in

BRENGA IME SHQIPTARE – Burgu i Burrelit

Ky libër me autor Aldo Renato Terrusi, rrëfen udhëtimin e tij dhe të dajës, Xhakomo, të cilët kthehen në Shqipëri pas dyzet e katër vjetësh. Aldo ishte ende fëmijë kur regjimi i Enver Hoxhës i burgosi të atin në famëkeqin burg të Burrelit, ku dhe vdiq pa i dhënë as lamtumirën e fundit të birit dhe të shoqes. Dëshira e Aldos është të kthejë në atdhe eshtrat e të atit, dëshirë që ndërkëmbehet pikëllueshëm me të kaluarën e dhimbshme të familjes Terruzi në Shqipëri dhe të një kombi që edhe sot e kësaj dite ka në lëkurë shenjat e pashlyeshme të diktaturës. Nëpërmjet kujtimeve të familjes, dëshmive, fotografive të kohës dhe dokumenteve origjinale të procesit të të atit në vitin 1945, ripërshkohen ngjarje dramatike të faqeve historike më të zymta të Vendit të Shqiponjave. Me dëshirë të autorit dhe lejen e botuesit, po botojmë pjesë pjesë, të gjithë librin.

Pjesa e parë (vijim)

Lexo më parë:
Brenga ime shqiptare – Rikthimi  
Dajti
Shoku i vjetër
Aurelia dhe Xhuzepe
Shtëpia e Xhavitit
Rrugës për në Vlorë

Takimi me Petritin
Kokoshi në hotel Dajti
Komiteti Olimpik

Burgu i Burrelit

Qershia në burgun e Burrelit pranë të cilës është varrosur Giuseppe TerrusiTë nesërmen në 08.00, siç dha fjalën, Kokoshi ka ardhur para Dajtit. Na pret në këmbë para banakut të recepsionit, me pardesynë e gjatë blu.
“Mirëmëngjes Engjëll, si je?”
“Mirë, faleminderit. Si fjetët? Sot duhet të ecim shumë. Mirë është daja?”
“Po, po zbret pas pak, po vishet. Dëshironi të hani mëngjes me ne?”: Jo, faleminderit, do të marr vetëm një kafe”.
Në pritje e sipër, shkojmë ulemi në divanët e sallonit.
Po atë çast mbërrin dhe daja, duke shqepuar si pasojë e ‘performancës sportive’ një ditë më parë. Ka madje edhe një dhimbje veshkash.
Pas përshëndetjeve me Engjëllin, drejtohemi nga ballkoni i barit për një mëngjes të shpejtë në këmbë.
“Kështu pra, para se të shkojmë në Burrel duhet të kalojmë nga zyra ime dhe pastaj të shkojmë të tërheqim lejet në Ministrinë e Brendshme”.
Për të mos humbur shumë kohë dhe duke parë kushtet fizike jo shumë të mira, është mirë që daja të na presë në hotel.
Unë dhe Engjëlli, siç e vendosëm më parë, shkojmë fillimisht të shoqata kombëtare e ish të burgosurve politië për të marrë kredencialet e tij dhe pastaj drejtohemi nga Ministria.
Zyra është në të vërtetë një arkiv me rafte që shkojnë nga dyshemeja në tavan – aq sa mbulojnë tre mure të dhomës – mbi të cilët janë grumbulluar qindra fashiku e dosje plot me të dhëna dhe emra. Ndërsa më sheh kureshjen dhe habinë në fytyrë, Kokoshi më shpjegon:
“Shiko, Aldo, këta janë njerëz për të cilët nuk dihet asgjë. Për fat të keq këtu  mbizotëron pçërherë një ligj i natyrës, i pashkruar, por që ulëret për hakmarrje. Njeriu duhet ta shfaqë fuqinë e vet duke treguar kurajë, dhe jo duke shprehur vuajtje, të mos ankohet dhe të mos trëgojë shuëm dhimbsuri: duhet të zhyhet në gjak turpi i pësuar si në rrafsh personal ashtu dhe në atë familiar. Ta mendosh që tradita jonë është e tillë që kur njeriu martohet, nuses i dhurophet në pajë nga vetë prindërit e saj një plumb, në mënyrë q ëtë kujtojë nënshtrimin absolut ndaj të shoqit. Jemi ende një vend i prapambetur edhe nga pikëpamja kushtetuese. Jemi ende të lidhur me disa zakonte tonat shumë të egra”.

