Ky është mendimi shokues i legistit Castelli, ish ministër i Drejtësisë dhe sot zëvendës ministër i Infrastrukturave dhe i Transporteve i shprehur në Radio2, në emisionin “Un giorno da pecora” ku ishte i ftuar
Romë, 13 prill 2011 – Nga “fuori dalle balle” e Bossit, që shqip me eufemizëm do ta përkthenim “në djall shkofshin”, në “nuk mund të qëllojmë mbi imigrantët… të paktën jo tani” e Roberto Castellit, zëvends ministër i qeverisë së sotme dhe ish ministër Drejtësie vetëm pak vjet më parë. Kjo është gjuha mikpritëse e një pjese të qeverisë italiane (në heshjen e pjesës tjetër) për mijëra refugjatët e Afrikës së Veriut që zbarkojnë në brigjet e Lampeduzës pasi kanë lënë vende në luftë e në pasiguri ekonomike dhe politike. Sepse mikpritja e popullit duam të besojmë që është ajo e rrëfyer në reportazhin e ofruar nga “Le Iene”, ku i hequr si një refugjat i sapombërritur, Giulio Golia ka solidaritetin e të gjithëve. I japin bukë, para, veshmbathje dhe informacione mbi rrugën ku mund të mos hasë forcat e rendit. Me përjashtim të njërit, që e pret me armë. Po, po, me armë në dorë dhe qëllon në drejtim të “refugjatit” që i kërkon veç ujë, siç mund ta shihni në videon në fund të këtij artikulli.
Por të kthehemi te Castelli, zëvendës ministri i qeverisë aktuale. Duke komentuar protestat e shpërthyera në Lampeduza thotë: “Dhuna e imigrantëve, që mund të bëhen me milionë me kalimin e kohës, mund të detyrojnë qeverinë të përdorë armët. Zapatero qëlloi mbi imigrantët që dëshironin të shkonin në Spanjë, Sarkozy po bombardon imigrantë të mundshëm në Libi: parashikohen çaste dramatike. Dhe, nëse arsyetojmë duke qenë largpamës, pra në kuadrin e dhjetëvjeçarëve të ardhshëm, ekziston rreziku që të pushtohemi nga milionë persona”.
“Nëse kjo do të ndodhte – vazhdon legisti Castelli – çfarë duhet të bëjë Italia? Kundërshtitë ndërkombëtare, shpesh, siç kemi parë në Irak apo në Kosovë, zgjidhen me armë”. I nxitur nga drejtuesit e emisionit në studio, ish ministri i Drejtësisë foli hapur mbi mundësinë e përdorimit të armëve në Itali: “Edhe nëse unë shpresoj që ky çast nuk duhet të vijë asnjëherë, ky problem mund të marrë përmasa aq të mëdha sa mund të vijë çasti kur të shtrojmë problemin nëse të përdorim armët ose jo”.
Kur Castelli pyetet se cili mund të jetë kufiri përtej të cilit mund të konsiderohet e ligjshme të qëllohet kundër imigrantëve, përgjigjet: “Kur arrihet te dhuna”.
Duke u ndalur në rastin specifik të Lampeduzës, Castelli ka shpjeguar: “Këta zotërinj, që duhet të ishin riatdhesuar me kohë, kanë nisur të djegin dyshekët. E nëse fillojnë të gjuajnë me gurë, a tjetër gjë? Duhet t’u përgjigjemi me mburoje dhe shkopinj gome, sepse kështu veprohet ndaj çdo qytetari italian që nuk respekton dispozitat e autoriteteve të sigurisë publike”.
Së fundi Castelli e mbyll duke pyetur: “E nëse del ndonjë armë e nisin të qëllojnë, ne çfarë duhet të bëjmë?” T’i qëllojmë? “Kundër Brigadave të Kuqe, çfarë bëmë?” përfundon legisti Castelli.
Ndoshta personit të fundit të reportazhit të emisionit “Le Iene” i kish mjaftuar edhe “fuori dalle balle” e Bossit për të rrokur armën…
Video Le Iene: In fuga da Manduria