Sekretarja e Shtetit, Hillary Rodham Clinton, uron popullin shqiptar për Ditën e Pavarësisë
Tiranë, 26 nëntor 2011 – Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, në emër të Presidentit Obama dhe popullit të Shteteve të Bashkuara, uroi popullin shqiptar me rastin e Ditës së Pavarësisë.
Sipas një njoftimi për shtyp të publikuar sot nga ambasada amerikane në Tiranë, në mesazhin e saj, Sekretarja e Shtetit, Klinton vlerëson se “dy vendet tona bashkëndajnë një histori të gjatë miqësie dhe bashkëpunimi”.
“Sot, po e forcojmë këtë partneritet ndërkohë që punojmë krah për krah në NATO dhe nxisim stabilitetin në rajon dhe kudo në botë. Vazhdojmë të mbështesim integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe nxisim klasën politike të Shqipërisë që të punojë së bashku për përparimin e vendit. Populli shqiptar do një qeveri transparente, udhëheqje që jep llogari dhe institucione të forta demokratike që do të ndihmojnë për të ndërtuar një të ardhme të begatë dhe të sigurtë”, thuhet në mesazhin e Sekretares së Shtetit.
Clinton siguron se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë vendosmërisht me popullin e Shqipërisë teksa punojmë së bashku për t’i arritur këto synime. “Ndërkohë që festoni këtë ditë të veçantë, duhet të dini që Shtetet e Bashkuara janë një partner dhe një mik. I uroj të gjithë popullit të Shqipërisë më të mirat dhe pres me kënaqësi të thellojmë partneritetin tonë në vitet që do të vijnë”, përfundon mesazhi i Sekretares së Shtetit amerikan.
Lexo edhe: Obama uron Topin e popullin shqiptar për festën e Pavarësisë