Ky libër me autor Aldo Renato Terrusi, rrëfen udhëtimin e tij dhe të dajës, Xhakomo, të cilët kthehen në Shqipëri pas dyzet e katër vjetësh. Aldo ishte ende fëmijë kur regjimi i Enver Hoxhës i burgosi të atin në famëkeqin burg të Burrelit, ku dhe vdiq pa i dhënë as lamtumirën e fundit të birit dhe të shoqes. Dëshira e Aldos është të kthejë në atdhe eshtrat e të atit, dëshirë që ndërkëmbehet pikëllueshëm me të kaluarën e dhimbshme të familjes Terruzi në Shqipëri dhe të një kombi që edhe sot e kësaj dite ka në lëkurë shenjat e pashlyeshme të diktaturës. Nëpërmjet kujtimeve të familjes, dëshmive, fotografive të kohës dhe dokumenteve origjinale të procesit të të atit në vitin 1945, ripërshkohen ngjarje dramatike të faqeve historike më të zymta të Vendit të Shqiponjave. Me dëshirë të autorit dhe lejen e botuesit, po botojmë pjesë pjesë, të gjithë librin.
Pjesa e parë (vijim)
Lexo më parë:
Brenga ime shqiptare – Rikthimi
Brenga ime shqiptare – Dajti
Shoku i vjetër
Sapo pushoi shiu dhe pikat e fundit po vizatojnë ndonjë rreth të vogëlth nëpër llogaçe, qielli është i mbushur me re dhe ajri është freskuar.
Jemi në prag të hyrjes së Dajtit, ora është thuajse 9.00 dhe ndërkohë shohim Tolin të vijë përballë.
“Mirëmëngjes Pozeli”.
“Mirëmëngjes”.
“Mirëmëngjes Terruzi”.
“Mirëmëngjes. Toli, hajt të hyjmë brenda e të pijmë nga një kafe”.
“Në rregull, faleminderit”.
“Do një ekspres italian?”
“Po, faleminderit. Eh, moti po bën teka dhe ndoshta s’është shumë i përshtatshëm për të shëtitur në qytet, por sot kam vendosur të lidhem me Engjëll Kokoshin, sekretarin e shoqatës kombëtare së ish të përndjekurve politikë. Më pati premtuar se do të na çonte në burgun e Burrelit. Duke parë postin e tij, duket se është i vetmi që mund t’ia dalë kësaj pune”.
Ndërkohë që pijmë ekspresin – thuajse po aq i mirë sa ai italian – na afrohet një burrë shtatpakët, me sjellje të drojtur dhe vështrim të sjellshëm, me flokë të rëna në tëmtha dhe i veshur në mënyrë dinjitoze me xhaketë dhe kollare. Dajë Xhakomo ngrihet papritur me gjithë energjitë e veta ndërkohë që i panjohuri, thuajse duke vrapuar, i hidhet përsipër.
Një përqafim i gjatë pa mbarim dhe lotë gëzimi. Është një skenë prekëse edhe për atë që thjesht është spektator. Më në fund, të dy burrat ndahen, shihen gjithë mosbesim në sy dhe të mallëngjyer shtrëngojnë njëri-tjetrin edhe një herë në përqafim.
“Të kujtohet?”
“Më kujtohet!”
Dhe pastaj sërish lotë dhe përqafime.
Më në fund, pas disa minutash, dy shokët na bëjnë pjesëmarrës të emocioneve të tyre.
“Aldo, ky është Xhavit Demneri, miku im më i shtrenjtë dhe lojtar i kombëtares shqiptare të futbollit në vitet 1946 dhe 1948. Bashkë kemi fituar shumë beteja sportive dhe kemi ndarë si gëzimin, ashtu dhe pikëllimin e atyre kohëve”.
Spartaku, drejtori që kishte njoftuar Demnerin për ardhjen e shokut të vet, nuk fliste, ishte paksa në shmang për të ndarë kënaqësinë dhe lumturinë e sinqertë të dy protagonistëve.
Edhe Toli mbeti i shtangur para kësaj skene të papritur miqësie të thellë.
Xhakomo dhe Xhaviti, të ulur tashmë në kolltukë njësh, vazhdojnë të risjellin në jetë kujtimet e tyre.
Thuajse në majë të gishtave, Spartaku u sjell dy kafe ekspres dhe ulet krah nesh, ndërkohë që dy shokët e ngushtë, të pashqetësuar, thellohen në kujtimet e tyre mes buzëqeshjesh e lotësh.
“Epo, pas dyzet e sa viteve kushedi sa emocione duhen jetuar edhe një herë! Si thua Toli?”
“Sigurisht, më mirë t’i lëmë vetëm. Gjithsesi, mua më vajti vonë, duhet të kthehem në ambasadë, do vij t’ju takoj në mbrëmje”.
“Mirë Toli, shihemi. Mirupafshim”.
Para se të largohet, Xhaviti na fton për drekë në shtëpinë e tij ditën tjetër:
“E ke parasysh, shtëpia që ti e njeh mirë ka mbetur po ajo, të kujtohet?” thotë duke iu drejtuar dajës.
“Do vijmë, aty nga ora 13.00”, i përgjigjet Xhakomo.
“Dajë, doli prapë kohë e mirë, si thua të bëjmë një shëtitje të shkurtër dhe pastaj të kërkojmë ndonjë restorant të mirë?”
“Po, sigurisht. Shkojmë”.
Drejtohemi përgjatë bulevardit kryesor për nga stadiumi.
