in

Bonus kultura 500 €. Dhoma e deputetëve konfirmon përjashtimin e bijve të imigrantëve

Nuk modifikohet ligji i Stabilitetit, dhurata e qeverisë mbetet vetëm për 18vjeçarët italianë e komunitarë. Boccia (PD): “Mungoi guximi, por qeveria është gati ta korrigjojë”

Romë, 21 dhjetor 2015 – Ligji i Stabilitetit 2016 përjashton bijtë e imigrantëve nga Karta e kulturës, 500 euro për të blerë libra, për të shkuar në kinema, teatër, për të vizituar një muze e shpenzime të tjera në kulturë që shteti do t’u dhurojë vitin e ardhshëm 18-vjeçarëve.

Një amendamend i qeverisë parashikoi që kjo dhuratë të jetë vetëm për “qytetarët italianë e të vendeve anëtare të BE-së rezidentë në territorin italian, të cilët mbushin 18 vjeç gjatë vitit 2016”, duke lënë kështu jashtë të gjithë vajzat e djemtë jokomunitarë, përfshirë ata të rritur në Itali. Dhe Dhoma e Deputetëve që natën mes të shtunës dhe të dielës së shkuar miratoi dekretin e ligjit të stabilitetit, nuk e ndryshoi këtë pikë.

Tani teksti shkon në Senat, që me siguri do ta miratojë kështu siç është pa modifikime të tjera. E kështu karta (apo bonusi) e kulturës u kthen krahët brezave të dytë, si për t’u thënë që Italia nuk do t’ia dijë për kulturën e tyre.

Nuk ishte një pakujdesi. “Mungoi guximi për t’ua shtrirë bonusin edhe të rinjve të huaj rezidentë në Itali. Opozita mbajti një qëndrim të prerë duke u shprehur kundër dhe mazhoranca nuk pati kurajon të këmbëngulte” pranoi Francesco Boccia, deputet i PD-së dhe kryetar i Komisio nit të Bilancit në Dhomën e Deputetëve.

Boccia tani shpreson që “mangësia të korrigjohet”, “në një nga masat e ardhshme”. Në qeveri duket se janë të gjithë dakord: “Fola disa herë me ministren Boschi, – tregon deputeti për Avvenire – edhe ajo e konsideron një korrigjim të drejtë dhe me domethënie të madhe kulturore”.

Si do të veprojë qeveria për të korrigjuar diçka që e bëri vetë? Rasti më i mirë mund të jetë dekreti “njëmijë shtyrjet” që pritet ditët e fundit të vitit.

Elvio Pasca

 

 

 

Danimarkë. Refugjatëve t’u sekuestrohen paratë dhe sendet me vlerë

Një tjetër arratisje shqiptari nga burgu. Këtë radhë i mitur