in

Çlirime Kiptiu, mjeshtrja e petëve që përhap traditën e gatimit bolonjez

Klimë e re në gatime. Moda e re që po ndihet në restorantet më të mira dhe në lokalet më të rafinuara është sushi japonez, por gatimin tradicionale e çojnë përparë edhe shumë të huaj që jetojnë në Bolonjë. Si Çlirime, për shembull

Ky nuk është i vetmi element i huaj që po hyn në kuzhinat e restoranteve bolonjeze. Prej jo pak kohësh aromat dhe atmosferat tradicionale që përhapen kuzhinave shoqërohen nga tinguj e fjalë shpesh të pakuptueshme edhe për profesionistët. Dihet që kuzhinat e restoranteve të majme të Bolonjës janë të mbushura gjithnjë e më shpesh nga punonjës jo italianë, e shpesh joeuropianë. E ndryshe nga ç’mund të mendohet, punonjës që nuk zënë më vetëm vendet më modeste në shkallën e përgjegjësive.

Ashtu siç ka ndryshuar vitet e fundit vlerësimi i rolit social të shefit të kuzhinës, ashtu ka ndryshuar në mënyrë progresive edhe përbërja antropologjike e kategorisë së shefave të kuzhinave në Bolonjë. Nga rreth njëqind të tillë që punojnë në qytet, të paktën gjysma kanë një origjinë kulturore jo italiane. Ndër ta jo të pakët janë ata që me mjeshtëri dhe shije të rafinuara, kanë filluar të përgatisin për klientelën jo vetëm gatime tradicionale të kuzhinës bolonjeze, por edhe frytet e një arti që ofron mundësinë për të provuar shije dhe aroma të reja, krijime që vijnë nga ndërthurja e që sjellin nëpër tryeza shijet e profumet e vendeve të largëta

Edhe profesione të tjera, të karakterizuara nga një traditë e vjetër bolonjeze ndiejnë ndikimin e të huajve. Sfoglina – hapësja i petëve, për shembull, që së bashku me produktin ushqimor tipik të qytetit tortellini, ka hyrë në imagjinatën kolektive si një binom i pandashëm i Bolonjës, shpesh nuk është vendase. Dëshmi është pjesëmarrja gjithnjë e më e madhe e grave të huaja në konkursin tradicional “Mattarello d’Oro” (Okllaia e Artë) që çdo vit zhvillohet pranë Antonianos.

Është interesant fakti që në një nismë promovuese mbi gatimet tipike bolonjeze, të organizuar nga Bashkimi i Kuzhinierëve Bolonjezë dhe nga Dhoma e Tregtisë, u shpërndanë disa numra të vjetër të një reviste mujore me titullin ‘Bologna Economica’. Në të kishte një shkrim mbi nismën e shkëlqyer të organizuar në Hotel Hilton të Amsterdamit për promovimin e territorit të Bolonjës, të ndërmarrjeve dhe produkteve të saj.

Artikullshkruesi shpjegon se nevoja e promovimit ka dalë sepse “problemi më i rëndësishëm në atë vend është ekzistenca produkteve dhe e shërbimeve gjoja italiane”. Lexohet se “ndër çdo dhjetë restorante, në gjashtë prej tyre emri, dhe vetëm emri është italian” e më tej jepen shembuj të verërave franceze të shitura si të ishin vera italiane e kështu me radhë. Misioni promovues “gjatë të cilit u zhvilluan dy ditë plot takime dhe biseda dyshe mes biznesmenëve tanë dhe atyre hollandezë” në të vërtetë çastin kulminant e pati “në tregimin e sekreteve të hapjes së petëve nga ana e një specialisteje tonë dhe në drekën gala…”. Për fat të keq shkruesi ka harruar të informojë lexuesit që hapësja e petëve Clara, emri i vërtetë Çlirime Kiptiu nga Peqini, banuese në qendër të Bolonjës, ka lindur në vendin e shqiponjave dhe dialektin bolonjez po e mëson. Mjeshtrja jonë e hapjes së petëve ishte ajo që shpëtoi dhe e nxori me sukses misionin promovues. Falë kthjelltësisë dhe shkathtësisë, përdori një prej shkopinjve që mbanin perdet në hollin e hotel Hiltonit, për të zëvendësuar okllainë që

Dhoma Italiane e Tregtisë nuk e kishte gjetur në Hollandë. E pa okllai, s’ka tortellinë. Me gjithë këto pengesa të paparashikuara vlera e performancës së specialistes sonë në hapjen e petave u vlerësua nga publiku i specializuar e nga mediat holandeze të cilat shpejtësinë dhe delikatesën e saj në punë e krahasuan me interpretimin e një sonate në piano.

Bashkë me shumë të qytetare të reja bolonjeze të panjohura, Çlirime Kiptiu, me punën e saj në hapjen e petëve vazhdon të mbajë të gjallë dhe të përhapë çdo ditë këtë traditë fisnike e të lashtë gatimi të Bolonjës. Njëkohësisht në televizionet amerikane duart e saj që bëjnë brumin, hapin petë e përgatisin tortellinët, përfaqësojnë dhe promovojnë produktet më të mira e të pastra të territorit të Bolonjës.

Giuseppe Chimisso

 

Botën nuk e ndryshojnë vetëm paratë

Fëmijët e Rajmonda Zefit u besohen prindërve të saj