in

Çështje penale kundër kryetarit të Komitetit të Pajtimit

Policia dërgon për hetim në prokurori kryetarin e Komitetit të Pajtimit Gjin Marku dhe anëtarin e Shoqatës së Misionarëve të Paqes dhe Pajtimit Pashko Popaj. Lëshonin dokumente të rreme

Tiranë 5 dhjetor 2011 – Policia e Shtetit ka dërguar në Prokurori materialet në ngarkim të kryetarit të Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar me qendër në Tiranë dhe një anëtari të Shoqatës së Misionarëve të Paqes dhe Pajtimit të Gjaqeve të Shqipërisë me qendër në Shkodër, pasi dyshohet se duke shfrytëzuar detyrën, kanë lëshuar vërtetime te falsifikuara për persona të ndryshëm, që ata të mund të aplikonin dhe të përfitonin në mënyrë të padrejtë strehimin në vende të ndryshme të Europës.

Personat nën hetim janë Gjin Marku, 55 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë Kryetar i Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar dhe Pashko Popaj, banues në Bajzë Kastrat, Malësi e Madhe, anëtar i Shoqatës së Misionarëve të Paqes dhe Pajtimit të Gjaqeve të Shqipërisë me qendër në Shkodër.

“Këta shtetas kanë konsumuar elemente të veprës penale te “Falsifikimit të dokumenteve”, parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e policisë.

Nga informacionet e grumbulluara dhe verifikimet e kryera në vazhdimësi nga Drejtoria Kundër Krimit Financiar në Departamentin Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me policitë homologe, ka rezultuar se personat e sipërpërmendur kanë lëshuar vërtetime të falsifikuara dhe pa asnjë bazë ligjore edhe pse shtetasit e interesuar nuk figurojnë të jenë në hasmëri apo gjakmarrje.

Policia e Shtetit do të vijojë verifikimin e të gjitha rasteve të ngjashme, duke kryer të gjitha veprimet procedurale në ngarkim të të gjithë atyre shtetasve që do të evidentohen se kanë kryer apo kryejnë veprime antiligjore.

Vëmendja e autoriteteve shqiptare në këtë drejtim i ngrit pas alarmit të dhënë nga BE dhe Belgjika në veçanti mbi rritjen e fortë, muajt e fundit, të numrit të azilkërkuesve shqiptarë që deklaronin se ishin në gjak.

 

Sekuestrohen 165 kg marijuanë e arrestohen dy persona

Ujkani rikthehet titullar tek Novara