INPS përcakton shumën e re vjetore të çekut social për vitin 2016. Pikë referimi themelore për lejet e qëndrimit dhe bashkimet familjare
Romë, 8 janar 2016 – Me ardhjen e vitit të ri ndryshon, edhe pse shumë pak, vlera e çekut social, shumë e rëndësishme referimi për disa praktika që kanë të bëjnë me imigrantët. Siç shpjegon INPS në një qarkore të 31 dhjetorit 2015, për vitin 2016 çeku social është 5.824,91 euro apo 448,07 euro për 13 këste.
Çeku u takon shtetasve italianë, komunitarë dhe atyre jokomunitarë me kartë qëndrimi, me moshë 65 vjeç e 3 muaj, që jetojnë në Itali prej të paktën dhjetë vjetëve, dhe që nuk kanë të ardhura apo kanë të ardhura vjetore më të ulëta se vetë çeku.
Edhe pse në të vërtetë janë relativisht të paktë të moshuarit e huaj që përmbushin të gjitha kriteret për të marrë çekun, ai është i rëndësishëm për milionë të huajt që punojnë e jetojnë në Itali pasi është kriteri bazë ekonomik që më shpesh përdoret nga ligji mbi emigracionin për të përcaktuar kapacitetin ekonomik e për rrjedhojë edhe të drejtën për të jetuar në Itali apo për të sjellë këtu familjen.
Të gjithë imigrantët që do të përtërijnë këtë vit lejeqëndrimin, apo të kërkojnë lejeqëndrimin BE për qëndruesit afatgjatë (karta e qëndrimit), për shembull, duhet të tregojnë se kanë të ardhura vjetore jo më të ulëta se çeku: 5.824,91 euro. Kush do të nisë praktikën për të sjellë në Itali bashkëshortin me bashkim familjar do të nevojiten të ardhura sa të paktën 1,5 herë çeku social, apo 8.737,37 euro.
Edhe shtetasit komunitarë, rumunë, bullgarë etj., për të qëndruar në Itali më gjatë se 3 muaj, duhet të tregojnë të ardhura vjetore të paktën sa shuma e çekut social.
(Ndiqni ShqiptariiItalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)