in

Çfarë na kërkon Europa

Nga Kosta BARJABA

Paralel me proceset reformuese, vendet e Europës Qendrore e Lindore nisën proceset integruese. Të gjitha këto vende, përfshirë Shqipërinë, e kthyen vështrimin nga Europa. Por ecën drejt saj me shpejtësi të ndryshme. Një pjesë ecën me vlera dhe numra. Një pjesë, përfshirë Shqipërinë, me lutje.

Shpejtësitë e integrimit

Në fillim procesi i integrimit u konceptua me dy shpejtësi. Në shpejtësinë e parë bënin pjesë vendet e Europës Qendrore (Republika Çeke, Polonia, Hungaria, Sllovakia, Sllovenia), vendet baltike (Letonia, Lituania, Estonia) dhe Malta e Qipro. Në vendet e shpejtësisë së dytë ishin vendet e tjera të Europës Lindore (Rumania, Bullgaria) dhe vendet e Ballkanit. Vendet e Europës Qendrore ecën sipas shpejtësisë së parashikuar, duke u bërë anëtare në vitin 2004. Vështirësitë e vendeve ballkanike shkaktuan vonesa integrimi. Prej tyre mundi të hyjë në BE vetëm Kroacia, në vitin 2013, ndërsa kanë fituar statusin e vendit kandidat Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia, aplikuesja më e vjetër, e cila ka bërë kërkesë që para gati gjysmë shekulli. Pra, shpejtësia e dytë u nda në dy grupe, duke u krijuar një grup vendesh të shpejtësisë së tretë, të cilat aktualisht kanë fituar statusin e vendit kandidat. Një pjesë e vendeve ballkanike, Shqipëria, Kosova dhe Bosnje-Hercegovina mbetën akoma më prapa, duke formuar grupin e vendeve të shpejtësisë së katërt. Dy prej tyre, Kosova dhe Bosnje-Hercegovina kanë përjetuar implikime politiko-etnike dhe beteja të përgjakshme etniko-fetare, ndërkohë që ne kemi mbetur prapa kryesisht për shkak të performancës së dobët. Ky është konteksti i procesit integrues të Shqipërisë.

Drejt Europës me ecjen e gaforres

Shqipëria, për mendimin tim, ka pasur një qasje të gabuar ndaj proceseve integruese. Integrimi është parë si një trajektore që shpie Shqipërinë në Europë dhe jo si një proces që duhet të sjellë Europën në Shqipëri. Qeverisësit tanë janë munduar të shiten si europianë, por jo të bëhen europianë. Ne e kemi parë integrimin europian si një mjet politiko-elektoral dhe jo si një qëllim kombëtar. Stereotipet e çantave që dorëzojnë aplikimet në metropolet europiane duken sot jo vetëm të sforcuara, por edhe qesharake. Qoftë edhe për këtë shkak, ne kemi ecur drejt Europës në stilin e gaforres. Nga studimet që kam kryer në mes të viteve 1990, një pjesë e të cilave janë botuar në librin “Pauzat e Integrimit”, 1995, rezultonte një afërsi e madhe vlerash e shqiptarëve me popujt europianë. Kjo afërsi u konkretizua në integrimin e përshpejtuar të emigrantëve shqiptarë në Greqi dhe Itali, të cilët u bënë pararoja e proceseve integruese. Mbi një milion shqiptarë janë sot punëtorë europianë. Por ne kemi modele të shkëlqyera integruese edhe brenda vendit, sidomos në median elektronike. Top Channel përbën një model të tillë. Afrimi në këtë televizion i profesionistëve shqiptarë jo vetëm e bëri atë një kanal kampion, por e shndërroi edhe në një media të lakmuar nga profesionistë të huaj. Me median e vet, Dritan Hoxha solli Europën në Shqipëri. Pra, një pjesë shqiptarësh u europianizuan dhe shërbejnë si modele për vetë europianët.

Integrimi në raport me qeverisjet

Statusi i vendit kandidat, sado që mund të frymëzohej nga zhvillimet e muajve të fundit, është në fund të fundit një qëndrim ndaj performancës qeverisëse disavjeçare. Kundërshtimi dhe skepticizmi holandez nuk përbëjnë lajm. Nga Holanda kemi disa vjet që marrim kritika serioze, të cilave nuk ua kemi vënë veshin. Qeverisja nuk ka bërë asgjë për të reflektuar shqetësimet, jo vetëm të qeverisë e parlamentit, por të popullit holandez. Nëse statusi do të ishte dhënë (jo fituar), qeveria e sotme e Shqipërisë kishte të drejtë të gëzonte si të gjithë shqiptarët. Pa pasur ndonjë meritë specifike. Tani që statusi nuk u dha, qeveria nuk mund të gjykohet për një gjë që nuk ka pasur kohë ta bëjë.

