in

Bllokohen fluturimet e Albanian Airlines-it

Me një letër të hapur drejtuar mediave kompania e fluturimeve Albanian Airlines njofton se Autoriteti i Aviacionit Civil i ka pezulluar fluturimet. Sipas kompanisë, padrejtësisht dhe duke favorizuar konkurrencën, Belle Air.

Dje, Autoriteti i Aviacionit Civil u hoqi të drejtën e operimit  4 avionëve, të kompanive “Albanian Airlines” dhe “Belle Air”, pasi nuk plotësonin kriteret e detyruara të Komisionit Europian. Lajmin e ka bërë të ditur, Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, gjatë seancës plenare të Kuvendit.

Letra e hapur që Albanian Airlines u ka dërguar mediave:

Të nderuar partnerë të medias

Arsyeja që ju shkruajmë sot ka të bëjë me një veprim të padrejtë që ka ndodhur sot ndaj kompanisë Albanian Airlines me një vendim pa paralajmërim të lëshuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Republikës së Shqipërisë. Vendim, i cili revokon certifikatën e operimit ajror (AOC-Al 065). Kjo nënkupton bllokimin e operimit të kompanisë në një mënyrë të padrejtë, duke sjellë si pasojë anulimin e fluturimeve.

Heqja e kësaj certifikate bie në kundërshtim me vendimin e marrë nga kjo drejtori katër muaj më parë, në 25 korrik 2011, ku pas prezencës së vazhdueshme të auditit nga Autoritetet Kombëtare të Aviacionit Civil Shqiptar si dhe Auditorëve Ndërkombëtarë të Nënkontraktuar nga ky autoritet, kompania Albanian Airlines kaloi me sukses këtë kontroll dhe rinovoi certifikatën e operimit ajror për 15 muaj, afat maksimal i mundshëm. Kjo tregon që  Albanian Airlines ka qenë gjithmonë konform rregullave të Bashkimit Europian dhe në kooperim të mirë me Auditet dhe Autoritetet Shqiptare dhe të Huaja, çka është faktori më i rëndësishëm në sigurinë dhe besueshmërinë e operimeve.

Veç këtij vendimi abuziv, Aviacioni Civil na ka “këshilluar” që të mbrojmë pasagjerët tek kompania konkurrente “Belle Air”. Kjo është një shprehje e qartë e interesave klienteliste dhe konkurrencës së padrejtë. Forma dhe përmbajtja e kësaj letre është abuzive dhe sjell pasoja të pariparueshme të karakterit ekonomik dhe social, duke qenë kështu dhe një antireklamë e pamënjanueshme për kompaninë tonë. Kjo tregohet edhe me faktin që lajmi për revokimin e certifikatës së Operimit Ajror u publikua në media, para sesa të mbërrinte në zyrat e kompanisë sonë.

Shoqëria do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore të mundshme për të mbrojtur veten nga ky veprim i padrejtë, dhe në të njëjtën kohë siguron pasagjerët tanë që pavarësisht kësaj tentative për ta dëmtuar kompaninë Albanian Airlines, ne do të jemi këtu për t-u shërbyer atyre ashtu si u kemi shërbyer gjithmonë.

Kompania dhe stafi i saj do të vazhdojë punën për të zgjidhur këtë situatë.

 

Vdes bigami shqiptar, secila nga dy gratë kërkon trashëgiminë

Aviacioni civil: “Siguria ajrore dhe interesi i pasagjerëve mbi të gjitha”