in

Çfarë do të kisha dashur t’i thoja ministrit në takimin e Romës

Reagimi i FNAI-t pas takimit në Romë të ministrit të Jashtëm Bushati  me komunitetin shqiptar të Italisë

Romë, 2 qershor 2016 – FNAI – Federata e shoqatave shqiptare në Itali, përfaqësues të të cilës ishin të pranishëm në takimin e 1 qershorit me ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, ka reaguar sot me një shënim të gjatë në Facebook duke u shprehur se “është totalisht kundër takimeve të tilla farsë, ku duan të përdoren emigrantët e diaspora për qëllime elektorale. Emigrantët nuk kanë nevojë për të tilla, por për takime ku të jenë palë biseduese e pjesëmarrës aktivë në bashkëbisedim e në zhvillimet ekonomike e politike të vendit dhe jo dëgjues pasivë sa për të duartrokitur”. Në reagimin e tyre shkruajnë se kanë kërkuar t’i jepet mundësia presidentit të FNAI-t, Ndue Lazrit të marrë fjalën për të shtruar disa çështje që kishin parapërgatitur. E meqë kjo mundësi nuk iu dha, çka kanë dashur të thonë e kanë botuar në profilin e tyre facebook.

Ndue Lazri, pasi do t’i uronte mirëseardhjen ambasadores së re Anila Bitri, do të përshëndeste nismën e qeverisë e të ministrit për takime të tilla, e do të uronte që edhe politika e institucionet shtetërore shqiptare të vepronin me të njëjtin sinqeritet, përkushtim e dashuri për atdheun që kanë emigrantët do t’i shtronte ministrit këto probleme:

