in

CCA sjell historinë e kulturën e Shqipërisë në Torino

Nga 4 deri më 6 prill, Qendra e Kulturës Shqiptare, CCA, organizon ciklin e veprimtarive me titull “Sguardi sull’Albania”. Filmi Anija, libri “Hotel Albania”e takimi me arkeologun dhe Ambasadorin e ri të Shqipërisë në Romë, profesor Neritan Ceka, janë evenimentet kryesore të tri ditëve

Nga 4 deri më 6 prill, Qendra e Kulturës Shqiptare do të sjellë në Torino një sërë aktivitetesh me titullin “Sguardi sull’Albania” (Vështrime mbi Shqipërinë), nismë e promovuar nga Ambasada e Shqipërisë në Romë, me rastin e mbylljes së ekspozitës “Tesori del Patrimonio Culturale Albanese” e cila u soll fillimisht në Romë e më pas në Torino me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë.

Tri ditët e veprimtarive do të hapen me prezantimin e filmit Anija (Cinema Centrale Arthouse, 4 prill ora 20.30) në prani të regjisorit Roland Sejko i cili pas shfaqjes do të takojë publikun. I prezantuar për të parën herë në Torino Film Festival, Anija rrëfen historinë e anijeve të shpresës që në vitet ‘90 lanë brigjet shqiptare në drejtim të atyre italiane, duke nisur kështu atë fenomen masiv që do të njihet sot si “eksodi i shqiptarëve”.

Cikli i aktiviteteve do të vazhdojë më 5 prill, ora 21.00 në Cascina Roccafranca ku do të mbahet takimi “Albania, una e … mille – viaggi, storia e cultura tra le due sponde dell’Adriatico”, që ka për qëllim të promovojë imazhin e Shqipërisë si vend me histori e kulturë. Gjatë mbrëmjes edhe prezantimi i librit “Hotel Albania” i antropologut torinez Francesco Vietti i shoqëruar nga artistet Diana Subashi në violinë e Lindita Kopliku në piano.

Aktivitetet do të mbyllen të shtunën më 6 prill në orën 16.00 pranë Muzeut Kombëtar të Antikitetit të Torinos me konferencën “Civiltà greca e mondo illirico nell’Albania antica”, e organizuar me rastin e mbylljes së ekspozitës “Tesori del Patrimonio Culturale Albanese” e hapur (fillimisht në Romë e më pas në Torino) me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Në takim do të marrë fjalën profesor Neritan Ceka, arkeolog i shquar e ambasadori i ri i Shqipërisë në Itali.

Organizatore e këtij cikli veprimtarish, Qendra e Kulturës Shqiptare është themeluar nga një grup intelektualësh, artistësh dhe operatorësh të kulturës dhe të sektorit të tretë. Ajo synon përhapjen në Itali të njohurive mbi historinë e kulturën shqiptare, favorizimin e integrimit të komunitetit shqiptar, si edhe promovimin e zhvillimit të marrëdhënieve kulturore, shoqërore dhe institucionale mes dy vendeve.

Ajo lind nga bashkimi i burimeve dhe i përvojës shumëvjeçare të disa partnerëve dhe është aktualisht e pranishme me seli të vetat në Piemonte dhe Lombardi. Qendra e zhvillon veprimtarinë e saj në bashkëpunim e me mbështetjen e organizatave të ndryshme, publike e private, në Itali e Shqipëri, duke ndërthurur punën e dhjetëra vullnetarëve me përfshirjen aktive të përfaqësuesve të spikatur të fushës akademike, kulturore e letrare shqiptare.

Shtetësia. Në Parlament 14 propozime reforme brenda një muaji

Papunësia në Itali 11,6%, sa mesatarja e eurozonës