in

Ç’fjalë të sjellin ndërmend Italinë? Lejeqëndrim dhe racizëm

Sondazh mes lexuesve të stranieriinitalia.it mbi fjalët që të bëjnë të mendosh Italinë. Fjala e fundit, “gëzim”

Italia belpaese? As që e çojnë nëpër mend. Italia, për emigrantët që jetojnë këtu, para së gjithash do të thotë burokraci dhe racizëm. E thonë rezultatet e një sondazhi që stranieriinitalia.it bëri mes lexuesve të vet.

Pyetja ishte: “Cila fjalë të bën të mendosh më shumë për Italinë?”. Lexuesit mund të zgjidhnin mes 12 opsionesh: mikpritje, e bukur, shtëpi, e keqe, klandestin, gëzim, nostalgji, oportunitet, lejeqëndrim, polici, inat, racizëm.

Sondazhi u drejtohej vetëm emigrantëve (natyrisht nuk mund të përjashtohet që mund të ketë pasur edhe ndonjë “të infiltruar”) dhe janë përgjigjur rreth dhjetëmijë vetë. Ajo çka doli në dritë nuk është aspak e gëzueshme.

Në majë të listës së fjalëve që të bëjnë të mendosh për Italinë janë “lejeqëndrim” me 3.339 vota (34,2% e të gjitha përgjigjeve) dhe “racizëm” me 2.774 vota (28,5%). Këto të dyja kanë thithur mëse 60% të të gjitha përgjigjeve. Madje, edhe pse 962 vota (9,9%) dhënë për “e bukur” vlejnë sidoqoftë vendin e tretë në renditje, fjala “gëzim” renditet e fundit me vetëm 71 vota.

Nuk është për t’u çuditur që “leja e qëndrimit” renditet e para, po të mbahet parasysh që në Itali është dokumenti më i rëndësishëm për një të huaj. Por ajo çka rëndon më shumë në këtë zgjedhje është fakti që nga 500 mijë deri në 1 milion (sipas mendimit të kuesturave apo të shoqatave të sektorit) emigrantë janë gjithnjë në pritje të dokumentit të tyre, pengje të një burokracie shumë të ngadaltë.

Shumë e kanë shprehur këtë gjë edhe me komentet në fund të artikullit që paraqiti sondazhin. “Ah, leja e qëndrimit. Për ta marrë duhet të presësh, po të të shkojë mbarë, një vit” “Jam gjithnjë në radhë për përtëritjen, në radhë për identifikimin, në radhë për integrimin e dokumentacionit, në radhë për ta marrë, por kur e kam në dorë shoh që është e skaduar e duhet ta nis prapë nga e para. Italia po na vështirëson jetën”.

Për fat të keq nuk është vetëm burokracia ajo që i bën të huajt të ndihen shtetas të dorës së dytë. Ndihet shumë racizmi, veçanërisht me përgjithësimet e alarmit për sigurinë. Edhe në këtë aspekt komentet flasin qartë: “Këtu konsiderojnë të gjithë të huajt përdhunues dhe kriminelë, çdo ditë thonë që duhet të largohemi, që nuk duhet pasur mëshirë”. “Na shfrytëzojnë e në trajtojnë si qentë, ky është racizëm”. “Italiani mendon se është qenie superiore përballë emigrantit të gjorë dhe harron që i huaji flet më mirë se ai 2-3 gjuhë. I bukur vend!”.

Anbeta, sërish protagoniste në Sferisterio të Maceratës

Fundim Gjepali, kuzhinieri shef