Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi: “Emigrantët shqiptarë kudo që ndodhen do të ndjejnë mbështetjen që shteti shqiptar e ka detyrim kushtetues t’u japë”
Tiranë, 30 prill 2012 – Kryetari i PDIU-së, Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, në një intervistë dhënë për gazetën Mapo mbi marrëdhëniet me aleatin e madh PD, mes të tjerash ka prekur edhe çështjen e “institucionalizimit të marrëdhënies së shtetit shqiptar me emigracionin dhe diasporën”.
Sipas Idrizit, “shumë shpejt, emigrantët shqiptarë kudo që ndodhen do të ndjejnë mbështetjen që shteti shqiptar e ka detyrim kushtetues t’u japë, nëpërmjet një institucioni kaq të rëndësishëm siç është Komiteti Kombëtar i Diasporës. Ky komitet do të jetë një institucion koordinues që do të përpilojë politikat për emigracionin dhe diasporën e hershme, por edhe që do të jetë në ballë të një reforme jetësore për kombin tonë: rishikimin e marrëdhënies së shtetit me emigrantët dhe diasporën”.
Në qendër të veprimtarisë së këtij institucioni do të jetë “arsimimi, ruajtja e kulturës, identitetit kombëtar dhe zgjidhja e problemeve të përditshmërisë së emigrantëve dhe të diasporës së hershme (arbëreshëve të Italisë dhe Greqisë, shqiptarëve të Turqisë, Bullgarisë, Rumanisë, Ukrainës, Shteteve të Bashkuara dhe Australisë)” sqaron kryetari i PDIU-së.
A do të mund të arrihet vërtet shpejt ngritja e këtij institucioni? Idrizi nuk jep një afat kohor por është i bindur t’ia arrijë pasi “meritat dhe përgjegjësitë për arritjet apo mosarritjet në këtë fushë do t’i përkasin PDIU-së dhe ne do të dalim përpara qytetarëve shqiptarë me një vepër konkrete, shumë larg retorikës boshe politike që përdoret rëndomtë në mikro-politikën e partive shqiptare”.