in

Shqiptarët e Torinos angazhohen në jetën politike

Organizohet në Torino takimi mes shqiptarëve dhe kryetarit të Bashkisë së qytetit, Piero Fassino, sërish kandidat i koalicionit të qendrës së majtë në zgjedhjet vendore të 5 qershorit

Qendra e Kulturës Shqiptare organizoi në Torino një takim të bashkësisë sonë me kryetarin e Bashkisë së këtij qyteti, z. Piero Fassino, njëkohësisht kandidat i koalicionit të qendrës së majtë në zgjedhjet vendore, që do të zhvillohen më 5 qershor. Në takimin e drejtuar nga Benko Gjata, gazetar dhe president i Qendrës së Kulturës, morën pjesë shumë qytetarë shqiptarë, të cilët kanë edhe shtetësi italiane dhe mund të votojnë në shtetin fqinj.

Fassino kujtoi angazhimin dhe përpjekjet e administratës së drejtuar prej tij, si edhe të forcës politike së cilës ai i përket, në drejtim të procesit të integrimit në shoqërinë italjane të qytetarëve të rinj, me prejardhje nga vende të tjera të botës. Torino është shpallur së fundmi një prej 5 qyteteve më të suksesshme në Europë, i pari ndër qytetet italiane dhe ato të shteteve të Europës Jugore, përsa i përket integrimit të qytetarëve të huaj. Mbi bazën e kësaj përvoje mjaft pozitive, kryetari Fassino theksoi rëndësinë e vijimësisë në rrugën e politikave të integrimit, sidomos në situatën aktuale politike të karakterizuar nga forca dhe prirje ksenofobe.

Torino është gjithashtu edhe një prej qyteteve europiane më aktive përsa i përket nismave të bashkëpunimit me Shqipërinë, kjo edhe falë pranisë së bashkësisë shqiptare dhe të Qendrës së Kulturës. Në fjalën e tij Fassino kujtoi disa prej bashkëpunimeve të shumta e të suksesshme  kulturore, sociale, ekonomike dhe institucionale mes Torinos dhe Shqipërisë dhe konfirmoi gadishmërinë e tij për të vijuar në këtë rrugë edhe në të ardhmen.

Gjatë bashkëbisedimit me publikun pjesëmarrës Fassino iu përgjigj edhe pyetjeve dhe shqetësimeve të ngritura nga qytetarët në lidhje me disa nga problemet më shqetësuese të bashkësisë shqiptare në Itali, si çështja e papunësisë rinore dhe e grupmoshave më të moshuara, përfitimi i pensioneve në Itali, e drejta e votës për të huajt që nuk kanë marrë ende nënshtetësinë italiane, etj.

Takimi i Torinos është një shembull i pjesëmarrjes përherë e më aktive të shqiptarëve në jetën politike të Italisë dhe i vëmendjes në rritje të forcave politike italiane ndaj këtij elektorati të ri. Vetëm në Torino, në zgjedhjet e ardhshme vendore do të votojnë rreth 1.500 shqiptarë. Numri është shumë më i lartë, disa dhjetëra mijëra, në rang kombëtar. Ky fakt e shndërron bashkësinë e madhe shqiptare që jeton dhe punon në Itali në një faktor të rëndësishëm dhe me peshë edhe në marrëdhëniet dypalëshe mes vendeve tona.

Veprimtaria u organizua nga Qendra e Kulturës Shqiptare. E angazhuar prej  kohësh në fushën e diplomacisë publike, Qendra promovon kulturën dhe imazhin e Shqipërisë, mbështet procesin e integrimit të bashkësisë shqiptare, nxit pjesëmarrjen aktive të qytetarëve shqiptarë në jetën kulturore, sociale, ekonomike dhe politike të Italisë dhe bën përpjekje për zhvillimin e konsolidimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit mes dy vendeve. Falë veprimtarisë së dendur dhe cilësore, Qendra e Kulturës Shqiptare është shndërruar në një pikë referimi si për qytetarët shqiptarë, ashtu edhe për organizatat dhe institucionet e territoreve ku vepron.

 

 

Çfarë do të kisha dashur t’i thoja ministrit në takimin e Romës

The Guardian: Historia e Elseid Hysajt, biri i emigrantit i lakmuar nga klubet më të mëdha të Evropës