Fjalë të ashpra e të rënda që më lënë të pështjelluar dhe plot hidhërim.
Në Ministri na i japin menjëherë lejekalimet. Më mrekulloi një shpejtësi e tillë. E të mendosh pastaj burokracinë italiane…
Kthehemi në hotel, ora është thuajse 09.00.
Daja, Toli dhe shoferi po na presin pranë Land Roverit të bardhë të Cooperazione Italiana-s.
Shoferi na shpjegon seajo që na pret përpara më shumë i ngjan një gare malore makinash se sa një rrugëtimi normal.
Burreli është një qytezë thuajse 70 kilometra në verilindje të Tiranës, i humbur mes maleve, i bërë i famshëm në kronikat vendase vetëm për vendndodhjen e burgut të tij famëkeq politik dhe deri më tash i kujtuar si një vend i tmerrshëm dhe ngjethës.
Pas një pamjeje të parë të shtruar në të cilën shpesh të takon të shohësh përrenj gjithë gurë, rruga bëhet dredha-dredha, shpesh e çarë, shpesh tërë gropa, në sfondin e një peisazhi virgjin, sa të bukur po aq dhe të shkretuar.
Kalojmë nëpër një urë elegante guri, me gjasë e epokës romake.
Peisazhi, i mbuluar herë pas here nga shkorrete mesdhetare që shpesh pushtojnë edhe rrugën, hapet papritur në lëndina të pakorrura, shkorrete të gjelbëruara dhe male të zhveshur.
Pasi përshkuam një malore mjaft të rrëpirët, rruga tashmë bëhet më e sheshtë. Kanë kaluar më shumë se dy orë dhe më në fund ndërduken edhe shtëpitë e para të Burrelit. Kalojmë gjithë qytetin dhe sapo gjendemi jashtë tij, ndodhemi përballë burgut famëkeq.
Një pamje makabre, e zymtë dhe dëshpëruese na shfaqet para syve.  Është një ndërtesë e ulët dhe gati në të shembur, më shumë duket si stallë kuajsh se sa një vend ku në të shkuarën kanë qenë të burgosura qenie njerëzore.
Një kangjellë hekuri me ekuilibër të lëkundur ndan “stallën” nga pjesa tjetër e botës. Brenda një portë e dyfishtë me deriçkën hyrëse ngjitur për karakollin e rojës.
Na presin, dorëzojmë kredencialet tona. Na thonë se burgu është mbyllur vetëm dy vjet më parë dhe tani është vetëmse një mauzole i trishtë për kujtesën e krimeve të luftës.
Tërë kompleksi në të cilin ndodhen qelitë është i gjatë rreth 100 metra, tre metra i lartë dhe dhjetë i gjerë. Është një ndërtesë në muraturë, katërkëndore dhe e thjeshtë, me një ngjyrë të papërcaktueshme, nuk ka çatinë klasike me tjegulla, por thjesht një tarracë të sheshtë çimentoje. Nga jashtë janë të dukshme vetëm nja dhjetë e kusur dritare, të mbyllura me hekura, që u përkasin qelive teke. Rrethimi i parë, me tel me gjemba të ndryshkur e të hapur në formë spiraleje, është i lartë rreth një metër e gjysmë dhe ndodhte dhjetë metra larg mureve të jashtme.
Rrethimi i dytë, paralel dhe në largësi afërsisht 20 metra nga i pari, formohet nga një tel me gjemba në formë spiraleje në fund të një rrjete, e çarë në shumë vende dhe e lartë thuajse tre metra, e cila rrethjon gjithë kampin dhe mbahet në këmbë nga kolona të holla gjysmë të shkatërruara prej betonarmeje.
Në skajet e kampit, në formë katërkëndori prej rrteh 200 metër për 100, janë katër karakolle në çimento, vendosur mbi shtylla metalike mbi të cilat janë vendosur prozhektorë të mëdhenj. Mes dy rrethimeve është njëfarë kalimi sigurie dhe varri i përbashkët i t ëburgosurve të vdekur.
Dy roje, në rolin e ciceronit, ruajnë atë që dikur ishte vendi që u kallte më shumë frikën shqiptarëve. Na shoqërojnë brenda ndërtesës dhe ndërsa ndjekim këtë rrugë, Kokoshi na përshkruan vende të ndryshme.
Ka nja njëzet qeli të errëta, dhjetë nga të dy anët, përgjatë një korridori të ndërprerë herë pas here nga kangjellat. Secila qeli ka nga pesë dyshekë për tokë dhe një të çarë të vogël të jashme me hekura. Një kuzhinë e vetme ishte menduar si për rojet, edhe për të burgosurit; fare afër ndodheshin edhe gjashtë banjo all aturka, prej çimentoje. Në qendër të ndërtesës dhoma e torturave dhe infermieria.
“Engjëll, a s’më thua pse përfundve në burg?”
“Edhe mua, ashtu si yt atë, më bënë një proces të montuar, ku më akuzuan për kolaboracionizëm me italianët dhe spiunazh për llogari të sim-it (por nuk ishte e vërtetë)”.
Pyes veten se si mund të akuzonin partizanët pikërisht Xhuzepen se kishte hapur qëllimisht arkat bosh të bankës gjermanëve, kur në disa nga letrat e tij ai shprehte përçmimin e tij kundrejt atyre nazistëve të urryer.
Nga letra me shkrim dore e Xhuzepes drejtuar të motrës në Kastelaneta:  Vlorë 27 nëntor 1944
“Frikacakët gjermanë kanë bërë nga të gjitha gjërat dhe kanë kryer gjithë masakrat e mundshme: kemi kaluar ditë makthi dhe terrori dhe edhe unë mbërrita aty sa të isha në rrezik jete…”

