in

CGIL, rreth një milion në shesh kundër manovrës ekonomike

Një ditë e vështirë në qytetet e mëdha të Italisë ku kortezhe e manifestime të organizuara nga sindikata Cgil kanë pushtuar qendrat. Ndërsa transporti publik i bllokuar tërësisht apo i ngadalësuar kanë rënduar trafikun urban

Romë 25 qershor 2010 – Transporti publik, trafiku ajror dhe hekurudhor në Itali janë bllokuar pjesërisht sot nga një grevë e përgjithshme e ndërmarrë nga sindikata CGIL, e cila u shpreh se mblodhi një milion manifestues kundër planit qeveritar të masave të rrepta ekonomike për përballimin e krizës.

Qeveria i kundërshtoi shifrat. Ministri i Administratës Publike, Brunetta, foli për “pjesëmarrje të dobët ndër punonjësit publikë, vetëm 4%” në një grevë ku nuk merrnin pjesë dy sindikatat e tjera të mëdha CISL dhe UIL. Greva u organizua të nesërmen e manifestimeve masive në Francë kundër një projektreforme të pensioneve, ku morën pjesë rreth dy milionë persona sipas sindikatave, rreth 800 000 sipas policisë.

Në Itali dolën në rrugë një milion persona, sipas Cgil, veçanërisht në Bolonjë (100.000), Milano (80.000) dhe Napoli (70.000). Por policia si zakonisht përgjysmoi këto shifra, duke e vlerësuar kështu numrin e manifestuesve në 35.000 në Milano. Sipas Cgil, 40 000 manifestues, të cilët valëvisnin flamuj të kuq të sindikatës, ishin mbledhur në sheshin Farnese, në Romë. Qarkullimi i autobusëve dhe metrove u ndërpre me orare të ndryshme në qytete të mëdha si Romë, Napoli dhe në Milano.  Filt njoftoi se në Romë dhe Napoli, disa linja metroje janë bllokuar dhe rreth 50 për qind të autobusëve nuk kanë qarkulluar. Sipas Atac që administron transportet në Romë, në grevë kanë marrë pjesë 38 për qind të punonjësve dhe autobusët qarkullonin. “Ferrovie dello Stato” u shpreh se u sigurua trafik normal për trenat për distanca mesatare dhe të gjata. Ndërsa sipas Filt-Cgil, në transportin ajror, pjesëmarrja në grevë ishte shumë e lartë “me 86 fluturime të anulluara në mesditë në aeroportin Fiumicino”, por, burime aeroportuale folën për vetëm rreth 40 fluturime të anulluara. Në të gjitha krahinat edhe punonjës të sektorëve të tjerë ndërprenë punën për katër orë në orare të ndryshme.

Masat e rrepta ekonomike të qeverisë, të miratuara për mëkëmbjen e financave publike dhe për të qetësuar tregjet nga borxhi i Italisë (më tepër se 118 për qind të PBB-së) kanë të bëjnë me rreth 24,9 miliardë euro për vitet 2011 dhe 2012. Plani parashikon ndër të tjera, një zvogëlim të shpenzimeve publike nëpërmjet ngrirjes për tre vjet të pagave të funksionarëve, një zvogëlim me 10 për qind të buxheteve të ministrive dhe të ndihmave për komunat, si dhe një forcim të luftës kundër evazionit fiskal.

“Këto masa të rrepta buxhetore duhet të ndryshojnë target, sepse janë vetëm punëtorët, administratat lokale dhe qytetarët që kanë pasoja prej tyre”, deklaruan nga CGIL në Bolonjë, “askush nuk e mohon nevojën e përmirësimit të financave të vendit, por duhet të mendohet për të ardhmen dhe jo vetëm për shkurtime buxhetore”.

Dje, Confindustria, publikoi një raport ku njoftohet se vendi ka dalë nga recesioni dhe se rritja mendohet të jetë më e lartë nga sa parashikohej për këtë vit dhe në vitin 2011, por, papunësia pritet të rritet ende pas humbjes së  528.000 vendeve të punës gjatë krizës dy vjeçare.

 

Ministri Brunetta: “90 mijë auto në dispozicion të administratës publike”

Tragjedia e Ustikës, betejë në qiej