Nga Rando DEVOLE
Nëse me burg nënkuptojmë heqjen e lirisë, Shqipëria totalitare, para rënies së Murit të Berlinit, ishte në një farë mënyre një burg i madh me sistemin e kutive kineze. Ishte burg vendi ku izoloheshin të burgosurit politikë, ishte burg fshati ku internoheshin kundërshtarët politikë dhe familjet e tyre, ishte burg në qiell të hapur e tërë Shqipëria nga ku nuk mund të dilje pa lejen e regjimit. Në një farë mase, ishin të gjithë të mbyllur, fizikisht dhe/ose mendërisht, ndryshonin kryesisht hapësirat e kufizimit dhe vuajtjet e burgimit. Natyrisht, duhen shmangur relativizime lidhur me përgjegjësitë, si edhe krahasime të pavend midis atyre që vuanin në burgje dhe atyre që ishin jashtë. Në të njëjtën mënyrë duhet fshirë shenja e barazimit midis viktimave të regjimit komunist e xhelatëve që mbanin pushtetin. Megjithatë, duhet pranuar se burgu në format e tij të ndryshme – nga reali tek potenciali e deri tek simboliku -, ishte shumë i pranishëm në jetën e shqiptarëve gjatë regjimit stalinist. Si provë për këtë mund të kujtojmë se telat me gjemba shtriheshin deri gjatë kufirit dhe folja “arratisem”, përdorej jo vetëm për ikjen nga burgu, por edhe për atë që donte ta linte vendin e të emigronte jashtë shtetit, çka përbënte vepër penale dhe shkaktonte pasoja të rënda për të gjithë familjarët.
Romani Piccola saga carceraria, e Besnik Mustafaj, i porsa botuar në Itali nga shtëpia botuese Castelvecchi (Romë 2018, përkthyer nga Caterina Zuccaro) bën një operacion shumë interesant. Nga një anë i shton burgut përmasa të reja hapësinore e kohore, nga ana tjetër ia heq atij karakterin fizik e të prekshëm. Në fakt, historia e romanit del nga kufijtë kohorë të totalitarizmit e shtrihet për të gjithë shekullin e XX ballkanik, duke përshkuar breza e krahina të ndryshme. Më pas hyn në ndjenjat e personazheve dhe në marrëdhëniet me njerëzit për të përshkruar burgun tjetër, atë jo material, të paprekshëm, të padukshëm, me mure dhe hekura abstrakte, të ndërtuara në mendjen e njerëzve. Një burg i tillë nuk do të thotë se është më pak shtypës e i rëndë për individin. Përkundrazi.
Në qendër të rrëfimit është i burgosuri politik Bardhyl Huta, për historinë e të cilit burgu përfaqëson një farë “filli i zi” që përshkon jetën e vet personale e familjare: ai është në fakt nip i një të burgosuri të kohërave të hershme dhe bashkëshort i një gruaje familja e të cilës ishte e lidhur me burgun, ndonëse nga ana tjetër e hekurave. Duket se fati i Hutës e i familjes së tij është burgu. Evokimi i burgut kishte rënduar gjithnjë mbi familjen time si ankth i verbër, thotë diku Bardhyli, që më pas prangoset, çka i bën të njohurit të thonë se familja Huta e kishte burgun në gjak.
Romani përbëhet nga tri pjesë. E para i kushtohet historisë së gjyshit Oso Huta, që u prangos pasi u përlesh me xhandarët e mbretit, dhe marrëdhënies me djalin e vet, që rritet midis tabusë se burgut, mungesës së babait e mitit të ushqyer nga njerëzit. Gjithçka rrotullohet si vorbull rreth ankthit të djalit të rritur pa figurën atërore, por gjithnjë e pranishme dhe e zmadhuar në gojën e të tjerëve. Oso Huta, thuhet në roman, ishte i vetmi njeri të cilit i këndohej ende për së gjalli. Nën shtysën e famës së babait e nën ndikimin e idealizimit të tij heroik, i biri rritet shpejt dhe futet para kohe në rrethin e të rriturve. Pastaj kemi takimin me të atin real, pikërisht në burg.
Në librin e Besnik Mustafaj burgu merr një valencë universale, duke përshkuar breza, epoka e sisteme, duke mbetur në fund pa kohë, si një sintezë perverse e marrëdhënies mes shtetit e individit, pushtetit e qytetarit, diktaturës e lirisë. Në libër burgu mbetet një konstante, një pikë referimi, edhe si godinë. Lexuesi mëson se burgu nuk e ka ndryshuar kurrë ndërtesën që nga pushtimi otoman, një fakt që ndodh shpesh: ndryshojnë sisteme, qeveri, pushtues, gardianë, të burgosur, por burgu mbetet në të njëjtin vend.