Nga jeta e fundit si qytetar i lirë (pak ditë para se të akuzohej padrejtësisht e të brugosej nga partizanët e Enverit):
Vlorë, 8 janar 1945
Që nga dita e çlirimit të Vlorës nga trupat partizane që i detyruan banditët gjermanë t’ia mbathnin (banditët në kuptimin e keq), dua të më mbajë shpresa se të gjithë gëzoni shëndet të plotë dhe të përqafohemi sërish sa më shpejt të jetë e mundur”.
“Në çfarë periudhe jeni njohur, Engjëll?”
“Ai kishte hyrë në burgjet e Vlorës në 1945 me italianë të tjerë – Belucin, Balsamon, Monain, Petrit Velajn – ndërsa mua më sollën një vit më vonë. Kemi qëndruar aty deri në 1949, pastaj na transferuan gjatë natës këtu në Burrel.
Më kujtohet se natën e transferimit ishim nja njëzet vetë, të prangosur në radhë prej pesë vetash, në një kamion të shoqëuar nga dy makina – njëra para e tjetra pas – plot me ushtarë të armatosur me kallashnikovë. Kishim marrë vendimin të arratiseshim. Edhe koha ishte në anën tonë. Nata më e errët dhe pa hënë. Disa prej nesh ishin liruar nga hekurat që ishin mbyllur me fije hekuri në kyçet e duarve dhe të këmbëve dhe ishim bërë gait. Pas një diskutimi të gjatë dhe të shqetësuar, hoqëm dorë. Ishte shumë e rrezikshme: do na kishin shfarosur të gjithëve”.
“Bashkë me babain ishit në qeli?”
“Kur vdiq zoti Terruzi,  unë isha me punë të detyruar dhe u ktheva në Burrel në 1953; në atë kohë me të ishte Petrit Velaj që tani jeton në Vlorë me familjen”.
“Çfarë kujtoni nga Burreli?”
Më kujtohet gjithçka, sepse unë kam dalë në vitin 1963, pas 18 viteve burg”.
“Më thoni…”
“Burgjet e Burrelit ishin më të tmerrshmit në Shqipëri. Hanim një herë në ditë njëfarë supe me ndonjë kokërr fasuleje ose patate me ndonjë fetë bukë të zezë, dhe kjo për gjithë ditën. Tani herë pas herë më del gjak për shkak të ulçerës.
Flinim në dyshekë të vegjël përtokë dhe kishim një nënkresë e një batanije.
Katër herë në ditë duhej të mblidhnim gjithçka për kontrollin e rojeve. Dritaret ishin pa xhama dhe gjatë dimrit ishte e tmerrshme. Kur duhej të shkonim në banjë, ditën na shoqëronin në banjo dhe na ruanin rojet, ndërsa natën na sillnin në qeli vetëm një bidon që duhej ta përdornim të gjithë.
Çdo dy ose tre javë na çonin në qeli të tjera, për të shmangur krijimin e grupeve të vogla që mund të stisnin ndonëj arratisje”.
“Si i shtynit ditët?”
“Dy herë në ditë dilnim në oborrin e brendshëm për 40 minuta nën syrin vigjilent të rojeve të armatosura. Në qeli mudn të bënim muhabet dhe ndonjëherë edhe lexonim gazetat e vjetra që na i sillnin rojet. Dikush luante me letra, por më së shpeshti tregonim historitë e familjeve tona. Histori që na sillnin shumë lumturi dhe trishtime pa fund. Të gjithë ne besonim në një të ardhme më të mirë dhe në rënien e regjimit. Disa mendonin edhe për amnistinë e ardhshme. Shpresa për të dalë nga ai ferr ishte gjëja e vetme q na mbante gjallë. Disa prej nesh punonin për të bërë galloshet që përdornim në burg”.
“Po babai im?”
“Ishte një njeri i qetë, një zotëri i vërtetë. Më kujtohet që lexonte dorën dhe gjirthmonë e mbyllte me fjalë të mira. Kjo na jepte pak besim për të ardhmen. Besoj se ishte i vetmi italian në Burrel… e njihnin të gjithë… vuante nga zemra, por nuk kishte ilaçe”.
“A ju çuan në tortura?”
“Shumë prej nesh u torturuan dhe vdiqën. Babanë tënd nuk e torturuan asnjëherë sepse ishte njeri i shkëlqyer dhe nuk ankohej kurrë”.
“Për çfarë torutrash bëhej fjalë?”
“Kur donin, por sidomos gjatë natës, në mënyrë që gjithë të tjerët të mund të dëgjonin ulërimat e rrezikziut të radhës dhe të mos flinin dot për gjithë natën, na çonin në atë dhomë të mallkuar. Shiko, ajo atje”.
Dhoma që na tregon gjendet në qendër të dy krahëve të burgut: e vogël, katërkëndore, pa dritare, të shtie tmerrin vetëm kur e sheh.
“Shpesh më kanë ngritur në mes të natës dhe më kanë çuar aty, sepse isha shumë gjaknxehtë. Me një shkop më thyen dy brinjë dhe fyellin e këmbës së majtë… preke këtu… e ndjen?”
“Po”.
Shoh gunga të mëdha në fyellin e këmbës dhe ndjej, ndërsa prek kraharorin e tij, lugëti të thella. E mbaj veten nga tërheqja e dorës me një ndjesi neverie.
Kokoshi vazhdon:
“Shiko, na thyenin kockat nga të rrahurat dhe pastaj nuk na mjekonin, kështu vuanim për shumë kohë derisa eshtrat ngjiteshin vetë në mënyrë të çrregullt.
Siç ju thashë dhe më parë, periudha më e zezë e burgut tim zgjati 76 ditë, dy muaj e gjysmë gjatë të cilit isha i lidhur këmbë e duar. Si të mos mjaftonte kjo, për të më trembur dhe shkatërruar psikologjikisht, vrasësit përdornin metoda të ndryshme.
Për tre netë rresht më zgjuan, më zgjidhën, më dhanë një lopatë, më detyruan të hapja një gropë, më vunë para togës së rreshtuar gati për zjarr, por e kthyen mbrapsht pushkatimin dhe më kthyen në qeli. S’më kishte ardhur akoma radha”.

