in

Botën nuk e ndryshojnë vetëm paratë

Duke përcaktuar efektet që emigrantët sjellin në vendin e tyre, mund të shkëpusim dy nga ato që ndërhyjnë drejtpërdrejt në zhvillimin: ndikimi ekonomik i sjellë nga remitancat, (në vitin 2009 Banka Botërore ka regjistruar më shumë se 1 miliard e gjysmë, dhe të paktën po aq mbesim të paregjistruar të dërguar në rrugë informate), dhe e dyta, ndikimi social-kulturor në ndryshimin e ideve, sjelljes dhe edukatës së një populli.

Roli i dërgesave të emigrantëve në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.

Nga ana ekonomike, historia tregon që të ardhurat e emigrantëve që filluan që nga viti 1992, gjithnjë e më shumë u bënë domethënëse, duke shkaktuar një pritshmëri për zhvillimet në ekonominë shqiptare. Pasojat u verifikuan në rritjen e çmimeve, në rritjen e standardeve të jetesës, në shpërthimin e tregut imobiliar, në burime të reja për zhvillimin e sotshëm, por dhe në shpërdorimin ilegal të këtyre të ardhurave.

Rrjedhojat më të menjëhershme ishin rritjet e nivelit të çmimeve (inflacioni), por nga ana tjetër dhe nënçmimi i kursit të këmbimit, që do të shoqëroheshin me nivele më të larta në normën e interesit të lekëve të depozituar, që do të nxisnin një hyrje më të madhe të valutës nga emigracioni. U demonstrua njëanshmërisht që flukset hyrëse nga emigrantët ndikojnë fuqishëm në të ardhurat dhe në rritjen e standardit të jetesës së vendit përfitues.

Studimet pasqyrojnë faktin që në fazat e para të migracionit, të ardhurat nga emigrantët, në masën më të madhe, përdoren si mjet jetese për familjet përfituese: për ushqim, veshmbathje dhe nevoja shëndetësore. Me përmbushjen e këtyre nevojave jetësore, një pjesë e madhe e këtyre dërgesave përdoret për investime frutdhënëse, veçanërisht për krijimin e bizneseve të reja, që ndikon pozitivisht në zhvillimin ekonomik të vendit, duke sjellë njëkohësisht rritjen e punësimit dhe zvogëlimin e presionit për emigrim.

Investimet më të shumta të bëra në vend me paratë e ardhura nga jashtë i përkasin investimit në pasuri të patundshme që, deri më 2007-tën renditej ndër investimet më të sigurta dhe fitimprurëse dhe rekomandohej nga të gjithë ekspertët. Por nga kriza ekonomike, sot tregu i ndërtimeve ka rënë dhe kërkesa më e ulët se oferta ka bërë që rritja e çmimeve të ndalë gjatë vitit 2007. Paratë që përpara përdoreshin për të blerë pasuri të patundshme, si apartamentet, trojet, lokale e zyra për një investim afatgjatë dhe i sigurt, sot thjesht derdhen në bankë, qoftë edhe në një masë më të vogël. “Edhe sot ka hapësira të mjaftueshme për të investuar, por duhet të njohësh mirë tregun dhe të zgjedhësh se ku të derdhësh kapitalin”, thonë agjentët imobiliarë. Investimet duhet të bëhen sipas zonave, sepse jo në të gjitha ia vlen të investosh.

Megjithatë, me kalimin e kohës, emigrantët dhe brezat pasues kanë një lidhje me vendin e tyre që po fillon të zbehet, gjë që sjell një rënie të flukseve hyrëse. Prandaj politika të zgjuara brenda vendit u shpallën emergjente, ku përveç kanalizimit të transferimeve të parave private nga konsumi tek investimet, u kërkua të sigurohej miradministrimi i flukseve, për të krijuar një mekanizëm të përshtatshëm për të thithur mjetet valutore të gjeneruara nga puna e emigrantëve.

