in

Corriere della Sera: Italianë të diplomuar në Shqipëri pa ndjekur një ditë leksione

Si ka mundësi që një italian të diplomohet në Tiranë në Stomatologji, duke qenë në Shqipëri vetëm 10 ditë në gjashtë vjet? Duke u regjistruar në “punishten e diplomave” Kristal, të vjen natyrshëm përgjigjja

E përditshmja italiane u kthehet diplomave të marra pa ndjekur fare leksionet në universitetin Kristal në Tiranë duke sjellë shembullin e një italiani nga Pescara që ka marrë diplomën në stomatologji duke shkuar në Shqipëri vetëm 10 ditë në gjashtë vjet.

“Nëse ambasada italiane në Shqipëri nuk do të kish bërë kontrollet e nevojshme, sot në Itali do të kishim një tjetër mjek odontoiatër më diplomë të dyshimtë. Një nga të shumtët” shkruan Corriere që kujton raportin e fundit të ministrisë së Arsimit në Shqipëri (falë të cilit u kërkua mbyllja dhe pezullimi i aktivitetit i më shumë se gjysmës së universiteteve shqiptare) që thotë se janë 900 studentët e huaj të diplomuar në Shqipëri, kryesisht italianë, dhe që u është dashur “të ndjekin” kurse në gjuhën shqipe. “Është e qartë që këto 900 copa letrash janë blerë” janë fjalët e kryeministrit Edi Rama.

“E sa prej këtyre copave të letrave kanë marrë certifikatën e vlefshmërisë nga ambasada italiane në Tiranë?” ngre pyetjen  Corriere, “sepse jo gjithnjë është e mundur të kuptohet, mes qindra dokumenteve që paraqiten në Ambasadë, nëse ka diçka që nuk shkon e ka nevojë për verifikime të mëtejshme.

Fakti është që në rastin e famshëm të Trotës, Renzo Bossi, Ambasada ktheu disa herë avokaten që shkonte të kërkonte njohjen e vlefshmërisë së diplomës së djalit të kreut të Legës, sepse ishte i njohur fakti që Renzo kishte probleme me shkollën aq i ishin dashur disa vjet për të marrë maturën.

Edhe rasti i sjellë nga Corriere, i “kolegut” abrucez të Renzo Bossit, nuk i ka shpëtuar vëmendjes së Ambasadës, për faktin e thjeshtë se kur ka shkuar në 2012 të kërkojë njohjen e vlefshmërisë së diplomës së tij, nuk tregonte dot se ka qenë në Shqipëri gjatë periudhës që duhej të ndiqte universitetin. Nga verifikimet e policisë shqiptare mbi hyrje-daljet në Shqipëri të abrucezit, rezultoi se – ndryshe nga Trota që në Tiranë nuk kish shkelur kurrë – ai kish qenë gjithsej në territorin shqiptar vetëm dhjetë ditë nga viti 2006 kur ishte regjistruar në Kristal deri në vitin 2012 kur kërkonte njohjen e vlefshmërisë së diplomës. “Por diplomimi në Stomatologji në universitetin Kristal zgjat pesë vjet e ka frekuentim të detyrueshëm për të paktën tri ditë në jave” thotë nëpunësi i ambasadës për Corriere “ndaj është mëse e qartë që bashkëqytetari ynë nuk ka studiuar me të vërtetë në Kristal të Tiranës”.

Rasti i abrucezit ka përfunduar në prokurori të Tiranës. Tani duhet t’u sqarojë gjykatësve shqiptarë si e ka marrë copën e letrës. E veç tij, “muajt e ardhshëm ndoshta edhe dhjetëra persona të tjerë që duhet të shpjegojnë si kanë marrë titullin e studimit në pak kohë e në një gjuhë për ta e panjohur”.

Artikulli në origjinal: Medici diplomati in Albania senza un giorno di frequenza
(di Leonard Berberi, Corriere della Sera)

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

All’alba sul Colosseo

Gjashtë futbollistë shqiptarë, në fushë me skuadrat e Serisë A