Lajmi qetëson jo vetëm Lacion por edhe kombëtaren shqiptare që ditët e para të shtatorit luan dy ndeshje eliminatore
Romë, 27 gusht 2013 – Lorik Cana, kapiteni i kombëtares shqiptare ka vënë në ankth tifozët kuqezinj. Të dielën teksa luante ndeshjen e parë të sezonit me Lacion, 30 vjeçari ka dalë nga fusha për shkak të një dëmtimi që pësoi në këmbë, madje nuk është paraqitur as të hënën në stërvitjen e ekipit, gjë që linte të dyshohej për një dëmtim të rëndë të tij.
Sot paradite, pas rezonancës magnetike në një klinikë të Romës, lajmi i mirë: Lorik Cana nuk ka lëndim të muskujve të pulpës siç trembeshin mjekët. Lajmin e dha personalisht duke dalë nga klinika. “Jam mirë, nuk kam lëndime. Do të përpiqem të jem në fushë të shtunën kundër Juventusit”, ka qetësuar Loriku ekipin e tifozët e Lacios që këtë javë do të përballen me kampionët e Italisë, ndaj të cilëve kërkojnë me forcë fitoren pas humbjes 4-0 për Superkupën e Italisë në Olimpikun e Romës.
Lajmi qetëson gjithashtu edhe stafin e kombëtares shqiptare e trajnerin De Biasi, për ndeshjet e ardhshme në transfertë të kuqezinjve, më 6 shtator përballë Sllovenisë dhe më 10 shtator përballë Islandës.