Në praktikë, Bankat këshillojnë disa masa nga politika ekonomike: uljen e kostove të transfertave për të rritur vëllimin e tyre; krijimi i fondeve të zhvillimit, që shërbejnë si institucione që do të grumbullojnë dërgesat nga emigrantët, për të realizuar investime në shuma më të mëdha. Por vetëm sigurisht mbasi emigrantët të binden për efektshmërinë e tyre, paraja e administruar në këtë mënyrë do të japë efekt në ekonomi dhe në sistemin financiar. U kërkua thellimi i bashkëpunimit midis Qeverisë Shqiptare dhe qeverive të vendeve ku ndodhet emigracioni shqiptar, për ndërtimin e strukturave zyrtare që do të ndihmojnë emigrantët (jo vetëm në problemet e tyre sociale, si legalizimi, shkollimi etj), por edhe në një përdorim efecient të kursimeve të tyre, në drejtim të vendit të tyre. Së fundmi, duhet edhe të ndërmerren masa efektive për të lehtësuar investimin nga emigrantët (si për shembull: mikrokreditë, trajnimi, lehtësimi i procedurave burokratike, lehtësime fiskale etj). Kjo do të shoqërohet rritjen e degëve dhe të filialeve të bankave në një shtrirje gjeografike me të gjerë në vend. Vetëm një pjesë e këtyre hapave kanë ecur përpara, pjesa tjetër pritet akoma të zhvillohet.

Duhen kujtuar dhe dërgesat që u përkasin aktiviteteve ilegale, ose mjeteve valutore të gjeneruara nga aktivitete të dyshimta. Pikërisht mbi këtë çështje, në shkurt të 2010 hyn në fuqi ligji që konfiskon pasuritë e vëna në mënyrë të paligjshme nga emigrantët shqiptarë në botë. Investimet, pronat apo pasuritë e paligjshme, që konsiderohen të krijuara si rezultat i aktiviteteve kriminale të emigrantëve në të gjithë botën, duhet të sekuestrohen, dhe pasuria do t’i kalojë shtetit.

Emigrantët transportojnë dhe influencojnë mëryra të reja sjelljeje dhe të menduari

Emigrantët përforcojnë evolucionin drejt standardeve të sjelljes perëndimore falë kontaktit të vazhdueshëm me të afërmit e tyre që i shtyjnë të kthehen në vendlindje më shumë se një herë në vit. Mjafton të kujtojmë që rreth 1 milion e 260 mijë persona me shtetësi shqiptare, të cilët janë rezidentë në vende të ndryshme të botës, kanë vizituar Shqipërinë gjatë vitit 2009.

Pra, më shumë se 30% e të gjithë popullsisë shqiptare jeton në shtetet më të pasura në botë, ku shërbimet dhe edukata shoqërore është nga më të dëshirueshmet dhe më të arriturat. Ky bagazh bëhet pjesë jo vetëm me ardhjen e këtyre turistëve të jashtëzakonshëm në vend, por edhe në komunikim nga larg, që mund të duket i padobishëm, por që stimulon pritshmërinë e receptorëve ndaj shërbimeve që kërkojnë përditë. Për më tepër, falë revolucionit teknologjik, akumulimit të miliona bisedave dhe shkëmbimit të pikëpamjeve, është një influencë që bën të ndryshojë pritjet dhe preferencat e vetë autoktonëve.

Në këtë ndryshim duhet kujtuar dhe një “sindrome” që gjurmëzohet nga emigrantët e rinj, dhe theksohet me rikthimin e tyre në Shqipëri, d.m.th. devijimi i rregullave në një sjellje negative. Ky është një  reagim i kundërt ndaj atij që normalisht do të pritej nga një i perëndimit. Bëhet fjalë për atë sjelljen reaksionare, të paqartë, shpeshherë dhe arrogante, të përkthyer në një ndjenjë “lirie” nga kufizimet në botën e rregullave, dhe që dëmton këtë fluks të standardeve perëndimore, por që mbetet sipërfaqësor dhe i kufizuar. Kjo është pjesë e dukshme negative e një ajsbergu të padukshëm pozitiv, dhe është ky i fundit që dekreton të pranueshmen dhe të papranishmen në një shoqëri moderne.

Në përfundim, influenca që shumë studime e quajnë “remitanca sociale” ose “fluks të ideve”, mbetet e pamundur të përcaktohet në sasi nga studimet ndërkombëtare. Por, sociologët ndërkombëtarë e vlerësojnë rikthimin e emigrantëve, qoftë edhe të përkohshëm apo virtual, si një rol të dobishëm në nxitjen e transferimit të përgjegjësive në botën e zhvillimit. Kjo, së bashku me mënyrat e tjera të qarkullimit të trurit, dhe të vlerës profesionale shndërrohet në një njohuri të “heshtur”, dhe të gjitha bashkë i shërbejnë ndryshimit, më shumë se vetë paratë. Studimet dëshmojnë që bashkë me reformat në politikën ekonomike të përmendura më lart, japin një recetë të shkëlqyer për zhvillim.

Afërdita Shani, Dorina Patuzi

Përgjigje mbi pikëpyetjet e dekretit të flukseve 2010

Çlirime Kiptiu, mjeshtrja e petëve që përhap traditën e gatimit bolonjez