Ndërhyn Toli, që deri në atë çast nuk kishte hapur gojë dhe ishte tronditur nga rrëfimi.
“Ju kujtohet gjë tjetër?”
“Sigurisht. Tortura më e zakonshme, kur kishin vendosur ta hiqnin qafe dikë, ishte ta rrihnin në atë dhomë famëkeqe, dhe pastaj ta zhysnin shumë herë në atë fuçinë atje jashtë dhe në fund ta linin të lidhur brenda. Gjatë dimrit, natën, tempreatura shkonte shumë gradë nën zero dhe i shkreti  fatkeq në mëngjes kishte vdekur nga i ftohti. Të gjithë të burgosurit, përveçse dëgjonin ulërimat e natës së mëparshme, mund të shihnin gjatë gjithë ditës kufomën në fuçinë përballë dritareve të qelive të tyre.
Katër syresh, të zgjedhur mes më rebelëve, duhej të gërmonin gropën në varrezën e përbashkët para qelive. Kufomën e mbështillnin me një batanije dhe i bënin një ritual fyes, një farë funerali të përbindshëm, gjatë të cilit rojet recitonin përmbajtje fyese kundrejt të vdekurit dhe viktimave të ardhshme, që me pak fjalë do të ishim ne. Një torturë tjetër e tmerrshme ishte lidhja duar e këmbë me zinxhirë dhe futja në një farë tubi ku kishte vend vetëm për këmbët, në mënyrë që të mos mund të mbështeteshe dot te muret në asnjë lloj mënyre. Pra në të vërtetë gjendeshe varur në zbrazëti. Po të lëshoheshe, bije në ujerat e zeza poshtë, duke u mbytur në mut.
E shihni atë dhomën atje në fund… ishte dhoma e pelqve që duhej të vdisnin… i braktisnin atje derisa të jepnin shpirt. Me fjalë të tjera, çfarë nuk punoni për të na e marrë shpirtin!”
“Po kur sëmureshit, çfarë ndodhte me ju?”
“Kishte një dhomë  të përshtatur për infermieri, por pa ilaçe. E megjithatë shërbente vetëm për rojet. O shëroheshim vetë, o vdisnim. Jeta jonë vlente më pak se një copë bukë”.
“Sa prej jush vdiqën në ato vite?”
“Mes viteve 1949 dhe 1952 mund të kenë vdekur nja 60 persona. Disa zhdukeshin pa e marrë vesh kush se ç’fund kishin pasur. Në burg ishin rreth 120 të burgosur dhe nja një dyzinë  rojesh që ndërroheshin me turne”.
“Ku varroseshin gjithë ato kufoma?”
“Gjithmonë në të njëjtin vend. Atje, pikërisht përballë dritareve të qelive mes dy rrethimeve, në mënyrë që të gjithë ta shihnin se ç’fund do të pësonin. Atje ka qenë një pemë qershie që në pranverë dukej se lulëzonte bash për ata që treteshin poshtë saj.
Kufomat, cullake – rrobat dhe gjërat e tjera i ndanin mes vetes xhelatët – të mbështjellë me batanije i varrosnin në radhë, njërin ndanë tjetrit, pa emër dhe pa asnjë nishan”.