Pak më tej, në të majtën tonë, bie në sy mauzoleu i Enver Hoxhës, të cilin e pamë me të mbërritur, një ndërtesë në formë konike, mbi sipërfaqen e jashtme të së cilës ndërkëmbehen pjesë qelqi e të tjera me çimento. E lartë rreth 15 metra me një diametër rreth 40 m, dallohet dukshëm nga shtëpitë e varfra përreth.
Pyesim një kalimtar nëse di ndonjë restorant të mirë, i cili me një italishte të përsosur na tregon një të tillë pas ish-vilës së Enverit, ku mund të shkohet lehtësisht me këmbë.
Disa dhjetëra metra më tej dhe në mes të një parku ja ku del një vilë e madhe dykatëshe në formë katërkëndore e në stil të viteve ‘40. Në anën e pasme gjejmë bar-restorantin që na treguan: spartan, por i pranueshëm. Lokali, një ndërtesë e ulët e ndërtuar së fundmi, quhet Capriccio dhe ka edhe një sallë restoranti dhe një piano-bar të bollshëm.
Zëmë vend afër dritares me pamje nga vila e Enverit, mbi të cilën bëjnë hije pisha dhe eukalipte. Në restorant nuk ka shumë njerëz. Një kamarier servil na pikas menjëherë që jemi italianë dhe gati sa s’i besohet që mund të shpërfaqë kulturën e tij për përtejdetin bazuar në programe televizive, makina dhe futboll.
Me mirësjellje ia presim shkurt dhe i kërkojmë të hamë ndonjë ushqim tradicional.
Në veçanti, më kujtohet cilësia e një buke të verdhemë e bërë me miell misri që haja kur isha fëmijë, besoj quhet babanaz ose kallamoq. Ende më kujtohet aroma e saj kur e nxirrnin gjyshërit e mi prej furre në shtëpizën në Vlorë. Dajës i pëlqen të theksojë se babanazi është buka e zezë, ndërsa kallamoqi është ajo me miell misri.
Kamarieri ua di emrat, por nuk njeh as njërën, as tjetrën. Sa keq!
Siç ndodh normalisht, na këshillojnë pjatat e ditës (me gjasë, vetëm ato kanë), që për ne prapë është shumë mirë. Pjatancat janë të këndshme dhe po aq të veçanta. Pas drekës duam të njihemi me kuzhinierin dhe na e plotësojnë dëshirën. Pas pak vjen e prezantohet një riosh pak lozonjar dhe simpatik:
“Kuzhinieri jam, më kërkuat gjë?”
“Po, sigurisht, donim të dinim recetat…”
Na tregon se ka ndjekur një kurs gastronomie në Brindizi, prandaj dhe gjuhën e flet mirë. Duket i habitur, por i përkëdhelur në sedër nga komplimentat tona dhe unë nxitoj t’i kërkoj recetat e pjatave të pakmëparshme. Nuk ka klientë të tjerë, ndaj Boriçi, kështu e quanin, ma shuan me kënaqësi kureshtjen. Shkruaj:
Antipastë (Raki meze)
Rakia është një pije që shoqërohet me meze, domethënë copëza mishi qingji, djathë i bardhë deleje dhe ullinj.
Pjatë e parë: qull me miell misri. Receta për katër persona.
Kavërdiset në katër lugë vaji një qepë e grirë, një thelb hudhre i shtypur, dy degë selinoje dhe dy karrota të grira bashkë, 300 gram kungulleshka të prera dhe një tufë majdanoz i grirë. I hidhet kripë, piper dhe gatuhet me zjarr të ngadaltë. Në 3/4 e pjekjes, i hidhet edhe 100 cl ujë i nxehtë dhe vazhdon të ziejë. Pastaj hidhet 200 gram miell misri dhe lihet të ziejë në mënyrë që llapaja të bëhet e butë. I hidhet sërish kripë dhe djathë i grirë sipas dëshirës.
Pjata e dytë: qofte shishqebap. Receta për katër persona.
Grihen 200 gram mish viçi, 200 gram mish derri dhe 200 gram mish qingji, bashkë me dy thelbinj hudhër e një qepë, një spec dhe pak borzilok.
Përzierjes i hidhet kripë dhe piper dhe e përzien gjatë me duar; më pas e lë për dy orë në një vend të freskët. Nga kjo masë bëhen forma të rrumbullakëta sa një arrë dhe futen në një shkopinj të hollë, duke i kombinuar edhe me copa buke në formë kubi. I lyen me vaj ulliri dhe i lë të piqen përreth 10-15 minuta.
Shoqërohen me një verë të mirë të bardhë vendi.
Nuk kishte si të mungonte ëmbëlsira e zakonshme që këmbëngulin se është autoktone që, edhe këtu, si në gjithë Lindjen e Mesme në përgjithësi, e quajnë llokum.
Falenderoj Boriçin dhe i kërkoj llogarinë, bashkë me një kafe të mirë italiane.
Spektri i ish-vilës famëkeqe të Enverit bie mbi ne si kërcënim. Për të larguar shpirtrat e këqinj në atmosferën që papritur u bë e terrtë, daja vazhdoi me rrëfimin e tij:
“Kur u shpërngulëm nga Adalia në Selanik, gjyshja jote më kishte mua në bark… Pas disa vështirësish, me ndihmën e të vëllait Xhuzepe që ndodhej qysh më parë në Selanik, Vitalianoja arriti të gjente një apartament të vogël në një vilëzë ku jetonin dy familje. Sa u sistemuan në shtëpinë e re, Ema lindi djalin e aq shumë dëshiruar: mua. Bëhet fjalë për vitin 1922 dhe komuniteti Pozeli në Selanik, mes vëllezërve e nipërve me familjet përkatëse, ishte shtuar mjaft në numër. Shpesh mblidheshin me njëri-tjetrin, kalonin bashkë festat fetare, ndihmonin gjithë dëshirë njëri-tjetrin, edhe pse çdo vatër e tyre ruante karakteristikat që kishin të bënin me llojin e punës së kryefamiljarit.
