in

Taulant Toma arratiset edhe nga burgu belg

“Mjeshtri i arratisjes”, Taulant Toma ish arratisur në shkurt nga Burgu i Parmës, u kap pas shtatë muajve në Belgjikë e ndërsa pritej të bëhej ekstradimi i tij në Itali, ia mbath sërish. Kërkohet në mbarë Evropën

Romë, 19 dhjetor 2013 – Në katër vjet arratiset tre herë. Është fjala për “mjeshtrin e arratisjes” Taulant Toma që para pak ditëve ka lënë edhe burgun belg ku po mbahej në pritje të ekstradimit të tij në Itali.

29-vjeçari ishte arratisur më 9 tetor 2009 nga burgu i sigurisë së lartë të Ternit, më 2 shkurt të këtij viti u arratis nga burgu i Parmës duke sharruar hekurat lidhur çarçafët si litar e kapërcyer mure. U kap në Belgjikë më 11 shtator e, as tre muaj në burgun belg, arratiset sërish.

Arratisja e fundit, “spektakolare” sipas mediave belge, ka ndodhur të shtunën e shkuar më 14 dhjetor nga burgu i Lantin-it me ndihmën e një grupi të organizuar më së miri, brenda dhe jashtë burgut.

Nga Belgjika bëjnë të ditur se të shtunën një makinë Opel është afruar përpara hyrjes së burgut dhe kur një prej rojeve i është afruar makinës për t’i thënë shoferit të largohej prej aty, kanë dalë tre burra të armatosur që e kanë marrë peng. Në të njëjtën kohë, brenda oborrit të burgut, disa të burgosur kanë hedhur në erë një enë qelqi duke tërhequr vëmendjen e agjentëve të policisë. Ndërkohë nën një mur rrethues të burgut, disa të burgosur kanë hipur mbi njëri tjetrin duke krijuar “një piramidë humane” duke i mundësuar në këtë mënyrë Tomës të hipte në majë e të hidhej jashtë ku e priste Opeli.

Makina që rezultoi e vjedhur, u gjet e djegur të hënën, ndërsa për Tomën askush nuk di të thotë ku gjendet, ndaj kërkohet në gjithë Evropën.

Shqiptari i Italisë 

Lexo edhe:
Kapet në Belgjikë Taulant Toma, i arratisur në shkurt nga burgu i Parmës
Arrestohet Frrokaj, një nga dy shqiptarët e arratisur në shkurt nga burgu i Parmës
Parma. Arratisen nga burgu Toma dhe Frrokaj

(Ndiqni ‘Shqiptari i Italisë’ edhe në Facebook dhe Twitter)  

 

Çfarë na kërkon Europa

Lihet i lirë Franzoni. Ndoqi e vrau Ndojin që e gjeti duke i vjedhur në shtëpi