

Në rastin e blerjes së shtëpisë nga një privat nuk duhet paguar IVA dhe lehtësimi fiskal konsiston në mundësinë e pagimit të tatimit të regjistrimit në masën e reduktuar 3% dhe jo në masën 7%. Tatimi që duhet të paguash llogaritet mbi vlerën kadastrale të pasurisë së patundshme, apo e thënë ndryshe vlera që rezulton nga shumëzimi i rentës kadastrale me koeficientin ligjor prej 115,5.

Veç kësaj, tatimi i hipotekës dhe ai i kadastrës janë një shumë fikse prej 168 euro secili dhe jo përkatësisht 2% dhe 1% si zakonisht.

Ndërsa po të blesh shtëpinë nga një ndërmarrje ndërtimi, brenda katër vjetëve nga përfundimi i punimeve, duhet të paguash IVA 4%, natyrisht përveç tatimit të regjistrimit, të hipotekës dhe të kadastrës, secilin në masën fikse prej 168 euro.

Nëse blen nga një ndërmarrje jo ndërtimi, apo edhe nga ndërmarrja e ndërtimit pasi kanë kaluar katër vjet nga përfundimi i punimeve, paguan vetëm tatimin e regjistrimit në masën 3%, plus tatimin e hipotekës dhe të kadastrës në masën fikse prej 168 euro secilin.

Për të përfituar këto lehtësime fiskale duhet të verifikosh që banesa nuk ka karakteristikat e një ndërtese luksoze dhe se ajo gjendet në komunën ku ke rezidencën apo ku angazhohesh ta marrësh brenda 18 muajve nga blerja e shtëpisë.

Në aktin e shitblerjes duhet të deklarosh se je rezident në komunën ku po blen pasurinë e patundshme ose të angazhohesh se do të marrësh rezidencën në atë komunë brenda 18 muajve, të deklarosh se nuk ke pronësinë, përdorimin gjatë gjithë jetës tënde (usufrutto), të një shtëpie tjetër në territorin e Komunës ku gjendet shtëpia që po blen, dhe që nuk gëzon në Itali të drejta prone, përdorimi, përdorimi të përjetshëm, pronësie të ardhshme pas vdekjes së pronarit të tanishëm (nuda proprietà), mbi një tjetër shtëpi të blerë me të njëjtat lehtësime fiskale.

Duhet të mbash parasysh se këto të mira fiskale i humbet nëse deklarimet e bëra në aktin e blerjes rezultojnë të rreme; dhe nëse shet apo dhuron banesën brenda pesë vjetëve të parë nga data e blerjes, me përjashtim të rastit kur brenda vitit blen një tjetër për ta pasur si banesë kryesore.

Natyrisht sa më sipër janë të vlefshme vetëm për rastin e blerjes së shtëpisë së parë. Përndryshe, Iva nuk është më 4% por 10%, tatimi i regjistrimit 7%, tatimi i hipotekës 2% dhe tatimi i kadastrës 1%.

Avv. Mariangela Lioy

 

PDIU: “Shumë shpejt Shqipëria do të ketë Komitetin kombëtar për diasporën”

Freedom House: Përkeqësohet liria e shtypit në Shqipëri