Vitaliano bashkëpunonte me të vëllanë, që ishte drejtues i një firme ndërtimi që i shkonin punët fjollë. Marrëdhëniet i kishin shumë të mira dhe shoqëria e tyre forcohej duke dhënë rezultate të kënaqshme.
Familja e Vitalianos e ndante banesën me një familje refugjatësh armenë, që kishte një djalë me emrin Vahan. Ai i binte violinës, por stononte shumë. Por as edhe bezdia e atyre tingujve nuk arriti të pakësonte harmoninë e atyre dy bashkësive.
Jeta aty ishte më së shumti e qetë. Gratë i ishin përkushtuar mbarëvajtjes së shtëpisë dhe kujdesit të fëmijëve e burrave. Burrat, pasi ktheheshin të lodhur prej punës së përditshme, ulur në oborr, para një gote rakie dhe të mbështjellë nga tymi i duhanit, fillonin e komentonin për faktet e ditës.
Vitaliano kishte një qen gjahu metìs që e quanin Buk. Kafsha, pasi ishtë bërë tashmë ‘pjesëtar zyrtar’ i familjes, ishte mësuar të sillte në shtëpi blerjet e bëra në ushqimoren afër. Kthehej shumë krenar duke mbajtur në gojë rripin e një koshi plot me ushqime. Ndodhi një ditë që kur po kthehej e sulmoi një qen tjetër dhe patatet u derdhën në trotuar. Buk-u, pasi e kishte përzënë qenin që e sulmoi, i mblodhi patatet një nga një, i vuri në kosh sërish dhe i çoi në shtëpi. Që aty u kthye edhe në legjendë të lagjes.
Vitalianoja dhe i vëllai Xhuzepe më në fund ia arritën ditës që të mund të ndërtonin një banesë të vërtetë, një vilë dykatëshe.
Familja u vendos në katin përdhes dhe ia la me qera katin e parë një argjendari të pasur bashkë me të shoqen. Motrat e mia, Aurelia dhe Karmeni, arritën ta shndërronin atë që më parë ishte një djerrinë në një kopsht të këndshëm përballë shtëpisë, ndërkohë që Vitalianoja mori në pronësi pjesën e pasme të tokës dhe aty, në hijen e çinarëve, ndërtoi një gjol për rosat, një kotec pulash, një kafaz për lepujt dhe një kafaz pëllumbash.
Aurelia dhe Karmeni zbaviteshin duke luajtur bashkë në oborr dhe me kafshët në kopsht, kujdeseshin për mua dhe shkonin rregullisht në shkollë te murgeshat franceze.
Mama Ema kujdesej me mjeshtëri për mbarëvajtjen e shtëpisë, fëmijëve dhe të shoqit.
Afër vilëzës, një prostitutë ngriti një barakë ku sillte klientët e vet. Qeni, duke parë të huajt që i vinin dinakes në atë barakë, lehte shpesh dhe këtë e pagoi dhe me jetë. Pas pak kohësh e helmuan.
Një natë, disa hajdutë u përpoqën të vidhnin shtëpinë e argjendarit, i cili kërkoi ndihmë duke i rënë dyshemesë. Ema, meqë Vitaliano nuk ishte në shtëpi, nuk u mendua dy herë dhe mori çiften, e mbushi dhe filloi të shtinte në ajër duke bërtitur si e çmendur.
Hajdutët ia mbathën nga sytë këmbët. Argjendari dhe e shoqja ia ditën për nder gjithë jetën dhe i dhuruan një gjerdan perlash.
Për fat të keq, mirëqenia relative mori fund shpejt në kohën kur grekët, për shkak të politikës agresive të fashizmit, nuk u dhanë më punë italianëve, kështu që vila e bukur duhej nxjerrë në shitje dhe doli e nevojshme shpërngulja në një apartament më të përkorë.
Kryefamiljari u detyrua të shkonte në Shqipëri në kërkim të një pune, ndërsa familjen e la në Selanik. Para se të nisej, u kërkoi punëtorëve jugosllavë dhe grekë të firmës së tij të ndërtimit të bënin durim, sepse do t’i thërriste sapo të rinisnin punimet. Pak më vonë e dha rasti që një firmë italiane, Sacco, të ndërtonte një urë afër Sinanajt dhe kishte mungesë personeli. Kështu që Vitaliano, pasi ra dakord me ata të firmës, pati mundësi të thërriste punëtorët e vet dhe bashkë me ta të përfundonin punimet e urës.
Pasi e shitën vilën në Selanik, ishte e padiskutueshme shpërngulja në Shqipëri e gruas dhe fëmijëve. Me ndihmën e një punëtori, Vitaliano ngarkoi në kamionin e tij amerikan Diamond plaçkat dhe familjen e vet dhe me vullnetin e Zotit, arriti ta vinte në punë atë mjet të hallakatur që dukej se do të shpërbëhej nga një çast në tjetrin.
U deshën dy ditë udhëtim për të përshkuar rrugën prej 200 kilometrash nga Selaniku në Sinanaj, duke përshkuar rrugë të pakalueshme, rraskapitëse dhe të këqija. Natën ndaluam në kufirin mes Greqisë dhe Shqipërisë, të rrethuar nga ushtarakë grekë e shqiptarë, nën kontrollin e italianëve dhe anglezëve.