Pjesa e dytë e romanit përqendrohet tërësisht tek Bardhyli dhe burgimi i tij politik. Refleksionet e tij janë vërtet me intensitet e intimitet të madh. Burgu bëhet jo vetëm vendi i dhimbjes fizike dhe i vuajtjes psikologjike, por edhe vrimë e zezë e dashurisë, ku ndjenjat rrezikojnë të mbeten në kurth e të zhduken në errësirën e së tashmes së sfilitur. Por burgu i Shqipërisë totalitare bëhet edhe një vend reflektimi ku mund të njihet më mirë realiteti dhe vetja. Është pikërisht në burg, nga një pikëpamje “e privilegjuar”, që i burgosuri politik Bardhyl Huta ia del të shikojë çka të tjerët nuk shikojnë, si për shembull synimin e regjimit për ta shpërfytyruar gjuhën për ta eliminuar shprehjen e ndjenjave personale si dhimbja, dashuria, trishtimi, ankthi, pra gjithçka që e bën njeriun njeri. Por refleksionet me interioritet të thellë të të burgosurit për dashurinë e për ndjenjat tingëllojnë si shpagim e rebelim ndaj regjimit duke u përpjekur të arratiset në një vend tjetër ku frymëmarrja mbytëse e burgut nuk e kapte dot.
I rëndësishëm është takimi i personazhit Bardhyl Huta me bashkëshorten Linda për të kaluar një natë dashurie në burg. Takim që duhet zbuluar çast pas çasti me anë të mendimeve të personazhit kryesor, si gjatë pritjes, ashtu edhe gjatë natës së shumëdëshiruar.
Në këtë kontekst shfaqet qartë burgu i padukshëm e i patruptë. Autoritet abstrakt, por obsesivisht i pranishëm, asfiksues e i shumëtrajtshëm, që herë pas here quhet Tjetri, Ai, i Treti, Dëshmitari, Roja, Spiuni, nga një i burgosur gjithnjë e më shumë konfuz, që rrotullohet marramenthi në gjendje shpirtërore si të ishte në malet ruse, nga konfuzioni në manitë e persekutimit, duke përshkuar faza kthjelltësie çarmatosëse. Burgu është vendi ku njeriu ka frikë jo vetëm nga zgjimi, por edhe nga ëndrrat. Tek e fundit, burgu nuk është vend për dashurinë.
Pjesa e tretë trajton familjen e gruas, nëna e së cilës quhet Selvi, vajza e gardianit më të vjetër të burgut, Hyqmet Hidi, që e shikon historinë dhe vendin e punës së vet nga një pikëpamje e veçantë. Edhe kjo pjesë, ndonëse zhvillohet mes dy pushtimesh, nuk harron të flasë për pushtetin e për “syrin vigjilent”, një makinë që nuk fiket kurrë, sido të shkojë historia. Tërheqëse historia e burgut bosh, i padurueshëm e i pakuptueshëm për shumë vetë. Po kështu shfaqen tërheqëse personazhe të tjera në plan të dytë, që ndoshta meritonin vëmendje më të madhe dhe shtjellim më të nyjëtuar, si Ali Qyfyrja, berberi i qytetit, mbiemri i të cilit bëhet kuptimplotë në një kontekst autoritar e tjetri, Mala i Marri, që bërtet në mënyrë profetike: «Përsëri diktatura?». Dy personazhe që tregojnë se si tallja e marria bëhen në disa periudha historike të vetmet rrugëdalje drejt lirisë.
Me një ritëm narrativ aspak linear, por vazhdimisht i ngjeshur, Piccola saga carceraria përshkruan ngjarjet e një familjeje brezat e së cilës përshkojnë gjatë shekullit XX tre sisteme politike (monarkinë, fashizmin, totalitarizmin stalinist) herë pas hekurave e herë me çelësat e rënda në dorë, gjithnjë brenda burgjeve politike. Ngatërrim rolesh që i detyron personazhet të pyesin veten se cilët janë heronjtë e vërtetë dhe cilët janë kriminelët e njëmendtë në vend.
Ndonjë element i tregimit psikologjik del në pah, nëse mbajmë parasysh vëmendjen ndaj marrëdhënieve familjare (baba-bir, nënë-bir, burrë-grua), marrëdhënieve midis njerëzve dhe vuajtjen shpirtërore të protagonistëve të romanit. Ka padyshim një tension narrativ me karakter të brendshëm, që rreket të penetrojë e të analizojë ndjenjat e personazheve, duke treguar se frika e dhuna i shpërbëjnë marrëdhëniet njerëzore dhe e konsumojnë indin shoqëror e se burgu politik i përçudnon edhe njerëzit që gjenden jashtë qelive.
Romani Piccola saga carceraria i shkrimtarit Besnik Mustafaj është libër për t’u lexuar për arsye të ndryshme, por mbi të gjitha për pyetjet madhore që shtron dhe historitë e personazheve të tij. Por në roman burgu politik është vetëm mjet, artific, metaforë, për të folur në thelb për lirinë. Në analizë të fundit, në qendër të romanit vendoset liria, që del nga faqet e tij gjithnjë e më e çmuar dhe jetike për njeriun.
**********
Besnik Mustafaj
(Bajram Curri, Shqipëri, 1958) Politikan e shkrimtar, ka qenë i pari ambasador shqiptar në Paris i epokës postkomuniste 1992-1997 e Ministër i jashtëm në vitet 2005-2007. Veprat e tij janë përkthyer në disa gjuhë dhe më 1997 është vlerësuar me çmimin Prix Méditerranée étranger. Në Itali janë botuar sprovat Albania. Tra crimini e miraggi (1993) dhe përmbledhja me poezi Leggenda della mia nascita (2012). U tërhoq nga jeta politike në vitin 2009 për t’iu kushtuar veprimtarisë letrare.
Versionin në italisht të recensionit e gjeni të botuar në revistën “Confronti”
Il carcere come metafora