in

Universitetet italiane. Janë hapur pararegjistrimet për vitin 2019/2020 për të huajt

Kërkesat pranë konsullatave italiane në atdhe brenda datës 24 korrik 2019. Më 5-6 prill mbahet në Tiranë edicioni VII i Panairit “Studiare in Italia 2019”

 

Romë, 5 prill 2019 – Janë hapur që më 7 mars pararegjistrimet për të rinjtë që jetojnë jashtë Italisë e që duan të vijnë këtu për të ndjekur një universitet, një akademi apo konservator. Pararegjistrimet bëhen pranë konsullatave italiane në botë. 

Duhet mbajtur parasysh që procedura e pararegjistrimeve është e vlefshme vetëm për ata që jetojnë jashtë Italisë, sepse të gjithë të rinjtë rezidentë të rregullt në Itali regjistrohen në Universitet njësoj si bashkëmoshatarët e tyre italianë.

Natyrisht, para së gjithash, të rinjtë e huaj duhet të zgjedhin ku duan të shkojnë, duke i hedhur një sy vendeve të vëna në dispozicion për studentët që vijnë nga jashtë Italisë nga universitetet e nga shkollat e larta të formimit artistik, muzikor e koreografik. Këto vende i gjejnë në adresën http://www.studiare-in-italia.it/studentistranieri/.

Pasi të bëjnë zgjedhjen e tyre, duhet të paraqesin kërkesën e pararegjistrimit në konsullatën italiane në vendlindje deri më 24 korrik 2019. Në Shqipëri, sipas qytetit të rezidencës, kërkesa paraqitet në Zyrën konsullore të ambasadës në Tiranë ose në Konsullatën italiane në Vlorë. 

Konsullatat, pasi të mbledhin kërkesat, do t’ua përcjellin universiteteve e shkollave të larta dhe në gusht do të shpallin listën e të pranuarve e do të nisin të japin vizën e hyrjes në Itali falë të cilës të interesuarit do të mund të vijnë në Itali për të mbajtur provimin e italishtes, që është i detyrueshëm thuajse për të gjithë, dhe testet e pranimit, nëse është zgjedhur një fakultet me numër të mbyllur studentësh sipas kalendarit të paracaktuar. 

Kush do të kalojë me sukses testimet mund të kërkojë më pas lejen e qëndrimit për motive studimi.

Ministria italiane e Arsimit, Universitetit dhe Kërkimit Shkencor, ka aktivizuar një faqe internet (http:/www.studiare-in-italia.it/studentistranieri/) me listën e vendeve në dispozicion në çdo universitet, akademi dhe konservator, rregullat për pararegjistrimet, kalendarin dhe formularët që duhen përdorur.

Ndërsa në Shqipëri, Instituti Italian i Kulturës ka organizuar për datat 5 dhe 6 prill edicionin VII të Panairit “Studiare in Italia 2019” gjatë të cilit do të jenë të pranishëm në Tiranë 48 institucione akademike italiane, si Universitete, Akademi Artesh dhe Konservatorë.

“Aktiviteti synon të promovojë dhe mbështesë sistemin akademik italian në Shqipëri. – lexohet në komunikatën e shtypit – Në të vërtetë, shumë të rinj shqiptarë e shikojnë Italinë me shumë interes për të filluar ose vazhduar studimet e tyre universitare, një vend që vazhdon të preferohet për afërsinë gjeografike, lidhjet historike, ekonomike, gjuhësore dhe kulturore. Në Panair do të jetë e pranishme edhe Ambasada Italiane, që do të japë informacione të dobishme mbi procedurat e regjistrimit dhe ndihmën e nevojshme për të shkuar me studime në Itali”. 

Programi i panairit që do të mbahet në Hotel Rogner Tirana -Bussines Center (Hyrja e lirë nga Rruga Papa Gjon Pali II) parashikon:

Të premten 5 prill, ora 17.30-21.00 – Takim i Institucioneve akademike italiane me përfaqësuesit e Universiteteve Shqiptare dhe Përgjegjësit e Marrëdhenieve me Jashtë për bashkëpunime ndëruniversitare (Erasmus, HORIZON 2020 etj.)

Të shtunën 6 prill, ora 9.00-18.00 – Institucionet akademike italiane do t’u dedikohen takimeve të drejtpërdrejta dhe të personalizuara me studentët shqiptarë të interesuar për të studiuar në Itali. Çdo institucion do të ketë në dispozicion një stendë ku do jepen informacione dhe do të takohen të interesuarit. 

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Aleksandёr Peçi a Roma – Una serata con il grande compositore albanese

BRENGA IME SHQIPTARE – Burgu i Burrelit