Ditën tjetër, në mbrëmje vonë, mbërritëm në Sinanaj, një vend që më së shumti ngjante me një fushim barinjsh se sa me një qendër urbane. Në errësirë nuk e gjetëm dot shtëpinë që kishim marrë me qera dhe kështu fjetëm të gjithë në makinë. Në mëngjes, pak para se të dilte dielli, edhe pse me batanije dhe veshje të trasha, i ftohti ishte aq therës sa duhej të ndiznim motorin e kamionit që të ngroheshim disi. Më në fund, pas shumë gabimesh e ngatërresash rrugësh si pasojë e mjegullës së vazhdueshme, arritëm në prag të banesës së re.
Vila e vogël, e mbështjellë prej mjegullës dhe e humbur aty në mes të fshatit, kishte një hije disi të fantazmët: ishte një ndërtim i vjetër që gati sa s’po shembej, me mure llaçi e druri që tregonin edhe të çara të dukshme. Çatia rakitike as që bëhej fjalë të të jepte siguri dhe bari i harlisur e mbështillte sikur donte t’i merrte frymën. Pasi hapëm trinën kërkëllitëse dhe gjithë pluhur, duhej të çanim udhën nëpër rrjetat e merimangave. Dy dhoma të errëta, një kuzhinë e nxirë nga tymi, një banjo alla turke dhe lavamani prej guri në gjendje të mjerueshme e hundëshpues nga aroma e keqe.
Për fat të keq, duhej t’i bënim ballë ligjit të rëndë të mbijetesës: pavarësisht ankesave të gruas dhe murmuritjeve të kalamajve, duhej të përshtateshin.
Vitaliano nuk e humbi toruan. Me ndihmën e punëtorëve të vet, forcoi çatinë, futi karton në të çarat e mureve për të thithur lagështirën dhe kositi barërat e këqija. Gratë, me fshesa të vogla e të mëdha, bënë ç’ishte e mundur për ta pastruar atë karakatinë.
Disa ditë më vonë, mama Ema, ndërkohë që po mundohej të ndizte oxhakun në kuzhinë, dëgjoi ulërimat e Karmenit që po luante në dhomë. Një gjarpër kishte nxjerrë kokën nga mbushjet e kartonit. Reagimi i parë ishte t’u kërkonin ndihmë fqinjëve dhe punëtorëve të Vitalianos për ta përzënë gjarprin, që gjithaq ishte trembur nga gërthitjet dhe kishte hyrë në strofullën e vet.
Punëtorët dhe banorët e zonës nuk ua këshilluan këtë veprim, përkundrazi, e quajtën me fat këtë ngjarje, sepse vendi ishte mbushur plot minj dhe gjarpërinjtë ishin armiqtë e tyre të betuar dhe përveç kësaj, nuk përbënin rrezik për njerëzit.
Pra, ato të çara u pa se ishin thjesht shtëpiza e një familjeje të mirëushqyer gjarpërinjsh. Kështu që për nja një vit, derikur përfunduan punimet e urës, qemë të detyruar të bashkëjetonim me një bashkësi zvarranikësh që për më tepër, nuk të binte në qafë.
Me të mbaruar punimet, firma u zhvendos në Gjirokastër, ku filloi puna për rindërtimin e qytetit.
Kështu që e gjithë familja, siç ishte, ndoqi nga pas firmën e Vitalianos.
Morën me qera një shtëpi shumë mikpritëse në pjesën e epërme të qytetit; prej aty, përgjatë kurrizit, mund të shijoje një panoramë të mrekullueshme.
Si gjithë qytetet e nënshtruara bastisjeve të pushtuesve të dikurshëm, edhe Gjirokastra ishte ndërtuar në funksion të nevojave të veta mbrojtëse.
Qyteti i vjetër varej për kodre me shtëpitë e veta me çati karakteristike të mbuluara nga rrasa të mëdha guri të murrme. Arkitektura tradicionale e qytetit të vjetër ishte shumë e bukur dhe e mirëmbajtur, shtëpitë nuk kishin ballkone, por shumë dritare ngjitur njëra me tjetrën me korniza të punuara. Nga përpara tyre kishte veranda shumë elegante, të cilat zbukuronin fasadat, ndërsa të tjera më të vogla ishin të ndërtuara në cepat e banesave, duke u mbivendosur te njëra-tjetra, nëpër rrugicat e tatëpjeta dhe të ngushta të qytezës. Rrugicat ishin shtruar me kalldrëm, me një simetri shumë të kujdesshme, por ku kishin lënë gjurmë thellësisht rrotat e qerreve që shkonin në ara.
Drejt fushës po ndërtoheshin lagje të reja. Përbri shtëpisë sonë ishte ajo e Enver Hoxhës.
Vitalianoja dhe babai i Enverit u njohën dhe u miqësuan. Shpesh takoheshin për shkak të pasionit të përbashkët për gjuetinë dhe bënin shaka në gjuhën turke, të cilën e njihnin që të dy.
Paratë për qeranë e asaj shtëpie të bukur shumë shpejt nuk mjaftonin më, pasi puna po pakësohej dhe nuk ishte e lehtë të mbaje një familje të madhe, të cilës i ishte shtuar edhe nëna e Emës, Serafina, të cilës i kishte vdekur i shoqi para pak kohësh. Morëm me qera një apartament të vogël sipër një furre, por shumë shpejt u pa se ishte plot me minj të uritur që brenin gjithçka.
Gjarpërinjtë i duruam për thuajse një vit, po tani të duroje dhe minjtë as që bëhej fjalë, ndaj u detyruam të bënim gati plaçkat edhe një herë.
