Në dhjetë ditët e para të censusit mbarëvajtjae Censusit ka qenë edhe më e mirë nga parashikimet e INSTAT-it. Asnjë koment mbi problemet e botuara në media por pranohet vetëm që “duke qenë një proces madhor, Censusi ka problemet e veta”
Tiranë, 12 tetor 2011 – Instituti i Statistikave raporton se gjatë dhjetë ditëve të para të censusit ka përfunduar numërimi i 535.300 ose 52% e banesave në të gjithë territorin shqiptar. “INSTAT kishte përllogaritur që deri më datë 10 tetor të ishte numëruar 49,4% e banesave dhe shifra që ne kemi deri në këtë ditë është mbi këtë mesatare” bëri të ditur zëdhënësja e INSTAT-it, Vjollca Simoni.
Sipas raportimeve nga zyrat periferike në terren procesi i censusit ka pasur mbarëvajtjen më të mirë në Dibër (numëruar 67% e banesave), Pogradec (62%), Berat (58%) dhe Lezhë (56.7%). Ndërkohë që në Tiranë janë numëruar 50,2% e ndërtesave.
“Sigurisht një proces madhor siç është censusi, ka edhe problematikën e vet . Në disa raste, janë dashur pyetësor dhe anketues shtesë për shkak të intensitetit më të lartë të banesave në disa zona”, tha Simoni. Sipas saj, “Deri në ditën e dhjetë, Censusi në terren po ecën sipas parashikimeve dhe problemet që janë hasur kanë gjetur zgjidhje të menjëhershme nga përgjegjësit e INSTAT në rrethe”. Por zëdhënësja kalon me “asnjë koment” problemet e publikuar në media si rastet e anketuesve që i shënojnë të dhënat vetëm me laps e jo me stilolaps, apo fakti që zona të tëra në Korçë kërkojnë fotokopje të formularëve për t’ia dorëzuar ne Ambasadën Greke.
“INSTAT fton të gjithë qytetarët t’u hapin dyert anketuesve për të përfunduar këtë proces me sukses”, u shpreh Simoni.
Censusi i popullsisë dhe banesave është numërimi i të gjithë njerëzve, banesave dhe pronave brenda territorit të Shqipërisë në një kohë të caktuar. Ai është një imazh statistikor që tregon, përmes të dhënave, kush jeton në Shqipëri, kushtet socio- ekonomike dhe kushtet e jetesës. Censusi është një nga veprimtaritë statistikore më të rëndësishme, e cila siguron një informacion të detajuar mbi numrin dhe strukturën e popullsisë, e krahasueshme edhe në njësi shumë të vogla gjeografike. Censusi nuk ka të bëjë me regjistrat e taksave, pensioneve, pronësisë, shpërndarjes se energjisë elektrike apo statusit të emigrantit.
Lexo edhe: Census. Aleanca KZ: “40% refuzon t’u përgjigjet pyetjeve mbi kombësi e fe”