Rrethimi i burgut të Burrelit, 1993Të vuvosur, me tmerrin, mëshirën dhe zemërimin të gdhendur në fytyrë e në zemrën plot me mallëngjim, afrohemi drejt daljes së burgut.
Përshëndesim dhe marrim rrugën për në kthim; pak fjalë, shumë mendime dhe një trishtim i pambarimtë.
Mbërrijmë në Tiranë rreth orës 15.00.
E shoqërojmë Kokoshin në shtëpi. I marr adresën, i jap dhe timen dhe e falenderoj pafundësisht. I premtojmë njëri-tjetrit ndihmë të dyanshme: ai të gjejë eshtrat e tim eti dhe unë t’i dërgoj ilaçe që nuk gjendeshin në Shqipëri. Megjithatë, do të takohemi edhe një herë në Konsullatë pas pak, aty nga ora 17.00, për një deklaratë të përbashkët rreth objektivave tona.
Na sjellin deri te Dajti. Përshëndesim shoferin dhe Tolin, me të cilin do të takohemi prapë më vonë. As kemi ngrëne e as kemi pirë, na është prerë oreksi fare. Bëjmë një shëtitje të shkurtër si për të nxjerrë jashtë të keqen që pamë dhe për të kërkuar ngushëllim mes njerëzve, mes burra e grave që shëtisin të pavetëdijshëm për hidhërimin dhe vuajtjen që mbajmë brenda.
Kthehemi në hotel për t’u shplodhur dhe pushojmë për disa çaste në sallon para se të shkojmë në Konsullatë.
Shkëmbejmë ndonjë fjalë me Spartakun i cili, përherë me shumë mirësjellje, na pyet për përshtypjet tona mbi burgun e Burrelit. Vërej se edhe sot, Burreli kosniderohet nga shqiptarët një vend i terrorit dhe i vdekjes.
Një ecje e shkurtër mjafton për të mbërritur në ambasadën tonë. Ndeshemi përballë me Tolin dhe Engjëllin.
Para Kryekancelarit dorëzojmë depozitimin tonë, data 12 nëntor 1993.
Pas pak ndahemi dhe përshëndetemi ngrohtë me Engjëllin.
Mendoj se, me shumë gjasa, nuk do ta takoj më kurrë dhe kjo më pikëllon shumë, sepse te ai shoh babanë tim, në mos tjetër për atë bagazh kujtimesh që mban me vete. Do t’i shkruajmë njëri-tjetrit.
E shoh të largohet në errësirën e mbrëmjes bashkë me pardesynë e tij blu dhe atë ecjen e tij të lëkundur. Përshëndetemi edhe me Tolin, që na kujton se në darkë jemi të ftuar te Pierxhorxho.
“Do kaloj nga Dajti aty nga ora 20.00 dhe pastaj ecim në këmbë deri te shtëpia e Pierxhorxhos, që është në anën e kundërt të Sheshit Skënderbej”.
Ndërkohë që kthehemi në hotel, marrim edhe disa mbëlsira dhe shampanjë italiane.