U shpërngulëm në një apartament në rrugën kryesore që të çonte drejt qendrës së qytetit. Vitalianoja, pasi ra dakord me të zotin, e kurseu qeranë duke ndërtuar si këmbim një verandë në katin e parë të asaj ndërtese. Firma e tij filloi të njihej dhe ta kërkonin për rindërtimin e banesave dhe shtëpive të disa familjeve italiane që kishin ardhur aty prej pak kohësh.
Kështu që mirëqenia filloi përsëri të na trokiste në derë.
Mes rruginave të ngushta të Gjirokastrës, Enveri, atëherë njëzetvjeçar, takoi për herë të parë Aurelian, që në atë kohë ishte 16 vjeç. Kur u fejua Tahiri, një prej djemve të të zotit të shtëpisë së Vitalianos, u bë një festë e madhe, ku u ftuan shumë të rinj të mëhallës, midis të cilëve Aurelia, Karmeni dhe Enveri. Gjatë festës, të gjithë, të rinj e jo të rinj, këndonin e kërcenin nën tingujt e mandolinave. Rreth oxhakut, të ulur në shilte dhe sixhade, hëngrën e pinë me bollëk dhe aty nga mbrëmja, sidomos të rinjtë, nuk mund të rrinin dot në këmbë. Kjo ishte hera e dytë që Enveri pa Aurelian dhe aty i ra në kokë.
Aurelia ishte vajzë e bukur, e gjatë, këmbëhollë, me fytyrë të rregullt, flokë gështenjë-të kuqërremtë dhe me kaçurrela, vështrimshpenguar, me karakter të fortë, elegante në lëvizje dhe në veshje. Një vajzë e huaj, shumë e ndryshme nga vajzëria e qytetit, e cila tërhoqi menjëherë vëmendjen e të riut Enver.
Enveri ishte një djalosh i bukur, brun, i shkathët, simpatik, pak mendjemadh, me ide politike radikale. Në moshën 16 vjeçare kishte qenë mes themeluesve të shoqërisë së studentëve të Gjirokastrës, përshkuar nga shpirti demokratiko-revolucionar, ku kishte mbajtur rolin e sekretarit. Udhëhoqi protestën e studentëve progresistë kur selia e tyre u mbyll nga qeveria një vit pas themelimit.
Më pas, Enveri iku nga Gjirokastra dhe shkoi në Korçë, ku vazhdoi studimet në liceun francez të qytetit.
Aty Enveri lexoi për herë të parë Manifestin e Partisë Komuniste të cilin ia dha një punëtor me emrin Koçi Bako dhe po në këtë kohë mësoi edhe për Revolucionin Socialist të Tetorit. U zhyt në leximin e atyre ‘filozofive të reja’ që e mbushën me entuziazëm dhe i shërbyen si baza për prirjet e tij politike.
Ndërsa Aurelia sapo kishte mbaruar gjimnazin e murgeshave franceze të Selanikut dhe ishte bërë zonjushëza e shtëpisë.
Vendi ishte i vogël dhe shpesh vështrimet e Aurelias dhe Enverit ndesheshin.
Çfarë nuk bëri djaloshi për t’u miqësuar me Aurelian! Kalonte shumë më shpesh para shtëpisë sonë për të rënë sy. Me ndihmën e të motrës Xhemiles, i solli edhe disa pusulla. U prezantua te prindërit tanë dhe kështu u bë mik me ta.
Aurelias i rrëfeu krenarinë e tij prej patrioti dhe vullnetin e rebelimit ndaj politikës shqiptare të kohës. U përpoq ta bindte ta ndiqte në idealet e tij. Por idetë e Aurelias ishin shumë larg nga ato të shokut të saj. I propozoi edhe të fejoheshin, por mori si përgjigje një refuzim të prerë: shokë po, por asgjë më shumë.
Enveri nuk u dorëzua dhe vazhdonte të mendonte për atë vajzë aq të ndryshme nga gjithë të tjerat që kishte njohur.
I sillte dhurata, vazhdonte t’i propozonte vazhdimisht. Pritja e vajzës, sa herë ai kthehej nga Korça, ishte shumë e vakët. Por as Enveri nuk ishte tipi që e lëshonte aq lehtë prenë.
Familjet përkatëse njiheshin, kishin respekt, por nuk kishin shumë hyrje-dalje. Këtë ndryshim e vuloste arsimi dhe niveli shoqëror, përveçse dhe kombësia.
Familja jonë gëzonte njëfarë lartësie dhe rëndësie shoqërore që vinte si pasojë e firmës së ndërtimit dhe nga përkatësia e rrethit të ngushtë të komunitetit të mrekullueshëm italian.
Familja e Enverit, me të atin punëtor dhe nënën shtëpiake, bënte një jetë të thjeshtë dhe ishte e lidhur rrënjësisht pas traditës shqiptare.
Motra e Enverit, Xhemilja, ishte shoqja e vërtetë dhe e vetme e Karmenit, e cila ndjehej përherë e mposhtur nga personaliteti i fortë i Aurelias. Xhelozia e lehtë për motrën e madhe, e bukur dhe në qendër të vëmendjes, e shoqëroi për gjithë jetën.
Karmeni dhe Xhemilja shoqëroheshin sepse pak a shumë plotësonin njëra-tjetrën. Karmeni ndjehej e mbrojtur nga Xhemilja, që ishte disa vite më e madhe se ajo, ndërsa Xhemilja ndjehej e rëndësishme para asaj vogëlusheje gjithë hidhësi, por të trishtuar e të vetmuar.
