INPS jep shumën e re vjetore të çekut social për vitin 2013, që u paguhet nga shteti të moshuarve më në nevojë. Nga 1 janari i këtij viti mund ta kërkojnë ata që kanë mbushur 65 vjeç e 3 muaj. Ndër të huajt, shqiptarët janë ata që përfitojnë më shumë çekun social
Romë, 7 shkurt 2013 – Është 5.749,90 euro në vit apo 442,30 euro për 13 këste, vlera e çekut social për vitin 2013.
Risia më e rëndësishme e këtij viti është mosha kur ai mund të kërkohet. Për shkak të reformës së qeverisë Monti, nga 1 janari 2013 do të mund të paraqesin kërkesë për Çekun social vetëm të moshuarit me moshë 65 vjeç e 3 muaj, moshë që do të ngrihet shkallë shkallë për të arritur në 68 vjeç e 1 muaj në vitin 2030.
Kush e përfiton
Çeku u takon shtetasve italianë, komunitarë dhe atyre jokomunitarë me kartë qëndrimi, me moshë 65 vjeç e 3 muaj, që jetojnë në Itali prej të paktën dhjetë vjetëve, dhe që nuk kanë të ardhura apo kanë të ardhura vjetore më të ulëta se vetë çeku.
Sipas të dhënave të INPS-it, nga 827.800 çeqe sociale të lëshuara në vitin 2011, vetëm 16.843 u jepeshin të huajve. Ndër këta të fundit, janë të moshuarit shqiptarë që renditen të parët, plot 7.103 vetë.
Çeku social e qëndrimi në Itali i të huajve
Edhe pse në të vërtetë janë relativisht të paktë të moshuarit e huaj që përmbushin të gjitha kriteret për të marrë çekun, ai është i rëndësishëm për miliona të huajt që punojnë e jetojnë në Itali pasi është kriteri bazë ekonomik që më shpesh përdoret nga ligji mbi emigracionin për të përcaktuar kapacitetin ekonomik e për rrjedhojë edhe të drejtën për të jetuar në Itali apo për të sjellë këtu familjen.
Për të përtërirë lejeqëndrimin, për shembull, nevojiten të ardhura vjetore jo më të ulëta se çeku. Për bashkimin familjar, të ardhurat duhet të jenë të paktën sa çeku plus gjysmën e tij për çdo familjar që kërkon të sjellësh.
Edhe shtetasit komunitarë, nëse nuk kanë një punë, sidoqoftë, duhet të tregojnë të ardhura mujore të paktën sa shuma e çekut social për të qëndruar në Itali më gjatë se 3 muaj.