Apartamenti që ka marrë me qera Pierxhorxho ndodhet në një nga dy pallatet në formë kulle përballë sheshit Skënderbej. Pamja prej aty është e mrekullueshme: xhamia e hollë dhe e bukur, monumenti i heroit dhe pallatet hijerëndë qeveritarë të epokës së fashizmit.
Përveç të zotit të shtëpisë, takojmë edhe dy miq të tjerë italianë.
Dal vullnetar si kuzhinier për spageti me salcë domateje të freskët dhe djathë parmezan. Pjatë e dytë biftekënë hell. Të gjitha të shuara me verë Kianti të kantinës private të të zotit të shtëpisë.
Mes një bisede dhe një tjetre, Pierxhorxho u shpjegon miqve të rinj aventurën e rrallë të familjes sonë, të mbështetur ndonjëherë edhe nga ndërhyrja ime tek-tuk.
Kjo është nata e fundit në Shqipëri, nesër menjëherë pas dreke avioni ynë do të na çojë në Romë. Një dolli urimi për ngjarjet e kaluara dhe për ato që shpresojmë se do të ndodhin në të ardhmen përmbyll edhe këtë natën tonë të fundit në Tiranë.
I jemi shumë mirënjohës Pierxhorxhos dhe Tolit dhe përshëndesim me dashamirësi dhe simpati.
Në shtrat, para se të më zërë gjumi, përpiqem të vë në rend idetë, mendimet dhe kujtimet që janë grumbulluar gjatë ditëve të kaluara në mënyrë kaq të shpejtë e të rrëmbyeshme.