Në verën e vitit 1930 Enveri mbaroi me rezultate shumë të mira studimet në liceun e Korçës dhe po atë vit fitoi një bursë studimi në Fakultetin e Shkencave Natyrore në Monpelje, Francë.
Krenar dhe ballëlartë, Enveri u kthye në Gjirokastër për pushimet verore. Vazhdoi të kërkonte Aurelian.
I tregoi gjithë përvojën e vet franceze dhe i dhuroi një libër që ajo e ruajti me fanatizëm përgjatë viteve.
Libri Les cent vues de Paris me një dedikim dhe autograf, “En souvenir d’amitié Enver Hoxha étudiant an Médicine. Gjirokastër 21 – VIII 1930” përshkruante monumentet më të rëndësishëm të Parisit.
Enveri u kthye në Monpelje për studimet, por në të vërtetë interesi i tij drejtohej përherë e më shumë kah politika.
Ndiqte me interes të veçantë konferencat e Partisë Komuniste Franceze për shoqatat e punëtorëve.
U zhvendos në Paris, ku u thellua në studimin e veprave të Marksit dhe Engelsit dhe provoi të vazhdonte universitetin.
I entuziazmuar nga leximet e reja mbi filozofinë marksiste, u kthye në Gjirokastër, duke u përpjekur ta bindte Aurelian të bëhej pjesë e atij zbulimi revolucionar, në të cilin ai tashmë besonte verbërisht.
Aurelia nuk i kuptonte ato ide të çuditshme, kaq shumë të largëta nga bota e saj. Kështu që miqësia e tyre u zbeh, mendimet e tyre morën drejtime të kundërta.
Mirëkuptimi dhe besimi i një kohe ia lanë vendim moskuptimit dhe dyshimit.
Enveri vazhdonte të vërtitej sa në Paris në Gjirokastër, duke vendosur kontakte me personat ‘e padëshiruar’ nga Mbreti Zog I.
Aurelia ndiqte mbarëvajtjen e shtëpisë, drejtonte me vendosmëri punët e shtëpisë dhe ishte shumë e rreptë me ne.
Gjatë njërës prej vizitave të tij të fundit në Gjirokastër, Enveri mori edhe refuzimin e patundur dhe përfundimtar të Aurelias. Këtë e konsideroi si një shuplakë dhe, mbushur me inat, iu betua vetes së nuk do ta shihte më kurrë me sy atë grua.
Unë vazhdoja studimet e qëndrueshme në kolegjin e Piaristëve në Korfuz, nën kontrollin dhe tutelën e priftërinjve të rreptë dhe kërkues, por që ama në kohën e lirë luanin me kënaqësi futboll me fëmijët.
Pushimet i bëja në shtëpi. Kisha një pasion shumë të madh për kafshët dhe kaloja shumë kohë në ‘kopshtin zoologjik’ që kishte ndërtuar babai pas shtëpisë.
Italianët gëzonin vlerësimin e të gjithëve: punonin dhe u jepnin punë vendalinjve.
Në komunitetin italian gëlonin takimet, mblidheshin në shtëpitë e njëri-tjetrit për çaj, flitej për politikë, ekonomi, tregti, zhvillim industrial, për problemet mes kombësive të ndryshme.
Kishin ngritur madje edhe një rreth të brixhit, lojë të cilën vogëlushja Karmen e zotëronte mrekullisht. Edhe don Marioja, prifti katolik i Korfuzit, vinte në shtëpinë tonë kur shkonte të mbante meshë në kishë.
Xhuzepe Terruzi lindi në Palermo në vitin 1900, por banonte në Pulia, në qytezën e Kastelanetës. Banonte me nënën Rozën dhe të motrën Kiara, me të cilat ishte shumë i lidhur. I ati Nikola ishte marrosur pas një gruaje tjetër, i kishte braktisur gruan e fëmijët dhe jetonte me gruan e re në Sala Konsilina në Kampania. Që nga ai çast, Xhuzepja nuk e pa kurrë më, duke ushqyer për të gjatë gjithë jetës përçmim.
Me t’u diplomuar për drejtësi në Bari, ishte regjistruar vullnetarisht pranë Regjimentit të 48-të të Këmbësorisë, duke e përfunduar shërbimin ushtarak me gradën toger.
Në vitin 1922 gjeti punë në ministrinë rajonale të Pronës Shtetërore dhe Taksave në Taranto.
Në Kastelaneta kishte pasur fqinj dhe shok një bashkëqytetar të destinuar për t’u bërë i famshëm me emrin Rodolfo Valentino. Shtëpitë e tyre, ose më mirë, shtëpitë e prindërve të tyre, ishin përballë njëra-tjetrës. Me karaktere krejtësisht të ndryshëm, ata kishin emërues të përbashkët elegancën në veshje dhe sjellje.
Takimi i tyre i fundit, në vitin 1924, ndodhi pikërisht në Kastelaneta në lokalin në Sheshin Umberto I, ku të dy e kishin bërë zakon të pinin kafen dhe të ndiznin nga një cigare.
Xhuzepe, 5 vjet më i ri se Rodolfo, e konsideronte mjeshtër të elegancës dhe i imitonte stilin. Rodolfo, që e kishte zakon shakanë, theksonte se Xhuzepe banonte tashmë në një rrugë, Rruga Terruzi, që kishte marrë emrin e tij, ndërsa ai, që banonte në Rrugën Roma dhe që e kishte njëfarë nami, do të duhej të priste edhe pak para se t’i vihej emri i tij ndonjë rruge.
