in

Ambasadori grek: Integrimi i Shqipërisë në BE një proces i pakthyeshëm

Në një konferencë për shtyp ambasadori i Greqisë në Shqipëri, Leonidas Rokanas, dhe ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, kanë parashtruar prioritetet e presidencës greke të BE-së

Tiranë, 15 janar 2014 – “Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë një të ardhme të përbashkët, që është integrimi i pakthyeshëm europian. Shqipëria do ta marrë statusin e kandidatit në muajin qershor dhe BE mbështet hapat e marra nga qeveria shqiptare”. Kështu ka deklaruar ambasadori i Greqisë në Shqipëri, Leonidas Rokanas në një konferencë shtypi në Tiranë, gjatë së cilës së bashku me ambasadorin e BE-së, Ettore Sequi, ka parashtruar shtyllat kryesore të presidencës greke të BE-së që ka nisur më 1 janar dhe përfundon në fund të qershorit të këtij viti.

Duke nënvizuar se Europa dhe Greqia po dalin nga kriza e ekonomike, ambasadori Rokanas theksoi se presidenca greke e BE-së do të ketë prioritet rikthimin e shpresës dhe rritjen ekonomike jo vetëm të eurozonës por të të gjithë komunitetit ku përfshihen si vendet kandidate por edhe ato aspirante. Ambasadori Rokanas, deklaroi më tej se presidencat greke të Bashkimit Europian kanë pasur si lejtmotiv zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e vendeve të reja. Ai iu referua samitit të Selanikut, i cili u mbodh në vitin 2003 dhe vendosi zgjerimin e BE-së me vendet që gjatë Luftës së Ftohtë ishin rreshtuar në bllokun komunist.

Në lidhje me bllokimin e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë në muajin dhjetor dhe deklaratat se në këtë vendim kanë ndikuar ekstremizmat në BE, diplomati grek theksoi nuk ishin forcat ekstremiste të cilat ndikuan në refuzimin e dhënies së statusit, por ishin euroskepticistët “Nuk mund të flas në mënyrë zyrtare, por presidenca greke dhe shumë udhëheqës kanë thënë se ekziston ajo qe ne e quajmë euroskepticizëm, nuk do të thoja ekstremizëm, nuk do të thoja ultra-nacionalistë, janë element përkufizues të Bashkimit Evropian dhe natyrisht për këtë do të ketë një debat shumë të thellë e serioz sidomos në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian. Le të mos vemi theksin vetëm tek ekstremizmi por euroskepticizmi. Ky element nuk ka luajtur një rol përkufizues në vendimin e Këshillit në muajin dhjetor. Jo, statusi nuk u refuzua, u tha që ne na duhet një historik më i gjerë. Jo vetëm raporti i Komisionit, por dokumenti i strategjisë është  shumë pozitive për Shqipërinë”.

Ndërkaq, ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, shkoi edhe më tej në këtë drejtim kur deklaroi se “Këshilli mezi pret që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat, por vendimi i takon Këshillit i cili sipas parashikimeve do të vendosë për këtë çështje në muajin qershor.

Ambasadori grek, nga ana e tij duke shprehur qëndrimin e presidencës greke, theksoi se vendi i tij do të ndihmojë edhe më tej që Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit si Kosova dhe Maqedonia të bëhen pjesë e Bashkimit Europian.”Të gjithë vendet e BE-së kanë bërë të ditur vullnetin e tyre të pakthyeshëm për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Nevojitet të shkohet përpara me reformat, që do të bëjnë vendin tuaj më të zhvilluar dhe më të evropianizuar”, tha ambasadori Rokanas.

I pyetur nëse do të marrë zgjidhje cështja e ujërave mes Shqipërisë dhe Greqisë gjatë presidencës greke, Rokanas tha se kjo cështje nuk ka lidhje me Bashkimin Europian por është një marrëdhënie dypalëshe, sikundër shumë cështje të tjera. “Nuk dua të bëj koment për këtë cështje, po flasim për BE-në. Por dua të bëj një koment për Bashkimin Europian: cështjet që kanë mbetur do të zgjidhen në frymën e bashkëpunimit dhe miqësisë së mirë”, u shpreh diplomati grek. Ndërsa, Ambasadori i BE-së Ettore Sequi deklaroi se pakti detar mes Shqipërisë dhe Greqisë nuk është kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Diplomati grek deklaroi se prioritetet e presidencës greke janë përfshirja sa më e gjerë e qytetarëve të vendeve të BE-së në vendimet e BE-së, ndërtimi i një arkitekture të re ekonomike, përballja shumëpërmasore e çështjes së emigracionit klandestin, nisma për zhvillimin e një politike të re detare, nisma Adriatiko-Joniane etj.

Greqia ka marrë 5 herë presidencën e radhës së Bashkimit Europian dhe në dy nga këto radhë, ajo ka udhëhequr zgjerimin e BE-së. Në samitin e Selanikut në vitin 2003 u vendos në mënyrë përfundimtare që Ballkani Perëndimor do të ketë prespektivën europiane duke e bërë të pakthyeshëm këtë proces. (Sipas ATSh-së)

(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

La leggerezza dell’essere razzista

Blue Panorama: Në 50 ditë, 70 mijë udhëtarë në fluturimet Itali-Shqipëri