“Së pari, ndërtimi i një raporti serioz e efikas institucional midis shtetit dhe diasporës. Tetorin e kaluar një delegacion i Federatës sonë pati një takim në Ministrine e Diasporës në Kosove. Serioziteti dhe dashamirësia e atij dikasteri u pa që në kontaktet e para telefonike dhe në përgatitjen e takimit. Ministri vuri në dispozicion tërë stafin e tij, drejtorët e drejtorive, inspektorët etj., me gatishmërinë për të na dëgjuar dhe për të krijuar pika bashkëpunimi për problemet e kulturës, të shkollave në gjuhën shqipe etj. Ajo ministri ishte organizuar në formën e një qeverie të vogël për diasporën, sepse kishte drejtori për arsimin, drejtori për qendrat kulturore në diasporë, drejtori për tërheqjen dhe mbrojtjen e investimeve të emigrantëve në Kosovë, etj. Na bëri përshtypje që Kosova, një shtet kaq i ri, ka një ministri apo mikroqeveri për diasporën, çka tregon një vlerësim serioz të saj. Kurse shteti ynë, me përvojë tepër më të gjatë ka deri tani vetëm një drejtori të emigracionit, me të cilen luhet ping – pong, duke e kaluar herë në Ministrinë e jashtme e herë në Ministrinë e brendshme. Këtë organizim, i nderuar zoti ministër, ne e konsiderojmë krejtësisht të pamjaftueshëm, jo serioz, është si i thonë në atë barcaletën shkodrane, “më ka çue nana me la gojën”. Për dy milionë shqiptarë [sipas INSTAT, më 1 janar 2016 Shqipëria ka 2.886.02 banorë – shënim i redaktorit ] që jetojnë brenda Shqipërise shteti ka 10 apo 15 ministri, se nuk e di numrin e saktë të tyre. Kurse për rreth dy milionë shqiptarë që punojnë e jetojnë jashtë [sipas të dhënave të ministrisë së Jashtme rezulton që rreth 1 milion e 400 mijë shqiptarë jetojnë jashtë Shqipërisë – shënim i redaktorit] nuk ka asnjë, por mjaftohemi vetëm me një drejtori, e cila deri tani nuk është ndjerë asgjëkundi. Ne si emigrantë do ta konsiderojmë si angazhim serioz të qeverisë bashkëpunimin e kujdesin për diasporën vetëm kur të krijohet një ministri e tillë e ne aparatin e saj të tërhiqen për të punuar elementë të përgatitur nga diaspora, kryesisht me moshë të re, të cilët kanë një përgatitje të lartë dhe vizion europian të trajtimit të problemeve të emigracionit. E mund t’ju them, zoti ministër, se në të gjitha rajonet e provincat e Italisë kemi plot elementë të rinj të përgatitur profesionalisht e me shumë kulturë demokratike, të cilët vetë italianët po i kandidojnë për në nivele të ndryshme të administrates lokale. E nuk do jetë e largët dita kur të rinj shqiptarë do ketë edhe në radhët e parlamentit italian. A nuk ka ardhur koha që qeveria jonë, institucionet tona shtetërore, por edhe partitë politike ta hedhin syrin edhe në diasporë për të zgjedhur elementë të rinj e të shëndoshë që janë larg aferave korruptive, larg klaneve politike e kanë tjetër këndvështrim të zgjidhjes se problemeve me të cilat përballet vendi ynë që ka mbetur në tranzicion për më shumë se 25 vjet?
Dje, kryeministri ynë, në një komunikatë me rastin e dorëheqjes së kryetarit të bashkisë së Kavajës Elvis Roshi, për shkak se ka qenë i inkriminuar në Itali, tha ndërmjet të tjerash: “Duke i njohur dhe respektuar gjithnjë vështirësitë që të rinjtë shqiptarë kanë kaluar përmes dallgëve të larta të jetesës në emigracion, kam besuar dhe besoj se historia e Elvisit apo Ervinit, ka qenë thjeshtë njëra nga historitë e panumërta të djemve që janë përplasur nëpër ato dallgë, duke jetuar përmes ëndrrës për t’ja dalë mbanë dhe makthit të ëndrrës së rikthimit mbrapsht. Ndërrime emri për të mos u kthyer mbrapsht, përzënie për qëndrime pa leje, kalime ilegale të kufirit e me radhë janë akte të paligjshme që në vitet ’90 i kanë bërë shumë e shumë emigrantë”. Ne përshëndesim përpjekjet e qeverisë për luftimin e korrupsionit dhe heqjen e njerëzve të inkriminuar, çka do i jepte një prestigj tjetër vendit tonë në arenën ndërkombëtare, por emigrantët me të drejtë reaguan ndaj kësaj deklarate të kryeministrit, sepse ai bënte një përgjithësim, në një kohë që mbi 90 për qind e emigrantëve jetojnë e punojnë në mënyrë të ndershme, nuk ndërrojnë emra e nuk i fshihen drejtësisë. Përse gjenden pikërisht elementë me të shkuar të errët apo kriminale nga emigracioni për t’u vënë në instanca drejtuese, kur kemi shumë e shumë të tjerë që vërtet janë të denjë të na përfaqësojnë?