Pas dy vjetësh, në vitin 1926, erdhi lajmi i vdekjes së papritur të Rodolfos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në 1929, Xhuzepe, pasi kishte fituar konkursin për një vend pune në një bankë të rëndësishme, Credito Italiano, filloi punë në Bari, në vitin 1931 kërkoi transferimin jashtë shtetit, ku fitimet ishin më të mëdha.
Falë profesionalizmit të tij dhe sidomos përvojës, edhe për arsye se nuk ishte i lidhur me kahe politikë, ia plotësuan kërkesën dhe e dërguan në Shqipëri, në rolin e zëvendësdrejtorit të filialit të Gjirokastrës.
Një burrë i bukur, gjithmonë elegant, i gjatë, me fytyrë që shndriste, flokë të shtrirë ngjyrë gështenjë, sy kaf, ishte i përkushtuar ndaj punës dhe shumë kërkues ndaj vetes, por në të njëjtën kohë i kuptueshëm me vartësit dhe zemërmadh me më të dobëtit. Cilësitë e tij brenda pak kohe ngjallën simpati në rrethin e Italianëve të Gjirokastrës. Përveç kësaj, ishte edhe një lojtar shumë i mirë brixhi, gjë që nuk prishte punë.
Pas Luftës së Parë Botërore, krijimi i protektoratit italian, me vullnetin për të mbajtur një shtet shqiptar të pavarur, u kishte sjellë italianëve përparësi të mëdha përsa i përket fushës politike (kontrast i aspiratave franceze në Ballkan), asaj ushtarake (ndërprerja e vazhdimësisë së pushtimit të serbëve dhe grekëve të bregut lindor të Adriatikut, plus edhe kontrollin e Kanalit të Otrantos) dhe ekonomike (duke pasur parasysh ‘vlerën e madhe të tranzitit’ të territorit shqiptar).
Shqipëria në fakt, kishte një vlerë strategjike për ekuilibrin adriatik dhe përbënte portën kryesore për një zgjerim ekonomik drejt Lindjes.
Në vitin 1925 u shpall Republika Shqiptare me në krye Ahmet Zogun, i cili i kishte varur shpresat në ndihmën financiare të regjimit fashist për të forcuar pushtetin e tij në vend. Banka Kombëtare e Shqipërisë do të financohej nga Italia dhe do të drejtohej nga organe-shoqëri me shumicë italiane. Administrimi i institutit iu besua Amedeo Gambinos, i cili bashkëpunoi ngushtë me drejtorët e filialeve në Shqipëri.
Banka Kombëtare e Shqipërisë u themelua në Romë në 2 shtator 1925. Edhe pse statusi e detyronte të përshtatej me gold exchange standard, që në fillim ajo filloi të vepronte me gold standard, duke siguruar konvertim të plotë të bankënotave të veta në ar. Banka e Italisë nuk e pëlqeu shumë këtë procedurë, sepse Banka Kombëtare e Shqipërisë ishte thjesht tentakulë të saj.
Fan Stilian Noli, prifti ortodoks shqiptar që ushtronte një veprimtari të fortë politike kundër qeverisë, udhëhoqi revolucionin e parë demokratik shqiptar, duke e detyruar Ahmet Zogun, atëherë kryeministër i Shqipërisë, të ikte në mërgim dhe duke zënë vendin e tij.
Pak muaj më vonë, revolucioni dështoi si pasojë e mbështetjes së regjimit të vjetër të trupave bjellogardiste, që ndodheshin në Jugosllavinë fqinje.
Ahmeti hyri sërish në lojë dhe në janar të vitit 1925 u zgjodh president i Republikës së sapokrijuar të Shqipërisë nga Ansambleja e Përgjithshme. Noli u detyrua të mërgojë.
Qeveria e Zogut frymëzohej nga modele europiane, edhe pse një pjesë e madhe e Shqipërisë kishte ende një strukturë shoqërore të pandryshuar nga koha e sundimit otoman dhe pjesa më e madhe e fshatrave udhëhiqej ende nga bejlerët.
Edhe pse mysliman, Zogu ndërkalli disa reforma, për shembull, ndaloi përdorimin e perçes për femrat dhe sanksionoi mizoritë kundrejt kafshëve.
Aleatja kryesore e Zogut gjatë kësaj periudhe ishte Italia, e cila i dha borxhe qeverisë së tij në këmbim të një pjesëmarrjeje më të madhe në menaxhimin e tatimeve shqiptare. Gjatë presidencës së vet për herë të parë që nga vdekja e Skënderbeut, dalëngadalë skllavëria filloi të zhdukej dhe Shqipëria filloi të ngrihej më shumë si komb se sa si agregat feudal i bejlerëve të krahinave.
Pushteti në rritje i Italisë në Shqipëri ishte i dukshëm për të gjithë, garantonte integritet dhe pavarësi, përveçse dhe një ndihmë të madhe ekonomike.
Zogu, pasi vendosi aleancën me Qeverinë e Romës, u shpall Mbret i Shqiptarëve me emrin Zogu I më 1 shtator 1928, duke ngritur një monarki kushtetuese të ngjashme me atë të Italisë së asaj kohe. Krijoi një polici të fuqishme, shpiku “përshëndetjen zogiste” (dora e djathtë njësh mbi zemër me pëllëmbën drejtuar para) dhe pretendoi të ishte pasardhës i heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut.
Zogu I, i shpërfillur nga mbretërit e tjerë të Europës, me mbështetjen e qeverisë italiane, arriti të grumbullonte një pasuri të tërë në monedha ari dhe gurë të çmuar, të cilat rrjedhimisht i përdori për të financuar kartmonedhën e parë shqiptare.
Në Shqipëri mbretëronte mospajtimi dhe disa fraksione të ndryshme i bënin karshillëk qeverisë. Italia, ashtu si Europa, për fat të keq, nuk bënte gjë tjetër veçse ‘i shtinte benzinë zjarrit’.
