Janë ditët e fundit për t’i kërkuar komunës ndihmën ekonomike. Një direktivë evropiane zgjeron kategorinë e përfituesve. “Nëse nuk ju pranojnë kërkesën niseni atë me postë rekomandè”
Romë, 28 janar 2015 – Të ardhura të ulëta, tre bij të mitur dhe një leje qëndrimi e vlefshme për punë. Këto janë kriteret për të kërkuar çekun për familjet me shumë pjesëtarë, një ndihmë që jepet nga komunat.
Shuma ndryshon në bazë të të ardhurave familjare e mund të arrijë deri në rreth 140 euro në muaj për 13 herë në vit. Kush nuk ka paraqitur akoma kërkesë, bën mirë të nxitojë, pasi kërkesat paraqiten pranë Komunës së rezidencës brenda 31 janarit të vitit që pason atë për të cilin kërkohet ndihma.
Ngadalësia e Italisë për t’iu përshtatur normave evropiane rrezikon këtë herë të komplikojë gjërat. Në fakt, në faqet internet të INPS-it (që paguan çekun) akoma lexohet që shtetasit jokomunitarë mund të përfitojnë çekun vetëm nëse kanë kartën e qëndrimit apo lejeqëndrimin BE për qëndrues afatgjatë.
Por kjo nuk është aspak e vërtetë, siç vazhdojnë të thonë ekspertët e Shoqatës për Studimet Juridike mbi Imigracionin, ASGI.
“Këtë ndihmesë sociale – shpjegojnë – kanë të drejtë ta kërkojnë të gjithë të huajt me një lejeqëndrim të vlefshëm për punë në Itali (për shembull, leje qëndrimi për motive pune, motive familjare apo pritje punësimi), si edhe ata që kanë leje qëndrimi BE për qëndrues afatgjatë, leje për mbrojtje ndërkombëtare apo të huaj me leje qëndrimi si familjarë të qytetarëve komunitarë që e kishin që më parë të drejtën e çekut në bazë të një normative të mëparshme”.
Në të vërtetë, duhet aplikuar direktiva komunitare 2011/98 që u garanton të gjithë punonjësve jokomunitarë të njëjtat shërbime e ndihma asistenciale që u njihen edhe qytetarëve të Shtetit ku kanë emigruar. Italia duhet të kishte përvetësuar më 25 dhjetor 2013, por e ka bërë vetëm pjesërisht, “duke harruar” të hiqte të gjitha shtrëngimet (si kriterin e kartës së qëndrimit), por sidoqoftë tani është e detyruar ta vërë në zbatim.
Disa Komuna, si për shembull Brescia, i janë përshtatur direktivës evropiane dhe pranojnë edhe kërkesat e paraqitura nga imigrantë me lejeqëndrim të vlefshëm për punë. Por shumë të tjera vazhdojnë të aplikojnë normat e vjetra dhe pranojnë vetëm kërkesat e të huajve me kartë qëndrimi. Ç’të bëhet në këto raste?
“E rëndësishme është që kërkesa të paraqitet brenda datës 31 janar, përndryshe i interesuari humbet të drejtën e çekut” thotë avokati Alberto Guariso i Shërbimit anti dirskriminim i ASGI-t. Ndaj ai këshillon: “Në rast se refuzohet pranimi i kërkesës në sportel, është mirë që ajo t’i niset brenda 31 janarit Komunës me postë rekomandè me lajmërim marrjeje”.
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)