E meqë dola tek problemi i zgjedhjeve, po shtroj çështjen e dytë e shumë të rëndësishme për ne emigrantët, problemin e votës. Deri tani me votën e emigrantëve është spekulluar deri në parodi. Mjafton të theksojmë që kanë figuruar si elementë që kanë votuar emigrantë që nuk kanë qenë farë në Shqipëri në ditën e votimeve, madje edhe një vajzë 4- vjeçare me prindër shqiptarë në Suedi figuronte si votuese në Shkodër. Mendoj se ka ardhur koha për t’i dhënë fund kësaj farse që e dëmton imazhin e vendit tonë e na bën të ndihemi keq kur Shqipërisë i duhen muaj për të numëruar votat, kur vende me miliona votues e nxjerrin rezultatin brenda disa orësh e në transmetim direkt televiziv që njerëzit të shikojnë transparencën e vërtetë. Kaq e vështirë është të instalohet sistemi elektronik në Shqipëri në procesin elektoral? Ne emigrantët nuk e pranojmë manipulimin e kërkojmë të jemi protagonistë aktivë në procesin e zgjedhjeve në vendin tonë, duke votuar për parlamentin shqiptar pa udhëtuar për në Shqipëri, por direkt nga vendet ku jetojmë e punojmë e duke patur edhe kandidatë nga diaspora në raport me numrin e votuesve që janë jashtë. Për këtë problem dhe problemin e marrëveshjeve të qeverisë sonë me qeveritë e vendeve përkatëse për unifikimit të viteve të punës për efekt pensioni, i kemi dorëzuar edhe një peticion parlamentit shqiptar në tetorin e kaluar. Por, si gjithnjë, zëri i emigrantëve nuk është dëgjuar e peticioni nuk është marrë në konsideratë. Kjo na bën që të jemi skeptikë e mosbesues ndaj fjalëve që thuhen, sepse ka ardhur koha të shikojmë vepra konkrete në këtë drejtim e jo paradë premtimesh, që pastaj harrohen sapo kalohet Adriatiku…
Emigrantët shqiptarë, midis të cilëve ka edhe plot sipërmarrës të sukseshëm, sjellin burime ekonomike për vendin, qofte edhe me kalimin e pushimeve e shpenzimin në vendin tonë të parave të fituara jashtë, pa përmendur paratë që ata u dërgojnë çdo muaj familjarëve apo të afërmve në Shqipëri. Por ka ardhur koha që emigrantët të mos jenë bancomat i shtetit shqiptar, por protagonistë në zhvillimet e jetës së tij ekonomike e politike. E them këtë edhe për faktin se emigrantët ndihen të penalizuar me ato çmime të pashaportave që bëjnë pranë përfaqësive diplomatike, çmime që janë shumë më të larta se ato të pashaportave që merren në Shqipëri.
Një problem tjetër që dua të shtroj është ai i shkollave shqipe. Vetëm në territoret ku vepron federata jonë, shoqatat kanë hapur në mënyrë vullnetare dhe në marrëveshje me komunat italiane rreth 30 shkolla që frekuentohen nga mbi 350 nxënës. Por nga informacionet qe kemi ka plot shoqata jashtë federatës sonë që bëjnë të njëjtën punë me përkushtim e krejtësisht në baza vullnetare. Ne kemi mësues pensionistë apo jo pensionistë që punojnë vullnetarisht, pa marrë qoftë edhe një euro shpërblim për punën e bërë.Unë shtroj një pyetje të thjeshtë: Nëqoftëse këta nxënës që janë në Itali, Greqi e në tërë diasporën do të ishin në Shqipëri, sa klasa do të zinin e sa mësues me rrogë do ishte i detyruar shteti të vinte në dispozicion? Ne nuk kërkojmë që mësuesve këtu t’u lidhen rroga mujore. Por mendoj që përveç librave të dërguar (për të cilët falënderojmë sinqerisht), shteti mund të mendojë për një kontribut sado të vogël për këta mësues, që ata të ndihen sadopak të vlerësuar për punën e tyre. Përshëndesim punën e punonjëses së ambasadës Gerarta Zheji Balla, e cila është lidhur me ne e me shoqatat për të evidentuar ku janë shkollat e sa është numuri i nxënësve, për të bërë një furnizim sa më të efektshëm me libra. Por le të bëjë një sforcim sado të vogël edhe qeveria, se është investim për kulturën, për gjuhën shqipe, për të ardhmen e fëmijëve apo nipërve e mbesave tona.
Shteti ynë mund të ndihmojë emigrantët edhe me liberalizimin dhe pranimin e konkurrencës së lirë për linjat e transportit që lidhin Shqipërinë me vendet e tjera. Para tre vjetësh në një gazetë italiane lexova një njoftim që nga Bolonja do fillonte funksionimi i linjës airore loë cost me Ryan Air. Madje ishte caktuar edhe data e fluturimit të parë që, në mos gaboj, i binte në maj. Por pastaj çdo gjë u ndërpre, sepse me sa duket dikujt në Shqipëri i prisheshin interesat që mund të kishte lidhur me shoqërite ajrore. Nëse në plan të parë vihen interesat korruptive të eksponentëve politikë para interesave të vendit dhe të emigrantëve, mund të them pa hezitim se çdo politikan apo qeveritar shqiptar do ta ketë të vështirë të gjejë gjuhën me diasporën. Ne respektojmë institucionet e shtetit tonë, respektojmë përfaqësuesit e qeverisë që vijnë të takohen me ne. Përdorim gjuhën e moderuar e jo atë gjuhë vulgare e të ashpër që na bën të skuqemi kur shikojmë debatet parlamentare e grindjet e politikanëve në Tv. Mund të jesh i ashpër edhe duke qenë thjeshtë i drejtë. Ne i vlerësojmë premtimet që na bëhen, kemi durim edhe të presim për realizimin e tyre, por jo si pritjet e Penelopës për kthimin e Uliksit. Në rast të kundërt, nëse nuk bëhen hapa konkrete, politikanët shqiptarë apo eksponentë të qeverisë që do vijnë të na takojnë, në vend të njerëzve të ulur në salle për t’i dëgjuar, mund të gjejnë jashtë turma që i kontestojnë.
Ju falënderojmë edhe njëherë për organizimin e këtij takimi, duke shpresuar në një bashkëpunim real, konkret e të frutshëm për të mirën e përbashkët e për vendin tonë.
Faleminderit”

 

Top of Form

 

 

 

Ministri Bushati në Romë: Shqipëria na përket të gjithëve, është koha për bashkëpunim të ri me diasporën

Shqiptarët e Torinos angazhohen në jetën politike