Me qëllimin që të garantohej pavarësia politike dhe territoriale e shteteve të vogla e të mëdha dhe në vijim të pretendimeve territoriale të vendeve fituese të Luftës së Parë Botërore, u themelua edhe Lidhja e Kombeve. Për një moment, Italia u tërhoq me polemika nga konferenca në shenjë proteste për lëshimet e munguara territoriale në Jugosllavi, por më vonë hyri sërish.
Shtypi italian filloi të fliste për një ‘fitore të gjymtuar’.
Traktati i Rapalos gjithsesi i dha fund çështjes italiane të Adriatikut, duke ia caktuar Dalmacinë Jugosllavisë dhe duke e deklaruar Fiumen qytet të lirë.
Në valën e pakënaqësisë popullore, Musolini themeloi vijat e para të luftës, formacione paraushtarake të bazuara në një ideologji antidemokratike, që, edhe pse nxirrnin në pah virtytet heroike, i bënin hosana edhe dhunës me qëllimin e vetëm për të rrëmbyer pushtetin. Lëvizjet sindikaliste u shoqëruan me trazira në sheshe dhe bastisje dyqanesh.
Pas një viti dhune dhe frike, në tetor 1922 fashistët marshuan në Romë. Në 28 tetor mbreti emëroi Musolinin kryeministër, i cili mundi kështu të merrte pushtet të jashtëzakonshëm për të rivënë rregullin. Qeveria u formua nga fashistë liberalë dhe popullorë. Lindi kështu Këshilli i Madh i Fashizmit, organ komandues, si dhe Milicia Vullnetare për Sigurinë Kombëtare, një trupë e armatosur që nuk u betua për besnikëri ndaj mbretit.
U njoh edhe pavarësia italiane ndaj Fiumes me firmën e marrëveshjes italo-jugosllave dhe dy kombet firmosën njëherësh edhe një pakt miqësie.
Por në Europë po shfaqeshin re stuhie në horizont.
Vdiq Lenini dhe pushteti në BRSS i kaloi Stalinit.
Në Gjermani, Hitleri filloi të organizonte partinë Nacional-Socialiste.
“Zotërinj, ja kafeja dhe llogaria”.
“Faleminderit”.
Pyesim nëse paguhet me lira italiane; përgjigjen po, i marrin, përveç monedhave metalike, që zor se mund të këmbehen. Paguajmë njëmbëdhjetë mijë lira secili, por vendosim t’u japim bakshish për mirësjelljen dhe u lëmë mbi tryeze edhe dy kartëmonedha të tjera mijëshe.
“Mirë, dajë, ka kaluar ora 3 pasdite. Them se është mirë të bëjmë ndonjë shëtitje sa për të tretur ushqimin”.
“Sigurisht”.
Kthehemi në rrugën e madhe dhe vazhdojmë drejt stadiumit të vjetër.
Jo shumë larg një turmë e madhe që ka zënë pothuajse gjithë bulevardin, afrohet drejt nesh. Pyesim çfarë po ndodh. Për një moment hutohemi.
“Dajë, a ka ndonjë mundësi që të kenë hapur fjalë dhe të të kenë përgatitur ndonjë festë?” i them unë me shaka.
“S’e besoj”, më përgjigjet ai.
Pastaj na kujtohet që është e diel dhe kuptojmë se gjithë ata njerëz sapo kanë dalë nga stadiumi. Disa syresh komentojnë ndeshjen me zë të lartë, ka të tjerë që bëjnë gjeste, kush qesh, kush vrapon, por turma është kompakte dhe na kalon ndanë pa na krijuar probleme.
Shohim njëri-tjetrin dhe mendojmë që afër ndonjë stadiumi italian nuk do të kishim pasur të njëjtat ndjesi ndoshta. Me të mbaruar lumi njerëzor, vendosëm të bëjmë prapa-kthehu, pa shkuar të stadiumi, do të vijmë një ditë tjetër, është vonë dhe ka filluar të mugullohet.
Në kthim e kalojmë hotelin dhe vazhdojmë drejt Sheshit Skënderbej. I ndriçuar dhe i mrekullueshëm. Shumë të rinj takohen nën monumentin e heroit dhe kudo, deri te xhamia, ka një mizëri njerëzish. Na bën shumë përshtypje falja karakteristike që nga lartësia e minaresë shpërhapet kudo.
Ka ardhur ora e darkës, por nuk kemi shumë uri, meqë edhe dreka qe mjaft e rëndë. Pasi kthehemi në Dajti, takojmë Spartakun, i cili, si përherë shumë i sjellshëm, na pyet nëse duam të hamë darkë. I përgjigjemi duke thënë se do të na e kishte ënda më shumë nga një çaj.
Zëmë vend në sallon dhe shohim televizor, ku po jepet përmbledhja e një ndeshjeje futbolli të kampionatit italian, kthejmë nga një gllënjkë çaji dhe disa ëmbëlsira të vogla. Daja, pasi dëgjoi lajmet italiane dhe i lodhur nga gjithë ajo ditë, më uron natën e mirë. Unë rri edhe për nja dhjetë minuta të tjera, pastaj shkoj në dhomën time.
Lexo edhe:
Një varr për Xhuzepe Terruzin – Parathënie e librit nga Agron Tufa
Një gur në muzeun e kujtesës – Parathënie e librit nga Gëzim Peshkëpia
“Brenga ime shqiptare”. Përtej detit, aty ku lind dielli – Përsiatje rreth librit nga Eugjen Merlika