Numrat që kërkon integrimi

Duket sikur procesi integrues ngjan me një lutje të vazhdueshme të qeveritarëve të Shqipërisë: Amani, na pranoni! Ajo që shpesh harrohet, është se në Europë shkohet me disa tregues. Më poshtë po paraqes disa prej treguesve kryesorë të performancës ekonomike e qeverisëse të Shqipërisë dhe të disa vendeve të rajonit; Kroacisë si vend anëtar (2013), dhe vendeve kandidatë Turqia (1997), Maqedonia (2005), Mali i Zi (2010), Serbia (2012) dhe vendeve jo kandidatë (Bosnje-Hercegovina dhe Kosova).

 GDP për frymë në USD, 2012

  1. Kroacia           13.227
  2. Turqia             10.666
  3. Mali i Zi           6.813
  4. Serbia             5.190
  5. Maqedonia      4.568
  6. Bosnja-H         4.447
  7. Shqipëria         4.149
  8. Kosova            3.453

Nuk është rastësi që kronologjia e progresit drejt statusit të vendit anëtar dhe kandidat përkon me renditjen në shkallën e të ardhurave për frymë. Ky korrelacion është më shumë i kërkuar në kushtet e sotme, kur mjaft vende europerëndimore janë në vështirësi ekonomike dhe pakkush prej tyre do të dëshironte të kishte një problem më shumë duke pranuar në BE tri vendet më të varfra të Europës. Spanja, Portugalia dhe Greqia janë një mësim i mirë për Europën. I cili nuk na favorizon. Të ardhurat për frymë janë një matës i rëndësishëm për vlerësimin e një ekonomie dhe një shoqërie. BE nuk mund t’i neglizhojë këto nota vlerësimi të Bankës Botërore dhe FMN-së.

 Të bërit biznes       Renditja

  1. Maqedonia      23
  2. Mali i Zi           51
  3. Turqia             71
  4. Kroacia           84
  5. Shqipëria        85
  6. Serbia            86
  7. Kosova           98
  8. Bosnja-H        126

Nuk është rastësi që në klasifikimin e Bankës Botërore Doing Business 2013, Shqipëria, Kosova dhe Bosnje-Hercegovina janë në vendet e fundit. Hapësira për sipërmarrje është një ushtrim i vështirë dhe domethënës për demokracinë. Sipërmarrja është motori i zhvillimit dhe Europa i shikon si problematike vendet ku, sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, ky motor është defektoz.

Renditja sipas Nivelit të Korrupsionit

  1. Turqia             53
  2. Kroacia           57
  3. Maqedonia      67
  4. Mali i Zi           67
  5. Bosnja-H         72
  6. Serbia             72
  7. Kosova           111
  8. Shqipëria        116

Nuk është pa domethënie fakti që vendet e fundit në radhën e pranimit janë vendet me nivelin më të lartë të korrupsionit. “Një dru i shtrembër prish gjithë barrën”, thotë një fjalë e urtë shqiptare dhe këtë fjalë të urtë e dinë edhe europianët. Aq më tepër që ky tregues është ndër më të lakuarit prej institucioneve ndërkombëtare në perceptimin e qeverisjes dhe performancës së një vendi.

 Renditja sipas Efektivitetit të Qeverisjes

  1. Kroacia           65
  2. Turqia             57
  3. Maqedonia      48
  4. Bosnja-H         48
  5. Mali i Zi           45
  6. Serbia             44
  7. Kosova           36
  8. Shqipëria        35

Me përjashtim të Bosnje-Hercegovinës, e cila ndodhet disa shkallë më lart, Shqipëria bashkë me Kosovën ndodhen në fund të renditjes për efektivitetin e qeverisjes. Edhe pse jo ende një matës zyrtar, efektiviteti i qeverisjes është një tregues referues për Bankën Botërore dhe FMN-në. Përse atëherë nuk duhet të jetë i tillë edhe për BE-në?

Mund t’u referohemi edhe mjaft numrave të tjerë. Ndonëse dhe katër treguesit e mësipërm janë të mjaftueshëm për të kuptuar se në Europë nuk shkohet me emocione e dëshira, por me vlera të qëndrueshme dhe numra bindës. Ja pra, numrat që na kërkon Europa!

Gazeta Mapo

(Ndiqni ‘Shqiptari i Italisë’ edhe në Facebook dhe Twitter)

Kur ripërtërihet leja e qëndrimit, duhet lajmëruar Komuna?

Taulant Toma arratiset edhe nga burgu belg