INPS urdhëron selitë e saj të hedhin poshtë kërkesat e prindërve që kanë leje të thjeshtë qëndrimi. “Është ky mendimi i Ministrisë së Punës”. Çështja do të përfundojë në gjykatë
Romë, 18mars 2016 – Fëmijët nuk janë të gjithë njësoj. Kur janë bij imigrantësh, nuk kanë të gjithë të drejtë për bonusin bebe.
Bonusi është një ndihmë për familjet që sapo janë bërë me fëmijë. Ato me Isee nën 25 mijë euro mund të kenë 80 euro në muaj për tre vjetët e parë të fëmijës, por nëse Isee nuk kalon 7 mijë euro, çeku dyfishohet: 160 euro në muaj.
Ligji thotë që u takon prindërve italianë dhe komunitarë. Qytetarët jokomunitarë që jetojnë në Itali mund ta marrin vetëm nëse janë mbajtës të lejeqëndrimit BE për qëndrues afatgjatë (dokumenti që vazhdojmë të quajmë kartë qëndrimi) ose nëse kanë statusin e refugjatëve politikë apo mbrojtje plotësuese. Ky kufizim ishte kundërshtuar menjëherë nga ekspertët e të drejtës së imigracionit, bazuar në normat evropiane. Direktiva 2011/98/BE ua shtrin këtë lloj asistence të gjithë të huajve që kanë një lejeqëndrim të vlefshëm për punë.
Shumë nëna e baballarë të rinj të huaj, mbajtës të një lejeqëndrimi të thjeshtë për punë apo për motive familjare, po e kërkonin sidoqoftë bonusin, edhe me ndihmën e patronateve. Sistemi online i INPS-it, u ka lejuar deri më sot të paraqesnin kërkesat edhe atyre që nuk kishin kartë qëndrimi e ky dukej një sinjal i mirë.
Por tani mbërrin dushi i ftohtë. INPS, edhe i bazuar në gjykimin e ministrisë së Punës, ka konfirmuar që të gjitha ato kërkesa do të hidhen poshtë.
“Duhen pranuar kërkesat për çekun të paraqitura nga shtetasit italianë, komunitarë ose jokomunitarë me lejeqëndrim BE për qëndrues afatgjatë. Në të kundërt, do të hidhen poshtë të gjitha kërkesat e paraqitura nga shtetas jokomunitarë që zotërojnë dokument qëndrimi të ndryshëm nga lejeqëndrimi BE, ose që nuk përmbushin kritere të tjera të parashikuara nga ligji” thotë mesazhi që INPS u ka dërguar të gjitha selive në territor më 10 mars.
Për kërkesat tashmë të paraqitura e të mbetura pezull, selitë INPS do të verifikojnë nëse prindi tjetër (kërkesa mund të paraqitet nga nëna apo babai) i përmbush kriteret. Nëse i përmbush, do të pranojnë kërkesën, në të kundërt, do ta hidhin poshtë. Këtej e tutje, sidoqoftë, “Strukturat territoriale duhet të vazhdojnë të refuzojnë menjëherë kërkesat në mungesë të lejeqëndrimit të duhur”.
Merr fund këtu? Jo. Po të mbahet parasysh çfarë thonë normat evropiane, është mëse e mundur që çështja të përfundojë në gjykatë. Duhet të jetë gjykatësi ai që do të përcaktojë nëse për bonusin bebe fëmijët nuk janë të gjithë njësoj.
Elvio Pasca
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter