Shtohen rastet në të cilat të burgosurve të huaj u aplikohet masa e dëbimit në vend të burgosjes. Identifikimi për riatdhesimet do të nisë sapo të hyjnë në burg
Romë, 20 shkurt 2014 – Senati ka miratuar përfundimisht më 19 shkurt, me 147 vota pro e 95 kundër, konvertimin në ligj të dekretit 146/2013 për mbrojtjen e të drejtave themelore të të burgosurve dhe të reduktimit të kontrolluar të popullsisë së burgjeve.
Një tekst i quajtur “Boshatis burgjet” që parashikon ndërhyrje specifike edhe për të burgosurit e huaj. Nuk mund të ndodhte ndryshe po të mbahet parasysh se më 31 janar 2014, kur kapaciteti i burgjeve është 47.711 vende, në to janë të pranishëm 61.449 të burgosur; mes këtyre, 34% ose 21.167 janë të huaj, kryesisht marokenë (3.917, apo 18,5% e të burgosurve të huaj), rumunë (3.401, 16%), shqiptarë (2.839, 13,4%) e tunizinë (2.518, 11,9%).
“Boshatis burgjet” ndërhyn në nenin 16 të Tekstit Unik për Imigracionin, duke shtuar rastet në të cilat të huajve të burgosur u aplikohet masa e dëbimit si alternativë e burgut kur duhet të vuajnë dënime, qoftë edhe pjesa e mbetur e dënimit, me kohëzgjatje deri në dy vjet. Përjashtohen nga kjo procedurë të dënuarit për krime veçanërisht të rënda si trafikantët e njerëzve.
Një tjetër ndërhyrje domethënëse, që kthen në ligj një praktikë të aplikuar me vështirësi në burgjet italiane, ka të bëjë meidentifikimin për dëbimin të këtyre të burgosurve, që do të nisë sapo ata të hyjnë në burg në mënyrë që të mund të riatdhesohen efektivisht kur të dalin. Policia do të kontaktojë menjëherë autoritetet konsullore të vendeve prej nga vijnë dhe ministria e Brendshme do të bashkëpunojë e koordinojë punën me atë të Drejtësisë.
Është një masë që duhet të reduktojë një nga problemet e Qendrave të Identifikimit dhe të Dëbimit (CIE), ku transitojnë shumë ish të dënuar në pritje të riatdhesimit. Kjo sjell mbipopullim të strukturave, detyron ish të burgosurit të vuajnë “një shtesë dënimi” e bën që të bashkëjetojnë, në kushte tejet të vështira, persona që kanë përfunduar në CIE thjesht pse nuk kishin leje qëndrimi me të tjerë që kanë kryer krime shumë më të rënda.
Elvio Pasca
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)