in

Pasaportat biometrike. Për toponimet greke zgjidhje sipas të drejtës ndërkombëtare

Ministri Bushati priti zëvendës kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Venizelos. Lidhur me problemin e toponimeve greke në pasaportat biometrike shqiptare, ministrat thonë se po shkon drejt zgjidhjes “sipas të drejtës ndërkombëtare”

Tiranë, 21 shkurt 2014 – “Kemi gjetur gjuhën e përbashkët në parim për të konsideruar çështjen e toponimeve si një çështje të një karakteri të qartë teknik, dhe përsa na takon do të trajtohet si çështje në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”. E ka pohuar ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me zëvendës kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Evangelos Venizelos.

Edhe ministri Venizelos u shpreh se çështja e toponimeve nuk është politike dhe nuk duhet konsideruar e tillë. “Vlerësoj deklaratën e z. Bushati se çështja e toponimeve nuk është politike, nuk ka paragjykime, por ka respekt të madh dypalësh për fqinjësi të mirë dhe zgjidhet teknikisht sipas të drejtës ndërkombëtare, e cila do të na japë një zgjidhje të shpejtë, të plotë dhe të zbatueshme edhe për çështje që kanë të bëjnë me probleme që i takojnë çështjeve tokësore dhe detare”, tha Venizelos.

Bëhet fjalë për të gjithë ata qytetarë shqiptarë të lindur në Greqi që kanë në pasaportë vendin e lindjes të shkruar vetëm në gjuhën shqipe. Greqia pengon qarkullimin e këtyre personave pasi nuk njeh vendlindjen e tyre të shkruar në gjuhën shqipe. Problemi është ngritur prej kohësh, bëhet akut në periudha festash me lëvizje në masë, veçanërisht të emigrantëve, që ndalohen në kufirin greko-shqiptar.

Problemi i drejtshkrimit të vendlindjes së mbajtësve të pasaportave shqiptare është i kapërcyeshëm për sa kohë në regjistrat e Zyrave të Gjendjes Civile e më pas edhe në pasaportë shkruajnë emrat e qyteteve siç janë në certifikatat e lindjes (pa i shqipëruar) për shembull, Firenze (dhe jo Firence), Venezia (dhe jo Venecia), New York (dhe jo Nju Jork). Gjë që nuk është e mundur kur vendlindja është në Greqi, sepse në origjinal këta emra nuk janë të shkruara në germa latine. Në dokumente si pasaporta për Greqinë nuk mund të shkruhet as vetëm Selanik, apo Kostur, apo Korfuz, që janë emrat në gjuhën shqipe të këtyre vendeve, e që Greqia nuk i njeh.

Cila është zgjidhja përfundimtare? “Në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, siç thotë sot ministri i Jashtëm Bushati. Sepse problemin e ka zgjidhur Organizata e Kombeve të Bashkuara me një nga Konferencat për Standardizimin e Emrave Gjeografikë. OKB rekomandon përdorimin e Katalogut të emrave gjeografikë të vendeve të ndryshme, të miratuar në New York, në vitin 1998. Sipas këtij katalogu, në dokumente zyrtare, apo harta gjeografike, të gjithë emrat e Greqisë duhet të shkruhen siç shqiptohen në gjuhën greke, por të konvertuar me germa latine: Thessaloniki për Selanikun, Kastoria për Kosturin, Florina për Follorinën, Kerkira për Korfuzin, etj.

Kështu duhet t’i shkruajë edhe Shqipëria. Problemi, që në thelb duket i thjeshtë, fatkeqësisht për mijëra shqiptarë, deri tani nuk ka gjetur zgjidhje, përveç disa “lëshimeve” nga pala greke për të lejuar kalimin e të interesuarve. Të urojmë që kjo të jetë vërtet herë e fundit që diskutohet kjo çështje, e që Shqipëria të ndryshojë sistemin e shkrimit të vendlindjes, jo për të plotësuar tekat e grekëve, por sepse ashtu e kërkon “e drejta ndërkombëtare” për të cilën flasin sot ministrat Bushati e Venizelos.

Keti Biçoku

(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

‘Spartiti per Scutari’ in Un viaggio tra Albania e Kosovo

Qeveria Renzi. Vetëm 16 ministra, gjysma janë gra