Nisja

Për të shmangur vonesa të mundshme për shkak të gjumit, i kërkova recepsionit të më zgjonin në orën 08.00 por, për të qenë më i sigurtë, vura edhe orën time në zile. Nuk hyri në punë as njëra, as tjetra.
Tashmë jam zgjuar dhe akoma në pizhama, po përgatis valixhen, pa u larë e veshur ende, kur troket daja te dera: “Erdha të të zgjoj”.
S’ka vajtur akoma ora 07.00. Pas pak valixhet tona janë gati dhe i kemi nxjerrë nga dhomat.
Me qetësi relative, zbresim të hamë mëngjes. Në sallon gjejmë Spartakun.
“A mund t’ju qeras me një kafe para mëngjesit?”
“Faleminderit, me kënaqësi”.
“Shpresoj të keni kaluar një javë të kënaqshme dhe që ti, Aldo, të realizosh idenë tënde për të marrë eshtrat e babait në Itali”.
“Në të vërtetë, do të doja të bëja diçka më shumë. Nuk di akoma si e qysh, por do të më pëlqente të ngrija një lapidar të vogël ose të vija një pllakë përkujtimore në kujtim të të vdekurve të përbashkët, italianë e shqiptarë, në burgun e Burrelit”, i përgjigjem.
“Sigurisht, është një ide fisnike, shpresoj të arrish ta realizosh. Nëse mundem, do të të ndihmoj”.
“Do të më bëhej shumë qejfi. Faleminderit”.
Hamë mëngjes dhe kërkojmë te recepsioni të na thërrasin një taksi.
Në sallon shfaqet trajta vogëlane e Xhavitit, që ka ardhur të përshëndetet me ne, po për habinë tonë, pas tij, dalëngadalë po vijnë gjithë “mjeshtërit e sportit”.
Dikush ka sjellë edhe djemtë dhe niëprit, kështu që, brenda pak kohe, salloni mbushet dhe rreth nesh krijohet një turmë njerëzish që festonin. Ngazëllim dhe trishtim janë ndjenjat që përzihen mes ish-lojtarëve. Nga xhepat dhe nga portofolët del ndonjë fotografi e vjetër me këtë rast.
“A e shihni sa të bukur kemi qenë dhe sa ekip të bukur kemi pasur!”
Si mund të mohohej prova e atyre djemve të krekosur?
Erdhi koha. Taksia na pret.
Të mallëngjyer nga ngrohtësia e atij grupi njerëzish, përshëndesim derisa na humbasin nga pamja.
Nuk flasim, secili nga ne është i mbështjellë nga mendimet e veta.
Është e shtunë 13 nëntor, avioni md 80 i Alitalia-s fluturon drejt Romës në një të kaltër të papërlyer.

Vijon

Lexo edhe: 
Një varr për Xhuzepe Terruzin – Parathënie e librit nga Agron Tufa
Një gur në muzeun e kujtesës – Parathënie e librit nga Gëzim Peshkëpia
“Brenga ime shqiptare”. Përtej detit, aty ku lind dielli – Përsiatje rreth librit nga Eugjen Merlika    

Universitetet italiane. Janë hapur pararegjistrimet për vitin 2019/2020 për të huajt

Një ditë në Parlamentin Evropian