in

Bonusi Irpef prej 80 eurosh në muaj. Kujt i takon e si merret?

Pavarësisht nga kombësia, të gjithë punonjësit e varur apo me kontratë të ngjashme me ta që për vitin 2014 kanë të ardhura më të larta se 8.000 euro por më të ulëta se 26.000 euro, do të jenë përfitues të reduktimit të tatimit mbi fitimin (Irpef) që parashikohet nga dekretligji nr. 66/2014.

Qarkorja nr. 8/E e Agjencisë së Tatim Taksave shpjegon si do të përfitohet bonusi e në çfarë mase.

Bonusi do të jepet që me rrogën e muajit maj dhe përfituesit nuk duhet të paraqesin asnjë lloj kërkese pasi bonusi është shumë që u jepet automatikisht atyre nga punëdhënësi që zëvendëson shtetin në vjeljen e taksave (që ua mban nga rroga punonjësve një pjesë të taksave dhe ia derdh shtetit e që në italisht quhet ‘sostituto d’imposta’). Në rastin kur punëdhënësi nuk zëvendëson shtetin në mbledhjen e taksave (për shembull familjet që punësojnë bashkëpunëtorët shtëpiakë), punonjësit mund të kërkojnë rimbursimin e bonusit për të gjithë muajt e vitit 2014 që kanë punuar në deklarimin e të ardhurave që do të bëjnë në vitin 2015.

Kush janë përfituesit e bonusit?

Siç specifikohet në qarkore, bonusi parashikohet për ata që kanë të ardhura bruto vjetore më të larta se 8.000 e deri në 26.000 euro të siguruara nga puna e varur e disa kategori të ngjashme me punën e varur. Bonusi vjetor për vitin 2014 është 640 euro për ata me të ardhura nga 8.001 deri në 24.000 euro dhe zvogëlohet gradualisht deri sa bëhet 0 për ata që kanë të ardhura bruto nga 24.001 deri në 26.000 euro në vit.

Sipas Tekstit Unik mbi Tatimet mbi të ardhurat (neni 49 paragrafi 1 dhe neni 50 paragrafi 1, germa a, b, c, c-bis, d, h-bis, l) kanë të drejtën e bonusit taksapaguesit titullarë të të ardhurave të përgjithshme të përftuara nga puna e varur (me kontratë për kohë të përcaktuar, të përhershme,  dhe të pjesshme) dhe disa kategori të ngjashme me punonjësit e varur që janë:

1.     Punonjësit ortakë të kooperativave të prodhimit dhe të punës, shërbimeve, bujqësore dhe të trasformimit të parë të prodhimeve bujqësore, të peshkimit të vogël.
2.     Ata që përfitojnë kompensime në ngarkim të të tretëve për detyra të kryera lidhur me punën e varur.
3.     Kushdo që përfiton shuma në para si bursë studimi, apo çmim, apo kompensim për qëllime studimi apo formimi profesionale.
4.     Bashkëpunëtorët e koordinuar dhe të vazhdueshëm (co.co.co).
5.     Famullitarët.
6.     Kushdo që përfiton pensione shtesë të atij të detyrueshëm publik në bazë të dekretit legjislativ nr. 124/1993.
7.     Punonjësit me dobi shoqërore sipas dispozitave normative specifike.

Mbeten jashtë disa kategori të ngjashme me punonjësit e varur si pensionistët, profesionistët e lirë përveç të ashtuquajturve “incapienti” që janë të gjithë ata që fitojnë nën 8.000 euro e që janë të përjashtuar nga taksat.

Për ç’periudhë pune kam të drejtën e bonusit?

Bonusi jepet në përpjestim me muajt efektivë të punës gjatë vitit 2014. Në fakt bonusi i takon edhe punonjësit që punësohet pas muajit maj apo që ndërpret marrëdhënien e punës para përfundimit të vitit. Në të gjitha rastet punonjësit i njihet nbonusi për aq muaj sa ka punuar gjatë vitit 2014.

Për shembull, nëse një punonjës ka punuar vetëm katër muajt e parë të vitit, dhe gjatë kësaj periudhe ka fituar mbi 8.000 euro e nën 26.000, atij do t’i njihet e drejta e bonusit në masën 4/12.

Si llogaritet bonusi?
Për ata që kanë të ardhura bruto nga 8.001 deri në 24 mijë euro në vit

Kush punon për gjithë vitin 2014 bonusi është 80 euro në muaj nga rroga e majit. Ndërsa kush është punësuar gjatë vitit 2014 do të ketë një bonus më të ulët sepse ai do t’i njihet vetëm për muajt efektivë të punës.

Për shembull, nëse i interesuari është punësuar më 1 mars dhe punon deri në fund të vitit 2014, bonusi i tij do të jetë vetëm 66,67 euro, sepse muajt efektivë të punës janë vetëm 10:

640/12*10=533,33 euro bonus vjetor

533,33 euro / 8 muaj (maj-dhjetor)=66,67 euro bonus mujor.

Për ata që kanë të ardhura bruto vjetore nga 24.001 deri në 26.000

Nëse të ardhurat e përgjithshme kalojnë 24 mijë eurot por mbeten nën 26 mijë, bonusi vjetor është në masën e diferencës së 26.000 eurove me të ardhurat efektive pjestuar me 2.000 euro. Për shembull, nëse punonjësi ka ë ardhura pruto vjetore 25.000 euro e punon për gjithë vitin 2014 llogaria që duhet bërë është:

640*[(26.000-25.000)/2.000)=320 euro bonus vjetor

320 euro/8muaj (maj-dhjetor)=40 euro bonus mujor.

Ja një tabelë e shumës së bonusit sipas të ardhurave për ata që punojnë gjatë gjithë vitit 2014:

Të ardhura bruto vjetore     bonusi vjetor             bonusi mujor

Nga 0 deri në 8.000 euro           0 euro                        0 euro
Nga 8.001 deri në 24.000 euro   640 euro                    80 euro
24.500 euro                             480 euro                    60 euro
25.000 euro                             320 euro                    40 euro
25.500  euro                            160 euro                     20 euro
Nga 26.000 euro e lart              0 euro                         0 euro
E nëse bën dy punë njëkohësisht?

Në Qarkore nuk është sqaruar ky dyshim. Sidoqoftë është e këshillueshme që t’u komunikohen punëdhënësve të ardhurat dhe bonuset për marrëdhëniet e tjera të punës gjatë vitit 2014. Duhet mbajtur parasysh se nëse në fund të vitit rezulton që punonjësi ka përfituar nga puna më shumë se 26.000 euro, kur të bëjë deklarimin e të ardhurave do t’i duhet të kthejë mbrapsht bonuset e fituara.

Bashkëpunëtoret familjare do të përfitojnë bonusin?

Nëse janë të punësuara me kontratë edhe ato kanë të drejtën e bonusit nëse të ardhurat e tyre janë mbi 8.000 euro e nën 26.000. Por ndryshe nga punonjësit e tjerë, bashkëpunëtoret familjare nuk do të mund të marrin bonusin drejtpërdrejt nga punëdhënësi në rrogë, por do të mund ta kërkojnë atë me deklarimin e të ardhurave vitin e ardhshëm, pra kur të përpilojnë Modelin 730 apo Unico.

Maria Elena Arguello/Stranieriinitalia.it

In italiano: Bonus Irpef da 80 euro. A chi spetta e come funziona?

 

 

Presidenti i Senatit Grasso në Tiranë: “Italia ju mbështet, vazhdoni reformat”

Camusso: “Basta Bossi-Fini, riforma della cittadinanza, voto agli immigrati”