in

Blue Panorama: Në 50 ditë, 70 mijë udhëtarë në fluturimet Itali-Shqipëri

Mëse pozitiv, bilanci i parë i kompanisë italiane e cila nga fundi i nëntorit lidh 7 aeroporte italiane me Rinasin me fluturimet e saj Blu Express

Romë, 15 janar 2014 – “Në 50 ditë kemi transportuar 70 mijë udhëtarë në linjat që lidhin shtatë aeroporte italiane me Tiranën”. Është bilanci i parë që bën Blue Panorama për destinacionin e ri të saj, Rinasin, ku shkojnë avionët e saj që ngrihen nga shtatë aeroporte italiane: Milano Malpensa, Bergamo Orio al Serio, Venezia, Verona, Bologna, Pisa dhe Roma Fiumicino. Në një komunikatë të nxjerrë sot, Blue Panorama tregon me krenari se udhëtimet e saj kanë respektuar orarin në më shumë se 90% të rasteve dhe se mbushja mesatare e avionëve ka qenë në masën 82%.

Me falimentimin e Belle Air-it në fund të nëntorit, Blue Panorama ishte e para që “trashëgoi” udhëtarët e lënë në tokë nga kompania shqiptare (kundrejt një çmimi “të favorshëm”) e që menjëherë nisi fluturimet drejt Rinasit.

Pas saj nisën fluturime drejt Shqipëririsë, apo shtuan ato ekzistueset edhe kompani të tjera si Alitalia, Air One dhe Small Planet Air.

Ndërkaq në Shqipëri ka lindur në dhjetorin e shkuar një kompani e re, FlyAlbania, pjesë e grupit të transportit ajror Kosova Airlines, Eurokoha Reisen. Në bashkëpunim me partnerin italian, Livingston Air, ajo lidh Rinasin me Bolonjën, Milano Malpensa-n dhe Veronën.

K.B. Shqiptari i Italisë

(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Ambasadori grek: Integrimi i Shqipërisë në BE një proces i pakthyeshëm

Permesso di soggiorno. Posso rinnovarlo con un contratto di lavoro a chiamata?