Festivali i Filmit për të Drejtat e Njeriut rikthehet në edicionin e tij të gjashtë në datat 25-30 shtator. Edhe këtë vit, Akademia e Filmit dhe Multimedias Marubi do të shfaqë në ekranin e kinemasë së saj filma artistikë e dokumentarë nga mbarë bota, të bazuar kryesisht në problematikat që lidhen me çështje të ngjashme me problematikat e vendit tonë
Tiranë,25 shtator 2011 – Festivali Ndërkombëtar i të Drejtave të Njeriut, IHRFFA , u çel mbrëmjen e sotme me shfaqjen për herë të parë në Shqipëri të filmit dokumentar “Khodorkovsky”, historia e njeriut më të pasur rus, që u bë i burgosuri më i famshëm.
Në ceremoninë e hapjes së edicionit të gjashtë të festivalit, Drejtori Ekzekutiv i IHRFFA, Kujtim Çashku, u ndal në rrëfimin e jetës së këtij festivali ndër vite dhe rëndësinë që kanë për vendin tonë mesazhet që përcjellin këta filma.
Festivalin e përshëndeti edhe Presidenti i Nderit i IHRFFA, Theodore S.Orlin. I pranishëm në ceremoni ishte edhe kreu i përfaqësisë së OSBE në Shqipëri, Eugen Ëollfarth, i cili u shpreh se ishte hera e dytë që merrte pjesë në këtë festival.
Dokumentari, i shfaqur në ekranin e kinemasë së Akademisë së Filmit dhe Multimedias “Marubi”, është një realizim kinematografik mbi transformimin e Mikhail Khodorkovsky-it , nga një socialist i përkryer në një kapitalist të përkryer dhe në fund, në një burg të Siberisë, duke u kthyer në një martir të përkryer. Një luftë titanësh mes atij dhe presidentit Putin. Ky i fundit e paralajmëron, por Khodorkovsky kthehet në Rusi duke e ditur se do të burgoset, sapo të kthehet. Dokumentari me regji dhe skenar të Cyril Tuschi është një prodhim gjerman dhe francez.
Programi i ditës së nesërme do të vazhdojë me shfaqjen e dokumentarit te shkurtër spanjoll “Një ditë në Smara”, dokumentarit suedez “Dashuri Në Distancë”, filmin shqiptar “Amnistia” të Bujar Alimanit, dokumentarin “Hëna është një vend i mrekullueshëm”, etj.
Temat qendrore të këtij edicioni lidhen me aspekte të krimit të organizuar, qofshin ato të korrupsionit, terrorizmit, fondamentalizmit, trafikimit të qenieve njerëzore dhe drogës, shfrytëzimit të të miturve, skllavërisë moderne dhe shfrytëzimit të pasurive natyrore.
Janë përzgjedhur 35 filma artistikë, dokumentarë dhe të shkurtër, nga mbi 300 filma të paraqitur, ndërkohë që një pjesë e filmave që do të shfaqen për publikun janë të ndaluar në vendet e tyre të origjinës.
Përveç këtyre, një vëmendje e veçantë i është kushtuar filmave me karakter frymëzues e sfidues për njerëz me aftësi të kufizuara, të cilët do të jenë pjesë e forumeve në 28 shtator. Gjatë pesë ditëve të festivalit do të zhvillohen forumet e paradites me pjesëmarrjen e gjimnazistëve dhe specialistëve të fushave të ndryshme, me debate që lidhen me të drejtat e njeriut.
Deri më datë 30 shtator, filmat do të shfaqen në orën 16:00, ndërsa forumet do të zhvillohen çdo ditë në orën 11:00.