Shkaku, një defekt i kaldajës
Romë, 28 janar 2014 – Një shqiptare 27 vjeçe bashkë me fëmijët e saj të vegjël, njëri 1 vjeç e tjetri 3, kanë përfunduar në spital të helmuar me oksid karboni. Ka ndodhur pasditen e të hënës në Bazzano të provincës së Bolonjës, në një apartament në rrugën Gandolfi ku jeton familja shqiptare, në një çast kur burri nuk ndodhej në shtëpi.
Për fat të mirë ka qenë një fqinjë që ka kuptuar menjëherë se ç’po ndodhte e ka dhënë alarmin. Gruaja e fëmijët janë çuar menjëherë në spitalin Maggiore të Bolonjës. Qeë të tre kishin simptomat e helmimit por asnjëri prej tyre nuk është në gjendje të rëndë.
Sipas karabinierëve e zjarrfikësve që kanë kontrolluar banesën, shkaku i përhapjes së gazit helmues ka qenë një defekt i kaldajës.
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)